Takimi me historinë e Shqipërisë dhe Republikës së Venedikut (Video)

Ishte koha kur në trojet e shenjta shqiptare turqit kishin bërë hapa të mëdhenj shkatrrimtarë për të çrrënjosur elementin më qenësor të ekzistencës së popullit, gjuhën shqipe.

Gëzim MUÇOLLI

Dje ditën e shtunë me 6 maj 2017, ditën e Shën Gjergjit, si para më shumë se 500 vitesh. Si e porositur për ditëlindjen e të madhit Skënderbe, ndodhi takimi në rrugët e ngushta dhe sheshet historike të Venecias.

Aty ku dikur arbërit e ardhur nga trojet shqiptare të pushtuara nga Turqia osmane , duke mbijetuar harresën nga vendësit  pas tragjedisë kombëtare dhe shpërnguljes gati pa shpresë kthimi , po merrnin ngadalë vetveten dhe nuk po pranonin të shiheshin nga venecianët si leckamanë e njerëz të paatdhe.

Ata duke u ngritur ekonomikisht dhe duke shpalosur prirjet për mjeshtëri e zanate , si dhe dëshirën e zjarrtë për shkollim dhe integrim me rrjedhat e kohës të kulturës dhe artit evropian , përherë duke ruajtur traditën dhe gjuhën e arbërit, filluan me mund të madh  të ndryshojnë statusin dhe opinionet mbi ta.

Ishte koha kur në trojet e shenjta shqiptare turqit kishin bërë hapa të mëdhenj shkatrrimtarë për të çrrënjosur elementin më qenësor të ekzistencës së popullit, gjuhën shqipe.

Prania e shqiptarëve nuk la gjurmë vetëm në 7 rrugët e ngushta ku ata banonin në qendër të Republikës venedikase (7 calli degli albanesi) si dhe 3 sheshet albanese por edhe në kishat e ndryshme ku ata kryenin ceremonitë e tyre si dhe në shkollat, administratën, universitete e sidomos në arkivat historikë.

Dje, pas kaq vitesh e shekujsh duke filluar nga takimi në Campo Santo Stefano e pastaj duke ecur nëpër Kallet e shqiptarëve  ishte moment i bukur të shohësh shqiptarë mërgimtarë duke dëgjuar me vëmendje ligjërimin plot kompetencë të profesoreshës veneciane Lucia Nadin.

Aty kishin ardhur shqiptarë nga Kroacia, mërgimtarë të organizuar në shoqata kombëtare në Zagreb dhe në qytetet e bukura të Istries kroate, të prirë nga veprimtarja e dalluar Melita Oreshkoviq.

Ishte kjo Orë e madhe historie, emocionesh dhe krenarie, duke kuptuar dhe kujtuar sfidën dhe sakrificën e madhe të arbërve pas vdekjes së Gjergj Kastriotit dhe humbjes së atdheut të pushtuar nga sultani i Turqisë.

Pikërisht këtë po e vërtetonin  faktet dhe dëshmitë që po shpaloste profesoresha Nadin , e cila me dashuri të madhe ka studiuar historinë mesjetare shqiptare gjatë kohës kur ka punuar në Ambasadën italiane në Tiranë si dhe në arkivat e Republikës Serenissima të Venedikut. Kjo albanologe e madhe  është vlerësuar dhe nderuar me çmimin e madh “Skënderbeu” nga presidenti i Republikës së Shqipërisë , për meritat e saj në studimin e historisë shqiptare.

Gjatë kësaj ore historie pati edhe dialog plot pyetje nga të pranishmit si dhe përgjegjet plot dashamirësi nga ana e profesoreshës Lucia Nadin.

Kontribut të veçantë për organizim të këtij takimi në Venecinë historike dhe turistike ka dhënë veprimtarja e dalluar e aktiviteteve kulturore dhe kombëtare  Erida Çela – Perlala me shoqatën e saj “Acqua-sport “ nga Montegrotto Terme e Padovas bashkë me mërgimtarë tjerë nga Padova , Portogruaro, e qytete tjera të Italisë që ishin përgjigjur ftesës së Eridës.

Pas dhurimit të mirënjohjeve dhe librave të ndryshëm  për profesoreshën Nadin, momente plot emocione dhe dhurata me simbolikë ishte ajo nga këngëtarja Ermira Kadia Parruca, artiste e shquar që duke kënduar këngën e mirënjohur të Vaçe Zelës me motive arbëreshe ngrohu zemrat dhe sheshin e dikurshëm të arbërve, edhe nën piklat e shiut që kishte filluar të binte. Përherë e më shumë, sikur edhe qielli donte të qante për fatin e shqiptarëve të shpërndarë në vise të ndryshme të Italisë pas pushtimit nga barbaria turke. E që nuk u përkulën e as nuk harruan origjinën duke kontribuar me vepra në krijimin e historisë së sotme.

https://www.facebook.com/gezim.mucolli/posts/1212921812150545?pnref=story

Profesoresha nga Venezia, Luçia Nadin.

 

 

 

You must be logged in to post a comment Login