E pabesueshme, italianët me gomone drejt Shqipërisë

Shqipëria, toka e premtuar! Jo në realitet, por në ekranin e kinemasë. Më 3 shkurt do të shfaqet në kinematë italiane filmi “Vista Mare” i regjisorit Andrea Castoldi.

Italia e prezantuar nga “Vista Mare” është një vend në krizë, ku ka revolta popullore dhe manifestime për shkak të kushteve ekonomike përherë e më të këqija, nga të cilat tentohet arratia për të mbërritur në Shqipërinë e shumë-ëndërruar, tokë e begatë me punë e shpresa.

Kriza dhe emigracioni, dëshira për të ndryshuar dhe shpresa janë temat kryesore të filmit, i cili zgjedh të përballet me aktualitetin me anë të një provokimi: vënien në skenë të paradoksit ku refugjatët janë italianë dhe toka e premtuar është bregu shqiptar.

Protagonisti i filmit është Stilitano, i interpretuar nga Arturo Di Tullio, anti-heroi që tenton të rregullojë gjërat në mënyrën e duhur, por gabon, një lloj Pinoku i ditëve tona.

Nga veriu niset drejt Puglias, rajoni kufitar i militarizuar, i vendosur të braktisë vendin e të fillojë një jetë të re. Në pyjet e Umbrias bashkohet me një grup italianësh, të fshehur prej javësh në një shtëpi të braktisur, të cilët, ashtu si ai, presin rastin për t’i hipur gomones fatlume.

You must be logged in to post a comment Login