Shqiptarët trafikuan 100 klandestinë sirianë, nga Greqia deri në Kosovë

Nëntë persona dërgohen në gjyq nga Prokuroria për Krime të Rënda me akuzën e trafikimit të shtetasve sirianë dhe arabë, përmes Shqipërisë në Kosovë dhe në Serbi, me qëllim kalimin në BE.

Hetimi i nisur më 7 shtator 2016 është finalizuar nga Prokuroria me zbulimin e grupit kriminal që merrej me kalimin e klandestinëve prej Lindjes së Mesme nga territori shqiptar për në Kosovë, e më tej, me destinacion final Austrinë dhe Gjermaninë.

Numri i personave të arrestuar në kuadër të këtij grupi kriminal ka qenë 18 të dyshuar, por në këtë rast, Krimet e Rënda kanë dërguar në gjyq 9 persona.

Referuar burimeve nga organi i akuzës, rezulton se këta shtetas, si edhe të tjerët e arrestuar më parë, në bashkëpunim me njëri­-tjetrin, kishin krijuar një linjë kalimi klandestinësh nga Lindja e Mesme.

Në bazë të hetimeve të Prokurorisë dhe Policisë, janë zbuluar 4 raste, ku, në mjete transporti, janë gjetur në total rreth 100 persona, kryesisht nga Siria, njofton Klan Kosova.

Këta shtetas të huaj janë gjetur në furgonë transporti në dy raste në Korçë dhe në dy raste të tjera rrugës për në Kukës. Më pas, nga hetimit e kryera, ka dyshime të arsyetuara që shtetasit e arrestuar kanë realizuar transportimin e klandestinëve kundrejt shpërblimit prej 900 eurosh për person deri në Kosovë ose 1250 euro për person deri në Serbi, pasi 350 euro për person paguhet shoqëruesi i klandestinëve në Kosovë.

Dëshmitë e klandestinëve Burimet e Prokurorisë kanë thënë se nga pyetja e shtetasve klandestinë, me cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, në prezencë edhe të njohësve të gjuhës arabe dhe turke, ata kanë deklaruar se, pasi janë larguar nga vendet e tyre të origjinës, kryesisht pjesa dërrmuese nga Siria, për arsye konfliktesh lufte dhe politike, kanë emigruar fillimisht në Turqi, një pjesë e tyre edhe kundrejt pagesës.

Ata kanë dëshmuar më pas se kanë kaluar në Greqi, kundrejt pagesave të bëra nga persona të ndryshëm që i kanë ndihmuar të kalojnë ilegalisht kufijtë mes këtyre shteteve.

Pas një qëndrimi prej rreth 5­ 6 muajsh në Greqi, këta shtetas janë takuar me njëritjetrin në mënyrë rastësore, në kërkim të emigrimit drejt Gjermanisë dhe pasi kanë kontaktuar me persona të panjohur nga ata, janë organizuar nga këta të fundit për të kaluar kufirin në mënyre të paligjshme, duke udhëtuar me taksi nga qyteti i Selanikut dhe dyshohet se kanë mbërritur në afërsi të kufirit, mes rrethit të Devollit dhe fshatrave grekë.

Këto lëvizje ata i kanë bërë me automjete të drejtuara nga shtetas grekë, ku janë ndihmuar më pas nga persona të paidentifikuar, për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin e gjelbër për rreth dy ditë me këmbë e më pas janë transportuar në brendësi të territorit të rrethit të Devollit.

TRAFIKIMI

Disa prej personave të pyetur nga grupi i hetimit kanë thënë se destinacioni final i tyre ka qenë Gjermania, ku i prisnin të afërmit dhe familjarë të tyre, ndërsa udhëtimi i nisur nga Greqia ishte parashikuar paraprakisht sipas marrëveshjes së bërë më parë në Greqi, deri në Serbi, duke kaluar ilegalisht përmes territorit shqiptar, duke u paguar organizatorëve pas mbërritjes së tyre një shumë prej 1200 eurosh për person dhe gjysma e saj për fëmijët e vegjël, shkruan Panorama, njofton Klan Kosova.

You must be logged in to post a comment Login