Reforma në transportin ndërqytetës, Haxhinasto prezanton projektligjin

haxhinasto-620x428Transporti ndërqytetës do t’i nënshtrohet reformës më të thellë që është bërë ndonjëherë në këtë sektor, reformë e cila do të përgjysmojë numrin e linjave dhe do të përmirësojë shërbimin.

Kështu u shpreh sot ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, gjatë mbledhjes së Komisionit të Integrimit.

Haxhinasto tha se projektligji i ri për transportin ndërqytetës synon të përcaktojë qartë mënyrën e licencimit të operatorëve dhe periudhën e rinovimit të mjeteve. Ministri i Transportit tha se reforma do të përgjysmojë numrin e linjave, aktualisht 588 të tilla, të cilat janë dyfish mbi nevojat e vendit. Gjithashtu, parashikohet ndërtimi i 7 terminaleve dhe aplikimi i biletave elektronike.

“Kjo është një reformë e thellë e transportit publik, më e thella e bërë ndonjëherë, me qëllimin e vetëm përmirësimin cilësor të këtij shërbimi për qytetarët. Reforma është iniciuar nga një situatë shumë e rëndë, në organizimin dhe operimin në transportin ndërqytetës. Mjafton të japim disa shifra për të kuptuar domosdoshmërinë e tij. Kapaciteti i autobusëve sot është 62%, janë 1058 autobusë në sistem të regjistruar dhe prej tyre punojnë 810.

40 % e tyre janë të një prodhimi mbi 22 vite, vetëm 12 % janë të moshës 15 vjet. Nga analiza jonë që është bërë bazuar në metodën e Garipetit, një metodë moderne europiane, për përcaktimin e sistemeve të transportit publik, ku rezulton se aktualisht kemi dyfishin e linjave që i duhet vendit. Sot janë 588 linja, itinerare dhe në vlerësimin tonë nevojitet vetëm gjysma e tyre. Për të vazhduar më tej, kemi një mungesë terminalesh, ka mungesë informacioni për qytetarët që përdorin këtë shërbim, kemi mungesë kontrolli të operimit të këtij sistemi, kemi evazion shumë të lartë fiskal dhe subjektivizëm. Pra një sistem që është shumë larg të ofruarit të cilësisë që meritojnë qytetarët shqiptarë, shumë larg të qenit një sektor i qëndrueshëm dhe me kapacitet për rinovim të vazhdueshëm.

Prandaj kemi konceptuar këtë reformë, që e trajton problematikën në tërësinë e saj dhe rivendos numrin e duhur optimal të linjave ndërqytetëse, bën riorganizimin e operatorëve mbi bazën e bashkisë, duke u krijuar atyre mundësinë dhe kapacitetet për rinovimin e flotave, mundësinë të operojnë në mënyrë të civilizuar me njëri-tjetrin dhe me linjat e tjera, duke hequr “elementët e Far Ëestit”, që vihen re në transportin ndërqytetës. Kemi bërë një riorganizim të linjave sipas kategorive, në kategori linja kryesore dhe kategori ushqyese, që operojnë në juridiksion dhe me kritere të ndryshme. Po kështu kemi përgatitur si kërkesë përcaktimin e standardeve të terminaleve të autobusëve, kemi përcaktuar kriteret që do të detajohen më tej përsa i përket biletimit. Kemi vendosur standardet për autobusët, kategoritë e atyre që do të jenë të pranueshëm dhe planin e tyre”, tha Haxhinasto gjatë prezantimit të projektligjit.

You must be logged in to post a comment Login