Debutim madhështor i Ermonela Jahos të shtunën në Operën e Uashingtonit

Ermonela Jaho pati një debutim gjigant të shtunën mbrëma në Operën Kombëtare të Uashingtonit, Kennedy Center.

Sipas një postimi në Facebook të gazetarit të “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi, “Kur mbaroi Madama Baterflaj dhe u ul sipari, audienca brohoriti për minuta të tëra”.

“Dukej sikur e gjithë elita e Amerikës kishte ardhur për të parë shqiptaren e famshme. Ermonela dha shumë emocion dhe çdo gjë doli e përsosur”, shkruan Ikonomi.

“Mbetem një shqiptare e thjeshtë,” është shprehur sopranoja me famë botërore, gjatë qëndrimit të saj në Uashington.

Ermonela Jaho ndodhet në Uashington pas suksesit me të njëjtën opera në Londër, ku kritika e vlerësoi me superlativa interpretimin e saj.

Cio-Cio San, japonezja e re që u martua me amerikanin Pinkerton, me gjithë brishtësinë, magjinë dhe tragjizmin e saj, me një rreze emocionesh , ndryshojnë rrënjësisht nga një akt në tjetrin. Ermonela është shprehur se me çdo përvojë me “Madame Butterfly”, personazhi i saj rritet, maturohet, por duke mbetur njëkohësisht po ajo vajzë e re.

Image

“Madame Butterfly” në Kennedy Center ka si dizenjator, artistin abstrakt japonez Jun Kaneko, dhe paralelisht me shfaqjen e operas, një ekspozitë me skulptura të tij abstrakte shfaqet në Hollin e Shteteve në Kennedy Center. Kaneko ka dizenjuar edhe veshjet e Ermonelës për operan, një kimono e bardhë për aktin e parë të dasmës, dhe me ngjyra të forta me topa.

Ermonela ra në dashuri me operan kur pa Traviatën e Giuseppe Verdit në Tiranë në Teatrin e Operas dhe Baletit për herë të parë kur ishte adoleshente dhe i premtoi vetes se një ditë do të interpretonte Violetën.

Ndër rolet dramatike te preferuara të saj përveç Violetës dhe Cio-Cio Sanit, janë Anna Bolena e Donizzettit dhe Suor Angelica e Puccinit.

Megjithëse ka 25 vjet që është larguar, Ermonela në një interviste për “Zërin e Amerikës”, është shprehur se, Shqipëria është brenda saj, madje shprehet se është “pikërisht zjarri, emocioni, vulnerabiliteti i të gjitha ngjyrave emocionale që unë kam jetuar në Shqipëri, që marr dhe larg vendit tim, ato japin diçka të veçantë, më japin diçka të veçantë edhe mua si artiste, shpirtit tim…”!

You must be logged in to post a comment Login