Nik Xhelilaj me trup fantastik, tregon se si arriti ta formonte trupin e Winnetou

Jemi mësuar të flasim për transformimet fizike të aktorëve të njohur të Hollywood-it për role të ndryshme, por këtë herë përmes të njëjtit proces ka kaluar aktori shqiptar, Nik Xhelilaj.

Ai ka luajtur në filmin televiziv me 3 seri “Winnetou” i cili është shfaqur dhjetorin e kaluar në kanalin gjerman RTL. “Winnetou” mbështetet në romanin e autorit gjerman Karl May, i cili i ka dhënë veprës së tij për titull emrin e personazhit kryesor, një heroi indian të Amerikës, të njohur për bëmat e tij. Këtë personazh, në variantin e ri të filmit të regjisorit Philip Stolzl, e interpreton aktori shqiptar, i cili me siguri ka pasur në favorin e tij tiparet ekzotike për ta bindur regjisorin, por nuk i kanë mjaftuar.

Nik Xhelilaj është stërvitur fort dhe ka mbajtur një regjim të rreptë ushqimor për të arritur format trupore të një biri të natyrës. “Sinqerisht t’ju them, është shumë e vështirë për ta menduar,-ka thënë ai në një intervistë për një gazetë gjermane.-Veçanërisht në 15 ditët e para, pastaj mësohesh me atë sistem, mirëpo në asnjë mënyrë nuk guxon të hash karbohidrate. Por, unë falënderoj Zotin për këtë mundësi të domosdoshme, përndryshe kurrë nuk do të isha ushtruar kaq shumë dhe trupi im nuk do të dukej kështu”, shkruan Panorama.

Një provë e vështirë dhe impenjuese për Nikun është edhe gjuha gjermane. Ai ka treguar që po ndjek një kurs, teksa ka nisur të banojë në lindje të Berlinit, por sigurisht që megjithë përkushtimin, nuk është aspak e lehtë. Dhe nuk është i pari që e ndien vështirësinë para detit të gjermanishtes. “Jeta është shumë e shkurtër për të mësuar gjermanisht”, ka thënë dikur Oscar Wilde dhe gjërat nuk kanë ndryshuar që atëherë.

Megjithatë, Niku duket i vendosur!

Nëse doni ta dini, edhe pse plotësisht jashtë teme, por mund të jeni të interesuar, aktualisht nuk ka të dashur. Gjithë ditën bën muskuj dhe mëson gjermanisht. Dhe ja ku kthehet në një bukurosh të pamundur! Jo, jo, është i hapur për mrekullinë e një vajze në jetën e tij.

Si duhet të jetë ajo? E thjeshtë dhe thjesht e mrekullushme!Image

 

You must be logged in to post a comment Login