“Shtatë ligjet t’i bëjnë ekspertët, jo ambasadorët dhe politikanët”

fehmi-620x419Nga Isuf Kurtaj

Ish-Kreu i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, njëkohësisht një nga hartuesit e ligjit themeltar të shtetit, deklaroi në një intervistë për gazetën “Shekulli”, se shtatë projektligjet nuk duhen bërë nga politika dhe ndërkombëtarët, pasi sipas tij rrezikojnë ta bëjnë në mënyrë sektare. Abdiu kërkon që 7 projektligjet të bëhen nga ekspertët dhe specialistët, dhe nënvizon se vetëm këta do të mund ta bënin gjyqësorin të qëndrueshëm dhe të besueshëm.

“Duhet t’i ruhemi qëndrimit ekstrem sepse nga detajet e projektligjeve që kam parë ditë më parë kam vërejtur se ka shumë gabime të pafalshme dhe qëndrime ekstreme”, tha Abdiu. Duke marrë shkas nga vërejtjet që ka bërë PD-ja për draftin e OPDAT dhe EURALIUS për çështjen e kritereve përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Abdiu thotë se një penalizim i tij është një vendim ekstremist dhe i panjohur në asnjë vend të botës. Ish-Kreu i Gjykatës Kushtetuese ka kritikuar dhe mesazhet “kërcënuese” që ambasadorët Lu dhe Vlahutin i kanë dërguar deputetëve shqiptarë. Ai i rekomandon atyre që të bëjnë diplomaci dhe jo politikë në vendin tonë.

Profesor Abdiu, Kuvendi miratoi me vota unanime reformën në drejtësi. Tashmë jemi në një fazë tjetër, atë të kopsitjes së shtatë projektligjeve, të janë cilësuar po aq të rëndësishme sa arritja e konsensusit. Cili është vlerësimi juaj për këtë proces të dytë?

Beteja më e rëndësishme që do dëshmojë të vërtetën se sa e drejtë e pastër ka qenë angazhimi të gjithë palëve është faza e dytë. Duhet theksuar se reforma nuk është kjo që ka bërë deri sot Parlamenti. Ajo që ka bërë Parlamenti deri sot është një punë që duhet vlerësuar, por duhet theksuar se është vetëm fillimi që i ka hapur dritën jeshile punës së vërtetë të reformës. Tani është momenti që Parlamenti të ruhet nga disa rreziqe. Roli i politikës dhe i politikanëve pas miratimit të 7 ligjeve që pritet të bëhen, duhet të jetë më pak protagonist se sa roli që duhet të marrin tani e tutje ekspertët e kualifikuar që njohin mirë doktrinën kushtetuese dhe standardet kushtetuese sa i përket emërimit, vlerësimit, rivlerësimit, shkarkimit dhe çdo hollësie tjetër që ka të bëjë më gjyqtarët dhe prokurorët.

Tani e tutje nuk duhet të bëhet luftë nga politikanët se kush duhet vendoset dhe kush jo. Kjo duhet bërë nga ata që e njohin praktikën kushtetuese dhe ligjore. Pse e them këtë? E them se dhe në vitin 1992 folëm për reformë, por aty ishte Sali Berisha dhe ekspertët e tij, një pjesë e të cilëve janë dhe sot ekspertë. U vendosen njerëz pa përvojë dhe pa seriozitetin e duhur. Për sa i përket këtij procesi sot kërkohet që të vendosen persona që e njohin realisht drejtësinë si dhe praktikat ndërkombëtare.

Të mos përsëritet viti ’92. Pra duhet t’i ruhemi qëndrimit ekstrem, sepse nga detajet e projektligjeve që kam parë ditë më parë kam vërejtur se ka shumë gabime të pafalshme dhe qëndrime ekstreme. Nuk duhet të bëjmë siç bëmë me ligjin e dekriminalizimit i cili akoma pa hyrë në fuqi nxori probleme pasi filluan sugjerimet dhe atakimet sa dhe partitë kryesore thanë se ai ligj është anti-kushtetues  dhe për interesa pragmatiste. Nuk na duhen ligje si ato që janë bërë deri më sot

Cilat janë rezervat që keni për shtatë draft-ligjet?

Shtatë projektligjet janë më të rëndësishme se ato që janë bërë deri më tani. Janë shtatë projektligjet fondamentale të drejtësisë. Sido që të trajtohet ky ligj politikanët dhe ekspertët duhet të bëjnë çmos që ky ligj të jetë në harmoni me kontekstin që ka ligji kushtetues të sapo miratuar, sepse nëse vazhdon me këtë frymë patjetër do të bëhet objekt shqyrtues në Gjykatën Kushtetuese pasi nuk mund të lejohet kurrsesi. Duhet të bëjnë përpjekje që punojnë shumë që të mos lejojnë që çështja të shkojë në Gjykatë Kushtetuese. Duhet të harmonizohen plotësisht me boshtin kushtetues. Këto që kanë bërë politikanët me shtatë ligje janë qëndrimet sektare që as në kohën e diktaturave nuk mund të ishin hapur.

Cili është qëndrimi juaj për kriteret që kanë vendosur në draftin e tyre EURALIUS dhe OPDAT për sa i përket përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve?

Ata që duhet të vijnë në krye të drejtësisë si kusht kryesor është që të jenë më të mirë se sa ata që do të largohen nga drejtësia. Patjetër që në ligj duhet të përcaktohen rigorozisht dhe me hollësi dhe detaje (ligji është zbërthim i kushtetutës) roli i monitoruesve, roli i organeve që merren me kontrollin e pasurive si dhe të drejtat që duhet të kenë gjyqtarët dhe prokurorët. Është mëse normale që gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kenë të drejta për tu ankuar kundër veprimeve që do të ndërmerren ndaj tyre. Krahas vendimet të drejta që do të vendosen në miratimin e ligjeve unë mendoj dhe do të ketë vendime sektare ndaj elementeve të veçantë ndaj duket të lejohet e drejta për tu ankuar. Nëse nuk bëhet kjo nuk kemi bërë ligj demokratik. ky është koncepti kushtetues.

Në një nga pikat e draftit të ndërkombëtarëve thuhet se gjyqtarët që kanë qenë të angazhuar në aktivitet politik gjatë 10 viteve të fundit nuk do të kenë mundësi të jenë pjesë e garës. Si ju duket kjo pikë?

Është tërësisht e padrejtë që një gjyqtar të penalizohet vetëm pse ka qenë aktiv në politikë. Ky argument nuk qëndron dhe më duket i padrejtë. Eksperienca dëshmon se edhe jashtë gjyqtarët janë angazhuar më parë në politikë. Ose hiqi nga drejtësia dhe të merren me politikë ose rikthehen nga politika në drejtësi. Ata janë të lirë të zgjedhin se ku duan ta vazhdojnë karrierën e tyre. Ka shumë që janë shquar dhe janë dalluar si juristë dhe në politikë dhe në drejtësi. Nuk ka sens që të mos lejohen të konkurrojnë persona të dalluar që kanë qenë të angazhuar në politikë. Është gabim. Kalimi i juristëve nga politika në gjyqësor nuk përben shkelje në asnjë të drejtë ndërkombëtare.

E theksuat më lart se këto shtatë projektligje duhet të bëhen nga ekspertët dhe jo nga politikanët. Çfarë doni të thoni me këtë?

Duhet të jenë fryt i një ekspertize profesionale. Ambasadorët të pushojnë. Le ta shohin procesin nga bregu. Të vijojnë të merren me parime. Nuk kanë pse vijojnë të jenë prezentë me deklarata pompoze. Po ashtu dhe politikanët të mos fusin duart te ligjet që po bëhem. Meqë janë “këputur” për të arritur konsensusin, tashmë kanë mbaruar punë. Ka ardhur koha që të dëgjohet zër i njerëzve që e njohin problematikën që ka të bëjë me jurispodencën. Kriteret për zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të vendosen nga politikanët. Kriteret vendosen njëherë dhe nuk ndryshojnë për shumë vite. Nuk vendosen sot për t’i ndryshuar nesër. Siç e kanë nisur këta me këto shtatë ligjet, Parlamenti që vjen do të detyrohet të bëjë amendamente menjëherë për ti ndryshuar siç është bërë deri sot me të gjitha ligjet.

Si i komentoni “kërcënimet” që bën ambasadorët Lu dhe Vlahutin ndaj deputetëve të kuvendit të Shqipërisë me datën 21 korrik, ku i kërkuan që ta votojnë me çdo kusht reformën në drejtësi?

Kanë qenë shumë të përkushtuar gjatë kësaj kohe dhe për këtë i vlerësojmë por sa i përket angazhimit të tyre unë mendoj se duhet të ketë një masë protagonizmi. Duhet të ketë një vijë ndarëse midis diplomacisë që ata janë zgjedhur të bëjnë dhe ndikimit politikë që janë munduar të shfaqin në këtë rast. Diplomacia duhet të ndahet nga politika. Nuk mund të kërcënohen deputetët e një vendi tjetër aq më tepër kur bëhet fjalë për të miratuar ligje. Përpjekja e tyre për të ofruar palët drejt konsensusit është një gjë pozitive por pjesa tjetër ku ato mundohen ti detyrojnë deputetët që ti miratojnë ligjet nuk më duket e drejtë. ligjet janë në fuqi edhe pasi të kenë ikur nga detyrat e tyre ambasadorët. Çfarë do të ndodhte nëse ambasadorët që do të vijnë të vazhdojnë me të njëjtin avaz ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Fehmi Abdiu, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Mban gradën profesor Doktor dhe aktualisht është pedagog i së drejtës.

You must be logged in to post a comment Login