Strukturimi i dhomave shqiptare të tregtisë dhe industrisë sipas modelit gjerman

Kolë Gjoka, përfaqësues i Dhomës së Tregtisë e Industrisë së Tiranës mbi përparësitë e modelit gjerman në reformimin e Dhomave të Tregtisë në Shqipëri si edhe nevojën e standartizimit të shkollave profesionale.

kgj

Kolë Gjoka

Kolë Gjoka, përfaqësues i Dhomës së Tregtisë e Industrisë së Tiranës dhe anëtar i kryesisë së Deutsch-Albanische Wirtschaftsgesellschaft flet për Deutsche Welle-n mbi projektet gjermano – shqiptare në fushën e biznesit, si dhe nevojën e standardizimit të shkollave profesionale.

DW: Ju keni zhvilluar ditët e fundit një takim pune me sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit, Hans-Joachim Fuchtel. Cilat kanë qenë çështjet kryesore për të cilat keni diskutuar?

Kolë Gjoka: Në aktivitetin tim në Gjermani unë kam kontakte me përfaqësues promimentë të politikës gjermane apo asaj europiane, ku integrimi europian i Shqipërisë dhe përmirësimi i klimës së biznesit e rritja e investimeve të huaja janë prioritare. Në fokus të takimit me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit, zotin Fuchtel, ishin vlerësimet e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe rrugët e sfidat e thellimit të tyre. Në prezantimin e projekteve të reja nga ana jonë, ajo që mori pjesën kryesore të diskutimit ishte mbështetja e palës gjermane për procesin e reformimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri.

DW: Ju keni dy dekada që jetoni dhe punoni në Gjermani dhe prej më shumë se dy viteve jeni përfaqësues i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Hamburg dhe Schleswig-Holstein. Çfarë angazhimi konkret keni ju në partneritetin mes dy vendeve?

Kolë Gjoka: Misioni im si përfaqësues i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës është sigurimi i një partneriteti strategjik me Dhomën Federale të Tregtisë dhe Industrisë, vendosja e urave të bashkëpunimit mes biznesit shqiptar dhe gjerman. Shikoni, puna lobuese dhe ndërgjegjësuese për hir të së vërtetës duhet thënë se nuk është e lehtë. Ka pasur shumë folklorizëm dhe pak gjëra konkrete. Po t’i kthehem takimeve të fundit që zhvilluam në Berlin me z. Fuchtel dhe me zyrtarët e lartë të Dhomës Federale të Tregtisë dhe Industrisë, DIHK, e them me plotë gojën se ato ishin të suksesshme. Prezantimi nga ana e zëvendëspresidentit të Unionit të Dhomave të Shqipërisë z. Arben Shkodra të strategjisë dhe vizionit që kërkojmë të ndjekim, ka ndikuar te homologët gjermanë dhe zyrtarët në fillimin e një bashkëpunimi serioz, strategjik dhe afatgjatë. Ne jemi të bindur se bashkëpunimi mes bizneseve gjermane dhe atyre shqiptare përshpejtohet dhe garantohet nga kooperimi në baza të shëndosha mes organizatave tona. Ky ishte dhe një nga thekset e bisedës me z. Fuchtel. Gjatë vizitës së tij të pritshme në Shqipëri, në fund të muajit tetor të këtij viti, pjesë e agjendës së Sekretarit të Shtetit do të jetë dhe bashkëpunimi mes dhomave të tregtisë.

Kolë Gjoka në takim me Kancelaren Merkel gjatë vizitës së saj në Tiranë

Kolë Gjoka në takim me Kancelaren Merkel gjatë vizitës së saj në Tiranë

DW: Si po ecën procesi i adaptimit të formës së organizimit të dhomave të tregëtisë në Shqipëri sipas modelit gjerman?

Kolë Gjoka: Nuk jemi në terren teorik, ose të artikulimit të fjalëve. Kemi lëvizur për këtë objektiv thelbësor tonin. Nëpërmjet prezantimit të planeve strategjike të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, por dhe duke kërkuar përvojën e ngritjes së Dhomave në ish-Gjermaninë Lindore, DDR. Angazhimi i ekspertëve gjermanë është një ndihmë shumë e madhe për ne. Pas shumë përpjekjesh të drejtpërdrejta por edhe të tërthorta, them me bindje se po lëvizim në drejtimin e duhur. Shpresoj që së shpejti të kemi dhe mbështetjen e deputetëve në parlamentin e Shqipërisë, që ata të miratojnë ligjin e ri të dhomave të tregtisë si në diskutimin në nivel komisionesh ashtu dhe në votimin në seancë plenare.

DW: Në raportet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë ka shumë vend çështja e përhapjes së arsimit profesional. Cili është roli i dhomave të tregtisë në këtë aspekt?

Kolë Gjoka: Kam vënë re se për çështjen e arsimit profesional zyrtarët shqiptarë diskutojnë dhe me përfaqësues nga vende të tjera, me spanjollët, turqit, grekët, austriakët etj. Dhe të gjithëve ju pohojnë pak a shumë se do të aplikojmë modelin tuaj. Personalisht, ashtu si dhe për shumicën e ekspertëve europianë, jam me mendimin se sistemi gjerman i arsimit profesional, Duale Ausbildung, është sistemi i suksesit. Shkalla e ulët e arsimimit profesional në Shqipëri është një pengesë serioze për afrimin e investitorëve. Investitori kërkon krahë pune të gatshme, të kualifikuar dhe profilizuar. Gjithashtu arsimi profesional në Shqipëri ka edhe një problem madhor. Ai drejtohet dhe menaxhohet nga ministria dhe jo nga biznesi nëpërmjet dhomave të tregtisë. Më së miri biznesi e di se ku janë nevojat për krahë pune të kualifikuar. Nga ana tjetër, është pikërisht biznesi që duhet të bashkëpunojë për të siguruar praktikën profesionale. Për mendimin tim, sa më shpejt të jetë e mundur , arsimi profesional duhet të kalojë në varësi direkte të dhomave të tregtise. Kjo është edhe një kërkesë e partnerëve tanë këtu.

DW: Ju z. Gjoka jeni duke mbështetur dhe projekte që lidhen me vendlindjen tuaj, Mirditën. Në cilën faze të konkretizimit janë?

Prej një kohe të gjatë jam në përpjekje maksimale për realizimin e disa projekteve mbështetëse edhe në vendlindjen time Mirditë. Njëri prej projekteve është “Mirdita informatike”, që është në fillesat e veta, si realizim bashkëpunues edhe me Bashkinë e Mirditës dhe Shkollën Profesionale “Shen Josefi Puntor” në qytetin e Rrëshenit. Projekti ka tre shtylla kryesore: laboratorë të informatikës; laboratorë të gjuhëve të huaja (gjermanisht); biblioteka funksionale në të gjitha shkollat e Mirditës. Një projekt tjetër është zbatimi i partneritetit mes Dhomës së Zejtarisë së Dortmundit – Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës- Shkollës Profesionale “Shen Josefi Puntor” në Rëshen. Projekti është miratuar dhe shumë shpejt fillon implementimi. Në fazën e zhvillimit të idesë është projekti për ngritjen e një “fshati” pushimi për nxënësit, studentët dhe moshën e tretë, i paraparë të ndërtohet në fshatin piktoresk Nënshet të Mirditës. Ndërkohë që projekteide të tjera po i ndjekim dhe vlerësojmë me shumë vëmendje.

You must be logged in to post a comment Login