Gjyqi ndaj Kastriot Ismailajt, “zhduket” dëshmitari

Kastriot-IsmailajIsh-drejtor ekzekutiv i kompanisë DIA, Elvis Mataj “braktis” mbrojtjen e posaçme policoredhe “zhduket” pa gjurmë. Burime nga Njësia e Specializuar Task Forcë pranë Prokurorisë së Tiranës mësohet se Mataj, i cili qëndroi në mbrojtje për disa kohë është larguar nga vendi, transmeton Gazeta Shqiptare. Matajtndodhet në listën e gjatë të dëshmitarëve që pritet të rrëfehen në procesin penal ndaj Kastriot Ismailajt, biznesmenit nën akuzë për skandalin “CEZ-DIA”.

Procesi ndaj Ismailajt është në fazën e paraqitjes së provave të prokurorisë, çka pritet të thirret për të dëshmuar edhe Mataj, i cili nëse nuk gjendet pasi ka ndërprerë çdo kontakt me institucionet, atëherë prokuroria do të jetë e detyruar të kërkojë leximin e dëshmisë së tij në proces. Në fakt, braktisjen e mbrojtjes se posaçme e pohuan për “GSH” edhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët nuk preferuan të japin detaje të mëtejshme.

Mataj u vu në mbrojtje policore, pasi pretendonte se kishte fakte e prova që do të hidhnin dritë mbi skandalin CEZ-DIA, ku bëhej fjalë për një skemë të pastër mashtrimi në mbledhjen e borxheve të CEZ. Në fakt, ai asnjëherë nuk mori statusin e bashkëpunëtorit apo dëshmitarit të drejtësisë, pasi prokuroria nuk e konsideroi dëshminë e tij me shumë interes për procesin. Mbrojtja policore iu garantua për shkak të dyshimeve se i kanosej rrezik për jetën, pas dëshmisë që kishte dhënë në gjykatën e Arbitrazhit, ku ndër të tjera kishte rrëfyer marrëdhëniet e tensionuara me biznesmenin Kastriot Ismailaj dhe kërcënimet që ky i fundit i kishte bërë për jetën.

Disa muaj më parë në televizionin “News 24” u publikua një video, ku dëshmitari nën mbrojtje policore, Elvis Mataj ishte kontaktuar dhe takuar nga një jurist i OSHEE. Në pamje, duket qartë momenti kur Mataj shkëputet nga forcat RENEA dhe ulet me juristin e institucionit. Ky i fundit nuk pranon që biseda mes tyre të zhvillohet në praninë e të tretëve si dhe nga ana tjetër largon celularët dhe çantën e Matajt. Juristi i OSHEE deklaroi publikisht se nuk kishte bërë asnjë kërcënim në drejtim të ishdrejtorit ekzekutiv të kompanisë DIA, megjithatë Mataj vazhdoi të mbahej sërish nën mbikëqyrjen e specialëve të RENEA.

Ndërkaq, Prokuroria e Tiranës, pas një hetimi më shumë se njëvjeçar akuzoi Kastriot Ismailajn se përmes një skeme mashtrimi kishte përvetuar shumën prej 5 milionë eurosh sipas një kontrate të kompanisë DIA me CEZ për mbledhjen e borxheve të kompanisë çeke. Ismailaj, një pjesë e pasurisë së të cilit është konfiskuar me vendim gjykate, akuzohet edhe për pastrim parash, pasi nëpërmjet kompanisë tjetër ADC, të krijuar po prej tij, ka transferuar shuma të konsiderueshme parash drejt vendeve që konsiderohen si “parajsa fiskale”. Aktualisht në Gjykatën e Tiranës vijon procesi ndaj biznesmenit Ismailaj, të cilit iu refuzua kërkesa për gjykim të shkurtuar.

You must be logged in to post a comment Login