Letrat e Enver Hoxhës në ’43: Të pamëshirshëm me ballistët

enverhoxha2-780x439

Pushkatimi i 63 ballistëve në Lushnje dhe i 130 karabinierëve të vetëdorzuar dy muaj pas kapitullimti të Italisë, e ka vënë emrin e Mehmet Shehut në qendër të diskutimeve e debateve gjatë këtyre ditëve.

Por, përtej aktit terrorist, autorësinë e të cilit e ka marrë vetë Mehmet Shehu, direktivat se si duheshin trajtuar ballistët dhe forcat italiane pas kapitullimit, në shtator-tetor 1943, duket se vinin nga shumë më lart.

Sot do të sjellim  dy letra të Enver Hoxhës, njëra e 14 tetorit disa ditë para se të ndodhte masakra me 130 karabinierët italianë dhe tjetra e 31 tetorit pak ditë pas pushkatimit të 63 ballistëve në Lushnje.

Letra e parë dëshmon se Hoxha nuk kishte dhënë urdhër për të mos ekzekutuar ushtarët italianë të kapur pas kapitullimit, siç ishte rënë dakord me britanikët(Italia ishte rreshtuar në frontin aleatëve për të luftuar Gjermaninë).

Ai madje shqetësohej se çdo të mendonte populli për këtë bashkëpunim të ri të partizanëve me italianët. Për Hoxhën rreziku i madh ishte Balli dhe terreni që mund të fitonte ai në këtë kohë (gjë që mund të vinte në rrezik pozitat e komunistëve për të marrë pushtetin pas luftës).

Letrën Enver Hoxha ia dërgon Nako Spirut, të cilin në këtë kohë i kishte besuar propagandën. Ai e porosit Spirun që të botojnë artikuj e thirrje kundër Ballit dhe i nënvizon që të shkruaj edhe për italianët. “Theksoni që ata elementat përgjegjës italianë ne as nuk i kemi lënë dhe as do t’i lëmë por do t’i gjykojë gjyqi i popullit dhe do t’i ekzekutojë. Jepni shëmbëll atë Kapitenin italian në Durrës etj, po të kini etj, etj, këto janë disa sugjerime të mijat se mund të kini të tjera ju andej…”, shkruan ndër të tjera Hoxha, duke nënkuptuar këtu se ata italianë që në kohën e luftës kishin vrarë komunistë, ata s’do ti falnin tani që do ju binin në dorë, edhe pse të vetëdorëzuar.

Letra e dytë është shkruar nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu dhe është një qëndrim i shpejtë, menjëherë pas ngajrjes së rëndë në Lushnje. Lajmi i vrasjes së 65 ballistëve kishte mbërritur në Shtabin e Përgjithshëm para raportit të Brigadës I. Shtabi nuk kishte qenë dakord me vrasjen, pasi kishte bërë bujë në popull dhe mund të kishte impakt negativ për ta.

Por edhe në këtë pozitë, në letrën e tyre Hoxha dhe Moisiu theksojnë se ndaj ballistëve s’duhej patur mëshirë.
Më poshtë i sjellim të plota të dy dokumentet.
Ad.Pe.

Dokumenti 1

14.10.43
I dashuri shok deti,
I kemi marrë të dy letrat e tua të fundit si dhe atë të Dr. dhe të gjitha ç’keni nxjerrë nga shtypi, si juve ashtu dhe ato fletushkat e Ballit. Balli Kombëtar me të vërtet ka filluar fushatën kundrejt nesh.

Kjo fushatë simbas mendimit t’em është një fushatë sistematike dhe tipike fashisto-naziste. S’është aspak çudi që këtë ta drejtojë një njeri i regjur i Gestapos, i cili do t’i mësojë këta tradhtarë dhe do t’ju japij metoda se si duhet të lëftojnë komunizmin dhe partinë tonë.

Sigurisht traktin e tyre të fundit e ka kënduar me vërejtje dhe atje duket ashiqare që lufta e tërë drejtohet kundra komunizmit, Partisë tonë dhe në fund të traktit ata shkruajn: “Po ja u themi dhe ma kiartë: Partija Komuniste mbaroj qëllimin e vet që qe ay i luftës kundra fashizmit etj…” kjo e tregon açik që për këta bukurosha lufta ka mbaruar, dhe që Gjermaninë as që e konsiderojnë si anmik, por që tash për ta ka ardhur koha e një lufte ideologjike si në një Shqipëri të lirë e demokratike. Asnjë fjalë nër traktet e tyre kundra okupatorit gjerman.

Kjo do të thotë shumë. Prandaj çështjen e Ballit duhet ta marim seriozisht dhe të mos biem në grackën që kërkojnë të na ngrehin duke na thënë se kjo po merr formën e një polemike. Jo kjo s’duhet të jetë polemikë por luftë tamam si kundër ju bëhet agjentëve të gestapos, pse ata s’janë tjetër. Ne ay trakt ka shumë gjëra që duhet të merren veç e veç dhe të goditen njëra pas tjetrës.

Përveç të tjerave, çështja e italianëve ku na thonë se jemi përqafuar. Me ba një artikull ku me theksua se kur duhesh luftuar Italia, Balli bënte kompromis me Dalmacon, dhe komandantat e Ballit firmonin akte të tilla me okupatorin (kjo e Mallakastrës të cilën botohen tok me ndonjë artikull të veçantë që ta demaskojë atë pjesën e Traktit ku flitet për heroizmat e çetave të Ballit në Mallakastrë) dhe tash që Italija kapitulloj, tash që aliatët e njofën si një bashkëluftëtar që i deklaroj luftë Gjermanis, Balli i ka hapur luftë, bash tok me gjermanët. Theksoni që ata elementat përgjegjës italianë ne as nuk i kemi lënë dhe as do t’i lëmë por do t’i gjykojë gjyqi i popullit dhe do t’i ekzekutojë. Jepni shëmbëll atë Kapitenin italian në Durrës etj, po të kini etj, etj, këto janë disa sugjerime të mijat se mund të kini të tjera ju andej, po vetëm në këtë frymë të jetë artikulli. Edhe ne do të bëjmë një artikull këndej edhe mundësisht një trakt: të famshmin trakt që i kishin ngarkuar Sejfullahut që të bënte nga ana e këshillit më të famshmet pika të bashkimit.

Mund të shkruhet dhe një artikull i vogël duke marrë për temë atë shënimin e Traktit të Ballit ku thotë: “Lajmërojmë se personeli i zyrës së redaksis së Ballit etj, etj, ndrohet…” ku të thuhet se s’ishte nevoja me na lajmërue për këtë ndryshim pse me ardhjen e hitleristëve duhet të ndrohen dhe njerzit e taktika. Tash këta njerës kanë marë përsipër të shajnë Stalinin, Bashkimin Sovjetik, komunizmin, Partinë Komuniste, të shajnë luftën partizane. Këta nxënësit e denjë të Gobelsit e bëjnë mirë shërbimin. Populli dhe ne mbajmë shënim, për këto gjëra. Këto dokumenta do të jenë prova për gjyqin e ardhshëm kundra atyre që shërbejnë okupatorin. Të thuhet se sigurisht shpejt do të vijë dita që balli Kombëtar, fole e poshtërsive dhe e tradhtis do të dezertohet prej të gjithëve dhe më parë prej atyre që bëjnë këto manovra të poshtra, pse do të shohin se ju dolli boja me këtë maskë, por emrat e atyre që bëjnë këto poshtërsira i kemi shënim që nga Lumo Skëndua deri te Ramazan Jarani me shokë, dyke kaluar prej Skënder Muços e Isuf Luzajt.

Çështjes së Beratit shoku Nako, është mirë të mos i veç pikën po të zgjidhet sa më parë. Tre katër letra i kemi shkruar Gjin Markut asnjë përgjegje s’kemi. A dërgove njeri të fjaloste me gojë me të sikundër që të shkruanim? Si do t’i përgjigjemi Ballit? Për kompromisin e Azizit në qoftë se e keni të sigurt pse nuk e demaskoni, ç’prisni. Mos leni asnjë rast.

Për çështjen e direktivave që do t’i jepni rinisë është e mira që të na i çoni dhe ne këtej t’i dimë dhe ne seç dërgohen. Natyrisht jo ato pa kurfar rëndësije, por të gjitha ato që kanë një rëndësi. Për çështjen e K.Q. të rinis bisedova dhe me Alinë dhe që të dy jemi të një mendimi që ay të mos shtohet po të mbetet aq sa është do me thënë prej pesë vetësh. Ata që propozon ti mund të jenë si kandidatë, por jo në K.Q. Më von shohim dhe bëjmë. Sa për anëtarët e Partis që po dërgon në Vlorë na shkruaj dhe ne kush janë këta që t’i dimë dhe ne.

Letrat që kemi çuar për krahinat e ndryshme a janë dërguar? Na lajmëroni. Për stilon që më dërgove të falem nderit ishte shumë e mirë pa le që shkruan bukur. Por shiko or Zgjebe se po më fre dot në dorë do të ta nxjerr shpirtin.

Kaq për sonte të fala
Taras
Kjo është komunikata e Pezës.
Këtë dokumentin e Mallakastrës mos e humbisni. Kopjojeni dhe na i çoni. I kopjonim dhe ne këtu, po …………………………………. që kemi kërkuar po vjen. Kini kujdes te ky dokument.
Të fala
Taras
14/10/43
Nesër do të të shkruaj më gjatë.

letrat e enverit

Dokumenti 2

Më 31 Tetor 1943

Komandës së Brigadës së Irë të Ushtëris Nacional Çlirimt
Pozita.

Të dashur shokë,
Kemi mjaft kohë që s’kemi marë letrë nga ju. Dëgjojmë nga populli veprimet që keni bënë kundra çetave të Hamit Matjanit dhe të tjerëve Ballista, por dëshirojmë të kemi raporte të imta nga ju si edhe një komunikat për ta shtyp.

Kemi marë vesh gjith ashtu, dyke mos edhe dhënë si gjë të sigurt se janë egzekutuar gjashtëdhjet vetë nga ata të Hamit Matjanit që janë zënë robër prej Brigadës. Duhet të keni kujdes në exekutimet[1] që po bëni. Të gjith ata që janë përgjegjës dhe që na kanë deklaruar luftë, qofshin në Ball qofshin në ndo[n]jë organizatë tjetër jashtë lëvizjes nacional-çlirimtare, pasi të gjykohen të meren masat e duhura në lidhje me fajet që kanë bërë.

Të gjith Ballistat përgjegjës dhe që poshtërsisht po na lëftojnë, as një mëshirë kundër tyre; sa për katundarët që janë në çetat e Ballit, të mos meren masa të rrepta, përveç atyre që janë fajtorë. Duhet të shikoni se masat e rrepta, si dënime me vdekje kundër katundarëve të gënjyer dhe të futur në çetat Balliste, do të kenë konsekuenca jo të mira për lëvizjen t’onë.

Pse katundari, i pa edukuem, i lidhur ngushtë me traditat e vjetra e miqësit patriakale, nuk është shumë fajtor dhe koshient për punën që bën. Nga ana tjetër Brigada e jonë duhet njëkohësisht tu futij tmerrin armiqve por edhe të mos krijohet në radhët e Katundaris, bazat e shëndosha tona, një ide jo e vërtetë për Brigadat t’ona. Këto direktiva duhet ti merni në studim dhe të zbatohen. Brigada duhet të jetë tmer për armiqtë dhe symboli i drejtësis për popullin.

Komandanti i Shtabit të Përgj.
[Spiro Moisiu]
Komisari Politik
[Enver Hoxha]

(AQSH, F. 41, V. 1943, D. 4, Fl. 14)

letrat e enverit

letrat e enverit

You must be logged in to post a comment Login