“E vërteta e ‘Audit të verdhë’, si e mora vesh se kërkohesha nga policia

audiiiiiiiii

Fotoja e tij bëri xhiron e mediave, si pjese e bandës së “Audit te verdhë” në Itali, ndërkohë që konsiderohej një nga më të kërkuarit nga policia.

paloka-altin

21­vjeçari Altin Paloka nga Miltoti tregon se çfarë ka përjetuar në momentin kur ka marrë vesh lajmin si dhe u bën thirrje autoriteteve italiane të zbardhin sa më shpejt këtë çështje. Ai ka shkuar të dorëzohet kur ka parë që ishte në kërkim, por policia italiane e ka lënë të lirë duke i thënë se “çështja po hetohet”. Ja çfare rrëfen ai në një intervistë dhënë për “Gazeta Shqiptare”.

Altin, një muaj më parë, ti së bashku me dy shokë shqiptarë u cilësuat nga autoritetet italiane si anëtarët e bandës të “Audit të verdhë” që po terrorizonte disa zona në Itali.

Cila është e vërteta e kësaj historie? Të vërtetën duhet ta zbulojë vetëm policia italiane. Kjo është një gafë e policisë italiane. Unë nuk kam fare lidhje me këtë gjë.

Po fotoja që është bërë publike nga policia, kur është realizuar? Ajo foto ku shfaqem unë dhe dy shokët e mi është bërë një vit e 3 muaj më parë. Ka qenë një polic i thjeshtë që na e ka bërë. Na ka ndaluar në rrugë dhe na kërkoi dokumentet. Ne ishim në rregull me dokumentet, dhe para se të largoheshim ai na ka bërë atë foto.

Keni kërkuar një arsye përse është publikuar fotoja juaj, duke qenë se ju po thoni se nuk keni lidhje me këtë ngjarje?

Unë kur jam dorëzuar në polici, kam shkuar së bashku me avokatin tim sepse kisha frikë. Kjo çështje ishte bërë shumë e madhe gjithandej dhe kisha frikë të shkoja vetëm. Për foton nuk më dhanë asnjë përgjigje. Kur doli kjo ngjarje, një prej shokëve të mi të fotos ishte dhe është ende në burg këtu në Shqipëri. Atëherë, si ka mundësi që policia italiane thotë se ne ishim personat që po kryenim vjedhjet me “Audin” e verdhë?! Më pas kam dhënë dëshminë time në polici. I vetmi problem që unë kisha në Itali ishte sepse më kishte mbaruar afati i pasaportës për të qëndruar më gjatë andej. Kisha marrë ekspuls. Më lanë të qëndroja në një kamp dhe më kanë mbajtur 30 ditë. Edhe sot s’e di arsyen përse më mbajtën kaq gjatë, pasi asnjë nuk më kthente përgjigje. Dy javë kam kërkuar të flisja me inspektorin e kampit për të marrë vesh se ç’po ndodhte me mua dhe askush nuk më përgjigjej. Vetëm të enjten më thanë “merr rrobat se do të të dërgojmë në Shqipëri”.

Gjatë kohës që keni qëndruar në kamp, jeni ndjerë ndonjëherë i rrezikuar? Normal që kam qenë i rrezikuar! Edhe pse qëndroja në kamp, kam pasur frikë, sepse kur është publikuar fotoja, policia kishte nxjerrë një njoftim, se do të jepte shpërblim për këdo që më gjente mua dhe shokët e mi. Për ta unë isha një njeri i rrezikshëm, që kisha bërë namin në Itali, ndërkohë që unë nuk kam asnjë lidhje me këtë çështje.

Si e more vesh se ishe shpallur në kërkim nga policia e huaj? Më kanë shkruar në “Facebook” disa shokë nga Shqipëria. Në fillim mendova se ishte një lojë e tyre, por më pas më kanë marrë edhe prindërit dhe të afërmit në telefon që më kanë thënë çfarë po ndodhte. Lajmi kishte marrë dhenë, ishte shpërndarë deri në Amerikë.

Familja juaj, si e ka pritur këtë gjë? Shumë keq! Edhe tani që jam në shtëpi, nuk u besohet që jam këtu.

Ju pretendoni se jeni i pafajshëm; keni kërkuar dëmshpërblim nga autoritetet italiane? Kam kërkuar që të dalë e drejta ime sipas ligjit, përderisa unë nuk jam i përfshirë në këtë ngjarje. Tashmë më vjen turp të dal qoftë edhe për një kafe, sepse njerëzit mendojnë se unë jam person i rrezikshëm. Policia italiane duhet të shlyejë dëmin që më ka shkaktuar mua dhe familjes sime. Edhe sikur të më bëjnë letrat tashmë, unë përsëri kam frikë të shkoj në Itali vetëm për këtë që më kanë bërë, sepse të gjithë policët më cilësojnë si njeri të rrezikshëm dhe do më ndalin sa herë që të më shikojnë në rrugë.

You must be logged in to post a comment Login