“Air Serbia” shkel marrëveshjen e Brukselit

Ndonëse Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord në Bruksel për lëvizje të lirë dhe të papenguar të qytetarëve që mbajnë dokumentet e Kosovës, nëpër Serbi dhe nga aeroportet e Beogradit dhe Nishit, kompania “Air Serbia” nuk i pranon këto dokumente.

Prishtina zyrtare ka thënë se lidhur me këtë problem do t’i drejtohet Brukselit.

Zylfija, një grua nga Kosova ka provuar që përmes internetit ta blejë një biletë aeroplani në kompaninë “Air Serbia” për të udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Tiranë, përmes Beogradit.

Por, kur sistemi ka bërë kërkimin që të zgjidhet shteti që ia ka lëshuar pasaportën udhëtarit, Kosova nuk ishte në listë.

Zylfija ka kontaktuar me kompaninë “Air Serbia” në Beograd, duke e sqaruar problemin dhe ka pyetur nëse ekziston çfarëdo mundësie që të blihet një biletë për udhëtarin që posedon vetëm pasaportën e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me kompaninë “Air Serbia” dhe e ka pyetur se cilat janë gjasat që të blihet një biletë aeroplani në qoftë se udhëtari ka dokumente të Kosovës. Shërbyesi i kësaj kompanie ka thënë se “Air Serbia” nuk e konsideron të vlefshëm pasaportën e Kosovës.

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo çështje do të shtrohet në Bruksel, në momentin që dialogu ndërmjet Kosovë dhe Serbisë do të vazhdojë.

Ajo ka shtuar se me Marrëveshjen për lëvizje të lirë, qytetarëve të Kosovës u është mundësuar që me dokumente shtetërore të shfrytëzojnë pikat transitore në Serbi, në rastet kur udhëtojnë, përfshirë këtu edhe aeroportin e Beogradit.

“Fakti që ‘Air Serbia’ ka refuzuar që të ta pranojë këtë fakt, flet për shkelje të Marrëveshjes së Brukselit nga ana e Serbisë, sepse Serbia, si palë në këto bisedime, është dashur të njoftojë ‘Air Serbia’-n ose e gjithë kjo mund të jetë që vet kompania refuzon ta bëj një gjë të tillë. Megjithatë, mendoj se kjo është përgjegjësi e palës serbe, e cila me këtë rast ka shkelur marrëveshjen”, theksoi Tahiri.

“Air Serbia” ende nuk ka dhënë ndonjë përgjigje zyrtare në pyetjen se a është kjo kompani e njoftuar lidhur me marrëveshjen.

Në bazë të marrëveshjes në Bruksel, në shtator të vitit 2014, pala serbe ka vendosur që t’ua mundësojë lëvizjen bartësve të dokumenteve të Kosovës edhe nga aeroporti “Nikola Tesla” në Beograd, ashtu sikurse nga aeroporti në Nish. /REL

You must be logged in to post a comment Login