Qyteti katër mijëvjeçar i pa zbuluar (FOTO)

  • Vetëm 13 kilometra larg Prishtinës, në dalje të Graçanicës gjendet qyteti më i vjetër në Kosovë. Është i pabanuar. Tash shërben vetëm për hulumtime arkeologjike dhe turizëm. Fjala është për Ulpianën. Themelet e saj janë marrë në mbrojtje shtetërore prej vitin 1954.

Kemal Luci, është njëri prej arkeologëve që është marrë më së shumti me këtë pjesë të arkeologjisë kosovare. I ulur në një bankë në sallën kryesore të Muzeut të Kosovës, nën tingujt e një kënge, që nuk dëgjohej mirë nga sinjali i dobët i radios së vendosur lart në mur, ai tregonte për historinë e këtij qyteti antik.

Thotë se shenjat e para të banimit në Ulpianë datojnë rreth 1000 vite para pushtimit romak. Pasi e ndez një cigare, thotë që ky pushtim ka ndodhur në shekullin e parë pas erës sonë. “Më 1982 në Ulpianën parahistorike janë zbuluar 9 varre të cilat datojnë rreth viteve 1300 deri 1100 para erës sonë”, thotë Luci.

“Kjo është dëshmi që ky vendbanim ka qenë i populluar edhe para ardhjes së romakëve”, shprehet arkeologu.

Për të zbuluar gjithë qytetin antik të Ulpianës duhen të paktën edhe 500 vite, thotë arkeologu. Kjo për shkak se ky vendbanim ishte i shtrirë në 120 hektarë. Sa për ta vënë në perspektivë, në 120 hektarë mund të futen 24 pallate të Rinisë, Kulturës dhe Sportit.

Udhëtim në Kohë

E gjendur afër minierave të arit dhe argjendit, ky lokalitet ka pasur rëndësi të veçantë për ekonominë e asaj kohe. Luci shpjegon se përveç xeheve, Ulpiana ka qenë udhëkryq i rrugëve të Ballkanit. Sipas arkeologut këto rrugë kanë mundësuar qarkullim që nga Roma, Dalmacia (Kroacia sot), e madje edhe Emona (Ljubjana e sotme), drejt Kostandinopojës (Stambollit).

“Qyteti ka jetuar deri në fund të shekullit të shtatë”, shprehet Luci teksa tymoste cigaren e dytë. Dyndjet e popujve nga lindja si, gotët, avarët dhe sllavët e shkatërruan qytetin e Ulpianës, i cili nuk u ndërtua më kurrë.

Mirëpo themelet e këtij qyteti janë shumë mirë të mirëmbajtura. Duken aq të reja saqë ta japin përshtypjen se janë ndërruar këto vite. Merita për këtë, sipas Lucit i takon Qeverisë së Kosovës, e cila ka ndarë vazhdimisht fonde për mirëmbajtjen e këtij parku arkeologjik.

Gjithashtu është e përcaktuar me ligj që tokat përreth të punohen më së shumti deri në 40 centimetra në afërsi të parkut. Luci heq mundësinë që të ketë patur tentime për vandalizimin ose shkatërrimin e gërmadhave nga banorët lokalë.

 

Ulpiana moderne

E tërë dyshemeja e themeleve është e mbuluar me zhavorr për mbrojtjen e mozaiqeve. Por kjo aspak nuk ia zbeh bukurinë këtij lokacioni. Për shkak se gjendet në një rrafshinë, drita e diellit në perëndim të tij e lyen tërë zonën me ngjyrë ari. I tërë vendi, në kohë të duhur merr një pamje mahnitëse. Duket sikur të jetë prekur nga vetë Mida, personazhi mitologjik grek, i cili shndërronte ne ar gjithçka që prekte.

Luci me një entuziazëm të përmbajtur gjithashtu paralajmëron se në Ulpianë do të hapet një muze i posaçëm. Sipas 66 vjeçarit ky muze i ri do ua mundësojë vizitorëve që t’i shohin materialet e Ulpianës në vendin ku janë gjetur.

“Ata vizitorë të cilët do ta vizitojnë Ulpianën, nuk do ta shohin vetëm arkitekturën e këtij qyteti por do ta shohin edhe materialin i cili është gjendur brenda shtëpive dhe varreve”, thotë ai duke i rënë bankës lehtë me stilolaps. “Materialin do ta shohin “In Situm”, te vendi”, e përfundon fjalën me zhargonin arkeologjik, duke ia dhënë goditjen e fundit bankës me stilolaps.

Ulpiana si shkollë për brezat e ri

Salla në të cilën ishim ulur, e bashkonte antiken me modernen. Mbi rreth 40 banka të ngjitura me njëra tjetrën, bashkëjetonin punimet e nxënësve të shkollave fillore me copat antike të betonit me afreske dhe dizajne romake.

Në këtë sallë Kemal Luci tregon që në Ulpianë është mbajtur një Kamp Rinor Ndëretnik. Në të kanë marrë pjesë mbi 120 nxënës të shkollave të mesme. Përmes këtij kampi studentët kanë vizituar muzeumet e Shkupit, Selanikut e Stodit. I kanë vizituar edhe ato të Butrintit, Durrësit dhe Shkodrës. Kanë qenë edhe në pjesët arkeologjike të Malit të Zi. “Studentët kanë marrë njohuri për trashëgiminë arkeologjike të Ballkanit qendror”, shprehet Luci.

Ai thotë se dy vitet e fundit ky kamp është transformuar në kamp regjional, ku kanë marrë pjesë studentë prej Ljubjanës dhe Tiranës. Nga kjo shkollë, kanë dalë katër arkeologë të rinjë të cilët kanë studiuar në Francë dhe Greqi. Ndër ta si më meritorin për përfundimin e projektit “Parku Arkeologjik Ulpiana” ai e cilëson Milot Berishën. “Pa gjeneratë të re, pa të ri nuk mund të shkojmë përpara”, përfundon ai.
(Autorë të tekstit janë: Kastriot Qerimi dhe Marigona Redenica, studentë të vitit të parë në Departamentin e Gazetarisë, UP)

You must be logged in to post a comment Login