Sezoni i ri TKOB

Me një mbrëmje gala dedikuar 70-vjetorit të lindjes së mjeshtrit Ermir Krantja do të nisë sezoni i ri artistik i TKOB.

“Mjeshtrat që themeluan historinë e teatrit janë metronomi më i rëndësishëm për të mbajtur ritmet e një teatri dhe prandaj në sot, jo rastësisht, e nisim këtë sezon me kolanën e “Opera Histori”. Ne fillojmë me një natë gala sezonin 2017, festojmë ditëlindjen e mjeshtrit dhe startojmë një epokë të re për Teatrin e Operas dhe Baletit”, deklaroi drejtoresha Zana Çela.

Çdo sezon ka prioritetet e veta në këtë institucion dhe ai i vitit 2017 duket se do t’i takojë atyre që krijuan historinë e tij.

“Do të kemi premierë koncertet gala që do të organzojmë me rastin e Preng Jakovës, Çesk Zadesë dhe janë 4 koncerte të tilla. Këtë javë, më datë 9 dhe 10 mars do të jemi me operën “La Traviata” në qytetin e Shkodrës dhe ky është një moment për t’u shënuar, sepse opera del në turne për shfaqje operistike pas 35 vitesh”, nënvizoi Çela.

Tashmë që rikonstruksioni i godinës ka nisur, shfaqja e parë e sezonit të ri përkon edhe me nisjen e turit artistik “Koncerti”, i dirigjentit Ermir Krantja, në sallën e Katedrales së Kishës Ortodokse.

Mbrëmjen e së hënës do të çelë rrugën e “Operas Tour” nëpër qytete dhe skena të tjera në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.

You must be logged in to post a comment Login