“E strukur në mendësinë dhe trupin e një femre shqiptare që përjeton Luftën e Kosovës.”

14287676_1763801150542340_942762789_n

 

 

Nga – Mimoza Tocilla

E di…

E di se jam vet’, ku në errësinë’ mbi trupin tem’ gëlojnë monstrat, gëlojnë shkijet, Gëlojnë.

E di se jam vet’, kur s’kuptoj gjuhën e ktyne’ e n’vend t’pshtymës Nxjerr gjak, nxjerr vrer.

E di se m’ka kaplu’ vetmia, kur askush s’ma ve dorën te balli, me m’vet se n’çfarë gjendje jam, e çka po m’mundon.

E di…s’po di unë tash çka di! Se kjo rrokullimë, kjo katrahurë përmbys çdo mendim. Atje te flaka e zjarrit, e vetmja dritë, atje e kam rujt’ shpresën. Afrohna’, nxjerr durt’ e mia që shtrohen aty pari, si me ra përtokë me lyp lëmosh’. Ngrohna’, por zemra rri ftohtë.

E di se kam me dal prej ktuhit’, e kanë me m’hedh n’gzhoja t’ktyne barbarëve, mizorëve. E di, po po, e di! N’sy do ta shoh armikun e përjetshëm e do t’i thom se me shqiptarin s’luhet, e me përdhunë, s’kallzohet burrnia.

Kanë me lujt’ me mu’ n’kufi, e kanë me m’çvesh para botës. Kanë me m’rreh para vllavit t’vogël që motra e ka msu’ mos me vnu’ dorë n’femën.

Kqyre, kqyre t’voglin e motrës Trimin, ia ka shkëput dorën barbarit e po vjen kah’ unë. Por jo more, kta’ s’kanë mëshirë. Ma vranë para syve të mi’,..e mu’.. Mu’ qysh m’u mbyll goja, qysh m’u thanë durt, more kallzomni!

Ah Trim, Trimi i motrës, kapma dorën! ..Po Trimin s’e lanë ngat meje, ja fshehin kufomën. Ah Trim, Trimi i motrës.

Unë prap e di! E di se vetëtima ka me ardh shpejt e ka me rrënu’ jo veç vendin tonë, por edhe mendimet. Ka me na lan’ shtang, pa fjalë, pa na kërku’ aprovim. Kanë me lujt’ me ne, more..derisa britma ka me shku te Zoti, e ka me i tregu’ për pafajsinë e popullit tonë.

Gëlon kjo frymë çetnike, gëlon!

Era armaturë kutërbon në rrugët e qytetit tem’, diku digjen shpija’, diku vija e ujit bashkë me mbetjet sjell gjak, lundron gjaku jonë, lundron bashkë me andrrat..

Prit! Po m’afrohet egërsina e po lshon lajm te tjerët: ‘Ubij Siptar, Ubij!’. E di se çka don’ me than’, se me qat’ fjalë kan’ lujt me ne. S’e kena besu’. E kam lshu’ veten në mëshirë t’Zotit, e i kam than’ *ti kriminel s’ke shpëtim*, megjithëse shpëtim, s’kisha unë.

E aty te soba, te drita, aty e kisha rujt’ shpresën. Aty ku sytë u çelshin, …dojshin dritë!

You must be logged in to post a comment Login