Krijohet Fondi i Ballkanit Perëndimor, mbështetje e projekteve të përbashkëta rajonale

20160905151937265646

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ngritur një urë të re bashkëpunimi përmes krijimit të Fondit të Ballkanit Perëndimor (FBP), i cili vlerësohet të ketë një impakt pozitiv në rajon, që do ta shtrijë e pasurojë në formë e në përmbajtje bashkëpunimin rajonal.

FBP është një Organizatë Ndërkombëtare e themeluar nga qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnje Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni dhe Serbi, që e bën atë të parën organizatë ndërkombëtare me seli në Tiranë.

Strukturat kryesore të Fondit janë: Këshilli i Ministrave të Jashtëm, si organi më i lartë vendimmarrës, Këshilli i Zyrtarëve të Lartë, Sekretariati dhe Drejtori Ekzekutiv. Selia e Sekretariatit të Fondit është në Tiranë.

Drejtori Ekzekutiv i Sekretariatit të FBP-së Gjergj Murra, në një intervistë për ATSH-në theksoi se qëllimi i Fondit është nxitja e bashkëpunimit ndërmjet vendeve anëtare, forcimi i lidhjeve midis tyre, promovimi i vlerave të përbashkëta mes qytetarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve të rajonit, duke tentuar forcimin e kontakteve mes njerëzve. ”Këto qëllime,- shprehet Murra, Fondi synon t’i realizojë përmes mbështetjes së projekteve të përbashkëta, si rruga më e mirë për të afruar njerëzit, për të shkëmbyer eksperiencat e ndërsjella, për të njohur më mirë vlerat, traditat dhe kulturën e vendeve respektive”.

Për Shqipërinë, ky është një moment i rëndësishëm, jo vetëm se është pjesë e këtij bashkëpunimi, por edhe sepse selia e Fondit është vendosur të jetë në Tiranë, e para organizatë e tillë në vend. Vendet pjesëmarrëse kanë vendosur që edhe drejtori i parë ekzekutiv do të jetë po nga Shqipëria.

Sipas Drejtorit, procesi i përgatitjes dhe zbatimit të projekteve nga aktorët rajonalë, përfaqësues të shoqërisë civile, komunitetit të biznesit, institucioneve lokale etj, do t’ i shërbejë rritjes së kapaciteteve për të përgatitur në të ardhmen projekte më të mëdha e komplekse.

FBP, sipas tij, do të financojë projekte të vogla dhe të mesme që synojnë rritjen e bashkëpunimit rajonal, ndërkufitar dhe forcimin e kohezionit rajonal në fusha kyesore si: edukimi, arsimi, mbrojtja e mjedisit, të drejtat e njeriut, kultura, shkëmbimet ndërkufitare dhe bashkëpunimi rinor.

“Të gjithë e pranojnë që rajoni ynë ka arritje, ka procese bashkëpunimi që vitet e fundit janë bërë më konkrete e komplekse veçanërisht në kuadër të Procesit të Berlinit. Por në Ballkan ka ende paragjykime, ndasi e deri plagë të hapura dhe sa më mire të njohim njëri-tjetrin, sa më ngushtë të bashkëpunojmë në kuadër të projekteve të përbashkëta, aq më mirë do të dimë të bashkëpunojmë në të ardhmen”, nënvizoi Murra.

Ai veçon se një ndër objektivat kryesorë të Fondit është bashkëpunimi rinor. “Ne do të promovojmë veçanërisht ato OJQ që do të jenë rinore si në idetë që kanë, edhe në përbërjen e tyre”. Për këtë arsye, edhe mekanizmi i aplikimit për financim projektesh synohet që të jetë i thjeshtë dhe i arritshëm, si për individët, ashtu edhe për organizatat rinore, rrjetet rajonale të shoqërisë civile, komunitetin e biznesit, institutet kërkimore dhe akademike, etj.

Projektet e financuara nga Fondi do të kërkojnë bashkëfinancimin e aplikuesve dhe çdo projekt duhet të ketë pjesëmarrje nga të paktën tre vende të Ballkanit Perëndimor.

Buxheti i FBP-së do të krijohet nga kontributet e vendeve anëtare në kuota të barabarta si dhe nga fondet e përfituara nga vendet donatore, organizata apo burime të tjera.

Fondi pritet të shpallë thirrjen e parë për projekt-propozime në fillim të vitit 2017.

You must be logged in to post a comment Login