Një përshkrim i rrallë shqiptarëve të 1308

Shqipëria ka një shtrirje disi të madhe në rajon. Ajo ka banorë vërtetë luftëdashës, pasi ata janë harkëtarë dhe heshtarë të shkëlqyer. Mbretëria në fjalë e Shqipërisë tani nuk ka mbret, vendi është i ndarë mes pronarëve të tokave, që e sundojnë vetë dhe nuk i nënshtrohen askujt tjetër

Qentë këtu janë shumë të mëdhenj dhe janë kaq të egër, saqë vrasin si luanë. Siç e përmend Plini, shqiptarët i dërguan një qen të tillë Aleksandrit të Madh, një qen i cili bënte kërdinë mes luanëve, elefantëve dhe demave në stadium. I ashtuquajturi ‘Anonymi Descriptio Europae Orientalis’ (Përshkrim Anonim i Europës Lindore) (1) është një tekst latin mesjetar i vitit 1308, që përmban një vëzhgim të tokave të Europës Lindore, sidomos vendeve të Ballkanit.

Autori anonim i tij mendohet të ketë qenë një klerik francez, apo i arsimuar në gjuhën frënge, me shumë gjasë i Urdhërit Dominikan, i cili ishte dërguar nga Kisha në Serbi, aty ku kishte përftuar pjesën më të madhe të informacionit në lidhje me Ballkanin. Ai përmban edhe një pjesë për Shqipërinë, një prej përshkrimeve të rrallë të vendit në vitet e parë të shekullit të katërmbëdhjetë. Dimë që dominikanët kanë qenë aktivë në Durrës që nga viti 1304, kur qyteti ra në duart e Perëndimit, pas njëzetë vitesh sundim Bizantin. Në një letër me datë 31 mars 1304, Papa Benedikti XI i kishte kërkuar kreut të Urdhërit Dominikan në Hungari, që të dërgonte në Shqipëri disa prej vartësve të tij, “me karakter e moral të mirë, aktivë dhe elokuentë”, për veprimtari misionare. Me mbështetjen e Selisë së Shenjtë, Dominikanët kishin kështu fuqi të plotë për të krijuar një hierarki Latine sipas pëlqimit të tyre, në bregun e Shqipërisë, për të zëvendësuar Kishën ortodokse, e cila ishte detyruar që të braktiste pozicionin e vet.

You must be logged in to post a comment Login