Si u provokua incidenti i Kanalit të Korfuzit?

Artur Meçollari

70 vjet më parë, më 22 tetor 1946, ndodhi Incidenti i Kanalit të Korfuzit, në të cilin dy destrojerë britanikë ranë në mina në detin territorial të Shqipërisë (Gjiri i Sarandës). Në këtë ngjarje Marina Britanike humbi 45 oficerë dhe detarë, si dhe 42 të tjerë u plagosën. Kjo ngjarje është trajtuar nga juristë, historianë, ushtarakë, politikanë, studiues, etj. Sot, mbas 70-vjetësh, mbi këtë incident është hedhur shumë dritë, dhe dihen tashmë shumë të vërteta. Ai ishte një incident ushtarak plotësisht i mirëplanifikuar, plotësisht i motivuar dhe i urdhëruar nga nivelet më të larta politike të të dy shteteve. Minimi i Gjirit të Sarandës u realizua i miratuar nga niveli më i lartë politik i vendit, Kryeministri Enver Hoxha, me propozim të Titos. Ashtu si në Shqipëri, edhe në Britaninë e Madhe, ai u miratua nga i njëjti nivel politik: Kryeministri Britanik Clement Attlee.

Incidenti i datës 22 tetor 1946, i cili njihet si Incidenti i Kanalit të Korfuzit është rezultat i incidentit të datës 15 maj 1946, në të cilën dy kryqëzorë britanikë H.M.S. Orion dhe H.M.S. Superb, në orën 08:30, ndërsa po kalonin nëpër Kanalin e Korfuzit në përputhje me regjimin e kalimit paqësor nëpër rrugëkalimin MEDRI, sipas versionit britanik, një bateri e artilerisë bregdetare shqiptare (në Kepin Paladha) hapi zjarr kundër tyre. Zjarri zgjati për rreth 7 minuta dhe u hodhën 18 predha 100 mm, të gjitha mosmbritëse. Anijet britanike nuk iu kundërpërgjigjën zjarrit të baterive bregdetare shqiptare.

Mbas incidentit, midis dy qeverive pati një shkëmbin intensiv të notave diplomatike, në të cilat Britania e Madhe i kërkonte Shqipërisë të kërkonte ndjesë dhe të dënonte personat përgjegjës, duke e justifikuar se anijet ishin duke ushtruar të drejtën e kalimit paqësor nëpër Kanalin e Korfuzit. Shqipëria u justifikua se nuk kishte mundur t’i identifikonte anijet dhe “zjarri u ndërpre mbasi u identifikua kombësia e tyre (britanike)”.

Incidenti i datës 15 Maj 1946 ngeli në axhendën diplomatike të dy vendeve, pasi gjatë këtij incidenti nuk pati të dëmtuar dhe disa muaj më pas do të ndodhte Incidenti “i vërtetë” i Kanalit të Korfuzit. Më 21 Maj 1946, një “urdhër ekzekutiv” i Qeverisë së Shqipërisë shpalli pezullimin e përkohshëm të kalimit paqësor nëpër detin e saj territorial (në Kanalin e Korfuzit) për të gjitha anijet e huaja ushtarake pa autorizim paraprak të Qeverisë së Shqipërisë.

Në 11 shtator 1946, Forin Ofisi i kërkon Admiraliatit, duke i kujtuar notën e 2 gushtit “nëse ka kaluar ndonjë anije britanike në Kanalin e Korfuzit, dhe nëse po, cili ka qenë reagimi i shqiptarëve”. Më 21 Shtator 1946, Admiraliati Britanik në një letër drejtuar Admiral Willis, Komandantit Detar të Mesdheut, i shkruante se “Do të dëshironim të kishim informacion nëse ndonjë nga anijet tuaja ka kaluar nëpër Ngushticën e Kanalit të Korfuzit qysh nga Gushti, dhe nëse jo kur keni planifikuar ta bëni këtë gjë së shpejti?”. Përgjigjja ishte e menjëhershme “deri tani ende jo, por parashikojmë ta bëjmë një gjë të tillë me H.M.S. Mauritus dhe H.M.S. Leander, ….në datën 22 Tetor 1946”.

Pra Komanda Detare e Mesdheut, jo vetëm kishte filluar planëzimin, por kishte përcaktuar edhe anijet pjesëmarrëse dhe datën e kalimit. Qëndrimi i fortë i Admiraliatit kishte fituar mbi atë të moderuar të Forin Ofisit. Kryeministri Attlee me miratimin e 30 korrikut 1946 duket u detyrua të ndjeki linjën e fortë të Admiraliatit. I ishte dhënë drita jeshile hartimit të planit operacional XCU.

Plani operacional XCU

Për hartimin e planit operacional u ngarkua shtabi i Kundëradmirali Kinahan, Komandant i Skuadronit I-rë të Kryqëzorëve të Flotës së Mesdheut, I cili më datën 5 tetor 1946 nxori planin operacional XCU (Exercise Corfu). Ky plan u modifikua me Shtojcën XCU ONE të datës 13 tetor 1946. Objektivi i planit ishte “përdorimi i Kanalit Verior të Korfuzit” me qëllim “për të testuar reagimin e shqiptarëve ndaj notave diplomatike të dërguara, duke përdorur në datën 22 tetor 1946 Kanalin e Veriut të Korfuzit”

Plani parashikonte që katër anije, dy kryqëzorë dhe dy destrojerë (H.M.S. Mauritius, H.M.S. Saumarez, H.M.S. Volage dhe H.M.S. Leander) të lundronin sipas rrugëkalimit MEDRI, lundrim i cili, sipas urdhrit ekzekutiv të Qeverisë së Shqipërisë të datës 21 maj 1946, nuk mund te realizohej pa një leje paraprake. Natyrisht Britania e Madhe nuk kishte në plan të kërkonte leje. Njëkohësisht, plani operacional parashikonte që “ekuipazhet të qëndronin në gatishmëri me armatim gati për të hapur zjarr në kohën më të shkurtër”. Armatimi të qëndronte në pozicion normal, derisa, nëse ndodh që bateritë shqiptare të hapin zjarr”. Avionë zbulimi të H.M.S. Ocean duhet të qëndronin në fluturim dhe në kontakt me katër anijet, por jashtë territorit dhe ujërave territoriale të Shqipërisë dhe gati për t’u afruar. Gjithashtu, dy anije të tjera do të qëndronin në pjesën perëndimore të Korfuzit.

Porosia e Admiralit Kinahan ishte që ky plan të mbetej “Top Sekret” dhe autoritetet greke në Korfuz nuk duhet të ishin në dijeni të tij. Plani operacional XCU ishte një plan i plotë, por vendoste kufizime në përzgjedhjen e objektivave dhe përmbante element kërcënues në kundërshtim me doktrinën e regjimit të kalimit paqësor, e cila përbënte edhe argumentin kryesor për të cilin Shqipëria akuzohej për incidentin e 15 majit. Plani, qysh në hartim parashikonte masa aktive mbrojtje dhe ishte një kërcënim i hapur kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë.

Por, plani XCU kishte edhe një defekt tjetër. Ai binte në kundërshtim me Konventat e Hagës të vitit 1907 për mbrojtjen e civilëve. Plani nuk parashikonte rregulla angazhimi (kufizime) në kushtet e përdorimit të zjarrit dhe përzgjedhjen e objektivave, duke mos instruktuar komandantët vartës për ruajtjen e civilëve gjatë përdorimit të armatimit. Për këtë arsye, Plani XCU u modifikua me Shtojcën XCU ONE. Kjo shtojcë vendoste kufizime në përzgjedhjen e objektivave, duke rekomanduar se, “ne nuk duhet të ndërmarrim veprime kundër objektivave shqiptare derisa ata të kenë kryer një veprim armiqësor”. Admirali Kinahan donte të justifikonte përdorimin e armatimit vetëm në kushtet e vetëmbrojtjes së nevojshme. Ai pretendonte se lundrimi i datës 22 tetor 1946 do të ishte një lundrim paqësor. Në fakt, ai me paramendim kishte shkelur regjimin e kalimit paqësor, duke përdorur kërcënimin me paramendim dhe dukshëm.

Gjithashtu, shtojca XCU ONE instruktonte komandantët të shmangnin sa më shumë goditjen e objektivave civilë. “Goditjet duhet të bëhen qartë jo kundër fshatrave”, dhe një proces klasifikimi duhet të realizohet vetëm nëse kërcënimi ndaj trupave” do të vij nga fshatrat”

Katër anijet i kishin detyra të ndryshme: dy kryqëzorët ishin planifikuar të hapnin zjarr kundër pozicioneve të artilerisë bregdetare në tokë dhe dy kryqëzorët të bombardonin, nëse do të urdhëroheshin. Nëse shqiptarët do të hapnin zjarr, plani parashikonte që “veprimet hakmarrëse” të zgjasnin rreth një orë.

Fal hapjes së arkivave britanike plani operacional XCU dhe Shtojca XCU ONE u bënë të mundshme për publikun. Sot, ato vërtetojnë plotësisht se më 22 tetor 1946, Britania e Madhe dhunoi sovranitetin e Shqipërisë nëpërmjet një operacioni ushtarak të qëllimshëm, të paramenduar dhe të mirëplanizuar, me karakteristika të dukshme kërcënuese, duke hyrë në detin e brendshëm dhe territorial të Shqipërisë. Ky dyshim ekzistonte qysh gjatë procesit gjyqësor, por Britania e Madhe nuk e dorëzoj planin operacional XCU me justifikimin se përbënin “Sektet të Marinës Britanike”, por edhe Trupi Gjykues i GJND nuk pati vullnetin të detyronte Britaninë e Madhe ta dorëzonte atë.

Se sa i rrezikshëm ishte paraqitja në gjyq e këtij plani, britanikët e dinin qysh në fillim. Në qarqet juridike britanike pati një debat lidhur me paraqitjen e planit operacional XCU në procesin gjyqësor. Ky debat u zhvillua kryesisht në mes të vitit 1948, dhe protagonistët e saj ishin W. E. Beckett, Këshilltar Ligjor në Foring Ofis, Sir. Hartley Shawcross, Prokuror i Përgjithshëm dhe Admiraliati. Pavarësisht optikës si e gjykonin dorëzimin e dokumentit në proces, të gjithë binin dakord se dorëzimi i tij “mund të japi përshtypjen se qëllimi parësor i kalimit nëpër kanal ishte të shikonim nëse shqiptarët do të na godisnin përsëri dhe tu jepnim atyre kënaqësinë nëse e bënin, dhe se kalimi operacional ishte në plan të dytë, ose nëse jo i fshehur. Përshtypja që këto dokumente japin është e vërteta”.

Sir. Hartley Shawcross kishte mendimin se “kjo ishte e qartë. Nëse refuzojnë të zbulojë këto dokumente, atëherë kemi diçka për të fshehur, dhe në gjyq do të kërkohet zbulimi i dokumenteve të këtij karakteri”. Megjithatë, më 18 tetor 1948, Becket i shkroi një letër Shawcross-it ku e njoftonte se, Bevin, Sekretary i Forin Ofisit, kishte marrë vendimin se, nuk duhet rrezikuar duke zbuluar këto dokumente, “sepse sipas pikëpamjes së tij për procesin gjyqësor, ky është vendim më i drejtë dhe më i mirë”.

Në një letër drejtuar Kryeministrit Britanik Attlee, Shawcross shprehet se “operacioni i flotës britanike në 22 tetor të 1946 nuk ishte një kalim paqësor, siç pretendonte flota britanike, por një operacion i mirë menduar, mirë organizuar dhe mirë ekzekutuar deri në çastin fatal, kur anijet ranë në mina”.

Konkluzione

Më 9 prill 1949 Trupi Gjykues i GJND dha vendimin mbi Incidentin e Kanalit të Korfuzit. Lidhur me pyetjen e dytë, “sipas së drejtës ndërkombëtare, a ka dhunuar Mbretëria e Bashkuar sovranitetin e Shqipërisë nëpërmjet veprimeve të marinës se saj në ujrat e Shqipërisë, së pari në ditën e shpërthimit më 22 Tetor 1946 …(….)?”, me 14 vota pro dhe 2 kundër vendosi: “Mbretëria e Bashkuar nuk e dhunoi sovranitetin e Republikës Popullore të Shqipërisë me veprimet e Marinës Britanike në detin territorial të Shqipërisë në datën 22 Tetor 1946”

Mungesa e vullnetit të Trupit Gjykues, si dhe kundërshtitë midis Foring Ofisit dhe Admiraliatit, sollën mungesën e provës më të rëndësishme në procesin gjyqësor për Incidentin e Kanalit të Korfuzit, planit operacional XCU. Nëse ky dokument do të ishte prezantuar në gjyq, pa diskutim GJND do të ishte marrë një vendim të ndryshëm. Tashmë, vendim i GJND është vënë në diskutim, edhe pse ai nuk mund të ndryshoj më. Dokumentat britanike vërtetojnë se Mbretëria e Bashkuar dhunoi sovranitetin e Republikës Popullore të Shqipërisë me veprimet e Marinës Britanike në detin territorial të Shqipërisë në datën 22 Tetor 1946 duke shkaktuar një provokacion ushtarak të paramenduar, të qëllimshëm dhe mirëplanizuar në Porto Edda (Sarandë).

Sa herë që të shkruhet për Incidentin e Kanalit të Korfuzit, dhe procesin gjyqësor rreth tij, do të kujtohet Prokurori i Përgjithshëm i Britanisë së Madhe, Sir. Hartley Shawcross. Pavarësisht opinionit që kishte për incidentin, ai me profesionalizëm dhe patriotizëm mbrojti Britaninë e Madhe në procesin gjyqësor në GJND. Megjithatë, ai do të kujtohet edhe për përcaktimin më të saktë që i ka bërë incidentit. Ndërsa ishte duke mbrojtur në mënyre të shkëlqyer Britaninë e Madhe në GJND, në Hagë, ai i shkruante Kryeministrin Attlee “ Siç shihet, ne mbajmë dyshime të mëdha në lidhje me drejtësinë që është duke u bërë, të cilat ne vetëm mund të justifikojmë me parimin “vendi im …. drejtë apo gabim, është vendi im”. Ne të gjithë mendojmë se ne duhet të insistojmë që rrethana të tilla si këto nuk duhen lejuar të përsëriten.”

You must be logged in to post a comment Login