Alkimia e Ballkanit: Kosova, vendi që çdo ditë ndryshon (Video)

Një nga gazetarët më të njohur të ish-Jugosllavisë, Goran Milliq, për kanalin Al Jazeera Balkans është duke përgatitur një seri unike të dokumentarëve. Fjala është për projektin Alkimia e Ballkanit, në kuadër të së cilës janë prezantuar Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia. Që një muaj, në Al Jazeera po transmetohen dokumentarët për Kosovën, që shihet se është punuar për një kohë të gjatë, pothuajse në çdo cep të Kosovës, e që shfaq anët më të veçanta të shtetit më të ri të Evropës.

Në episodin e parë për Kosovën shfaqen ndryshimet në Prishtinë. Herën e fundit në kryeqytetin e Kosovës Milliqi ishte para 30 vitesh, ndaj sheh ndryshime të mëdha në të. Për të ky nuk është qyteti i njëjtë: automobila ka katër herë më shumë, kudo ndërtohet, në vend të një hoteli të njohur Grand janë dhjetëra të rinj të kategorive të larta… Qyteti është plot me auto-sallone, qendra tregtare, rrugët janë të mira…

Megjithatë, ish-zyrtari komunist i Kosovës, avokati Azem Vllasi, konsideron se pamja e bukur jashtme është veç “kapital i vdekur”, se prodhimi është frenuar, e se njësitë e mëdha industriale nga socializmi nuk janë përtërirë e as nuk janë zëvendësuar me të rejat. Në anën tjetër, gjërat pozitivisht i sheh presidenti Hashim Thaçi meqë, sipas tij, është përfunduar me sukses faza kryesore e krijimit të shtetit dhe se shpejtë do të nis edhe prosperiteti ekonomik, transmeton Telegrafi.

Një figurë shumë e veçantë për Milliqin është 15-vjeçari Ardian Ruhani, që shet kikirikë në rrugët e Prishtinës. Por, ai është nxënës i shkëlqyer, futbollist i mirë, që ndihmon familjen, që e ka mësuar vet anglishten e që ka dëshirë për të udhëtuar në Gjermani apo në Amerikë. Ai do të donte të ishte futbollist, por nëse dështon në këtë, mendon të ketë biznes të vetin sepse mendjen e ka se si ta ndihmojë familjen.

Në këtë pjesë vjen edhe historia për rezervatin e arinjve dhe shpëtimin e kafshëve fatkeqe, që mbaheshin në kafaze të vogla të një restoranti, për të tërhequr mysafirët. Tani ato kanë hapësirë prej 60 hektarëve, në afërsi të Prishtinës, ndërkaq në të strehim gjejnë edhe arinjtë nga Shqipëria.

Në fund vjen violinisti i Filarmonisë së Kosovës, Visar Kuçi, që interpreton himnin e Kosovës. Ai thotë se me muzikë klasike nuk mund ta mbajë familjen dhe se shumicës së shqiptarëve në zemër u fle më shumë “Himni i flamurit”.

Episodi i I-të

Në episodin e dytë të dokumentarit prezantohet zona e banimit dhe tregtisë, Marigona, që mban emrin e heroinës që qëndisi flamurin kombëtar shqiptar, më 1912. Fjala është për një kompleks luksoz të stilit amerikan, ku të gjitha rrugët janë të emëruara sipas shteteve amerikane. Kryesorja është Iowa, një vend simotër me Kosovën. Një nga tre bashkëpronarët e këtij kompleksi të bukur të ndërtesave është Erold Belegu, që tregon se kostoja e mesatare është 1,000 euro për metër katror dhe se aty jeton klasa e mesme: mjekët, avokatët, tregtarët – e më së paku politikanët.

Studentët e Prishtinës kanë qenë shumë skeptikë kur pyeten për orientimin politike. Se nuk kanë preferencë politike thonë 74 për qind e tyre, të djathtë janë nëntë për qind, të majtë shtatë për qind, e veç gjashtë për qind thonë se i takojnë qendrës politike.

Milliqi ishte edhe në Gjakovë, ku një çift zviceran kishte krijuar bazën për edukimin muzikor të të rinjve. Pesëdhjetë djem dhe vajza kanë marrë instrumentet dhe trajnimin, ndërsa zviceranët i çojnë ata në vendin e tyre, por sjellin edhe muzikantët e rinj zviceranë në Kosovë. Intervista me çiftin zviceran reflekton dallimet në pikëpamjet mbi vlerat e jetës në Zvicër dhe në Ballkan. Sepse, ata fëmijëve nuk u blejnë vetura, por u ofrojnë veç shkollimin e mirë.

Episodi i II-të

Në episodin e tretë Milliqi merret me emancipimin e femrës shqiptare që thotë se ka ndryshuar shpejtë në traditën patriarkale shqiptare. Nga 92 studentët e anketuar në Prishtinë, 86 thonë se janë për barazi të plotë të grave me burrat, e vetëm gjashtë për qind kanë favorizuar “maskulinizmin”.

Biznesmenja Linda Shala, e cila u shpall sipërmarrëse e vitit, thotë se korniza legjislative është siç duhet, por që në praktikë njerëzit u japin burrave vendet më të mira, ndërsa shton se në politikë ato dërgohen aty ku duhet hequr “gështenjat e nxehta nga zjarri”!

Regjisorja Kaltrina Krasniqi studion historinë e traditës gojore në Kosovë dhe shpjegon se pse në Kosovë ende nuk flitet shumë për Luftën e Dytë Botërore. Pikëpamjet e saj për martesën dhe familjen befasojnë edhe gazetarin me përvojë, Goran Milliq, transmeton Telegrafi.

Një befasi tjetër në Gjakovë ishte një i kthyer nga Zvicra, Vllaznim Xhiha, që ka nisur projektin Bonevet për edukimin e fëmijëve. Është e mahnitshme për gazetarin kroat se si 14-vjeçarët punojnë mjete të sofistikuara ortopedike, me printerë 3D, e se si edhe ata, si shumica e fëmijëve në Kosovë, e flasin anglishten si gjuhë amtare.

Nga tradita vendore viziton personin që punon plisat, që shfaqen edhe te Muzeu i Gjakovës. Se si punohet plisi, këtë e shpjegon Sahit Mula.

Episodi i III-të

Milliqi viziton edhe Gjilanin, për të një qytezë provinciale që ndryshon me shpejtësi. Jo shumë larg është baza amerikane e në male dominon një hotel i madh luksoz që e ka ndërtuar një shqiptar nga Zvicra. Pos dhomave, fitnesit dhe restoranteve të shkëlqyeshme, kompleksi ka edhe kuaj të racës dhe park zoologjik me lama të Perusë, kënde të lojërave për fëmijë… gjithçka, si në Amerikë!

Milliqi takon edhe pronarin e një kompanie të internetit, Armend Malazogun, i cili e ka lëvizur një pjesë të kapitalit të tij në prodhime bujqësore. Ai ka privatizuar 350 hektarë tokë të një kombinati të shtetit, ndërsa sot prodhon lëngjet Frutomania. Ai punëtorët i paguan me një euro për orë apo 10 euro për një ditë. Fshatarët me tërë familje punojnë aty dhe thonë se pas sezonit u mbesin 5,000 euro. Pemishtet kanë inkurajuar fshatarët e Kravaricës për ndryshime të mëdha. Tani të gjithë mbjellin fruta dhe perime, në vend të grurit që sjell fitime të vogla. Tash familja fiton mbi 20,000 euro në vit. Por, për fat të keq, shembuj të tillë ende nuk ka sa duhet që Kosova të ushqehet nga toka e saj, transmeton Telegrafi.

Në Komunën me shumicë serbe, në Graçanicë, xhirohet manastiri i njohur që është nën mbrojtje. Serbët aty thonë se nuk jetojnë mirë dhe se varen nga ndihma e Beogradit. Milliqi mendon se ata vet nuk kanë shumë iniciativë, sepse nuk përshtaten me kërkesat e bujqësisë dhe çmimet e kohës së re.

Episodi i IV-të

Të enjten e ardhshme është paralajmëruar të jepet episodi i pestë. Se sa do t’i ketë gjithsej seria për Kosovën, kjo nuk dihet. Dokumentari për Maqedoninë p.sh. i kishte nëntë episode, i Sllovenisë i kishte 10, i Malit të Zi i kishte 11, i Bosnje dhe Hercegovinës i kishte 14, ndërsa ata të Serbisë dhe Kroacisë nga 15.

Sidoqoftë, ky është një dokumentar unik nga një gazetar i njohur e me përvojë, i realizuar për një televizion prestigjioz. Puna e tij vlen të shihet. /Telegrafi/

You must be logged in to post a comment Login