Moti i keq godet vendin, ja zonat më emergjente

PicMonkey-Collage95-620x372Reshjet e dendurave të shirave dhe moti i keq kanë shkaktuar një situatë të rënduar në disa zona të vendit, me përmbytje nga uji, mungesë energjie elektrike, dëmtime të urave, bllokime rrugësh për shkak të inerteve etj., të cilat përveç vështirësive të krijuara, kanë dëmtuar në disa raste pasurinë apo bizneset e shtetasve.

Me urdhër të Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri janë mbledhur Shtabet e Emergjencave në çdo Prefekturë, të cilat po ndjekin dhe monitorojnë situatën në vazhdimësi. Strukturat e Policisë së Shtetit, Shërbimit zjarrfikës, strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, të Transporteve, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nën drejtimin e Prefektëve po punojnë në terren për përballimin e situatës.

Në bazë të të dhënave nga Shtabet e Emergjencave në Prefektura si dhe të informacioneve të grumbulluara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile, në vijim ju paraqesim një përmbledhje të problematikave në zonat emergjente sipas qarqeve:

Qarku Tiranë:

– Ka pasur probleme të përmbytjes nga uji në zonat përballë ish ekspozitës “Shqipëria sot”; në Kodër Kamëz rruga “Rustem Haklaj”; si dhe në Yzberisht, rruga “Riza Juka”.

Në vendngjarje është dërguar automjet zjarrfikës për thithjen e ujit dhe punonjës nga bashkia e Tiranës dhe struktura të tjera për normalizimin e situatës.

Prezencë uji ka edhe në disa rrugë kryesore të qytetit Tiranë dhe në zonat përreth.

– Tek ish-stacioni i trenit rruga “Karl Gega” ka një shembje dheu në një gropë pallati. Po merren masa urgjente nga Njësia Administrative për ndërhyrje në këtë situatë.

– Autostrada Tiranë-Durrës, është përkohësisht me trafik të rënduar për shkak të prezencës së ujit në autostradë. Po punohet në bashkëpunim me Drejtorinë e ARRSh për normalizimin e situatës.

– Në lagjet Kombinat, Yzberisht, Kashar, dhe Paskuqan ka ndërprerje të energjisë elektrike. Grupet e OSHEE janë në terren për riparimin e defekteve.

Qarku Kukës:

Për shkak të reshjeve që vazhdojnë reshjet me intensitet të lartë, ka pasur ndërprerje të energjisë dhe inerte në mjaft prej akseve rrugore. Nga erërat e forta është dëmtuar në disa vende edhe sinjalistika rrugore.

Problem është rrëshqitja e aksit rrugor Kukës-Bushtricë Km 29 dhe rrëshqitja e aksit Krumë-Qafë Prush në vendin e quajtur Bregu – Vlanës.

Është dëmtuar një biznes në Bashkinë Has, si dhe dy stallë bagëtish në fshatin Domaj.

Megjithatë në territoret e Bashkive nuk ka bllokim të qarkullimit.

Ka ndërprerje të energjisë elektrike si rezultat i erëra të fuqishme që kanë goditur linjat e tensionit të mesëm e të ulët duke shkaktuar këputje telash dhe rënie shtyllash.

Aktualisht  janë pa energji:

Rrethi Kukës – Njësia Administrative Arrën, Kalis, Grykë Çaj, Malzi, Zapod, Shishtavec, Topojan.

Rrethi Has – Njësia Administrative Fajza, Gjinaj (tre fshatra), Golaj (dy fshatra).

Rrethi Tropojë – Lekbibaj, Margegaj, Tropojë e Vjetër, Bytyç.

Qarku Dibër:

Në njësinë Administrative Lurë, ka humbur jetën shtetasi Adil Vladi 27 vjeç, i cili ishte duke pastruar një  kanal uji në hidrocentralin Lura 1, Lura 2, në Armollë. Sipas informacioneve  ai është rrëmbyer nga rrjedha e ujit. Po punohet nga strukturat e policisë dhe banorët për gjetjen e trupit të  shtetasit.

Problem në të gjithë qarkun mbetet furnizimi me energji elektrike, pasi ka disa fshatra të Dibrës dhe mjaft zona të rrethit të Matit ku mungon energjia elektrike.

Nga an tjetër, me gjithë reshjet e dendura, nuk ka pasur dëmtimeve në infrastrukturë apo rrëshqitjet të dherave ndërkohë që të gjithë akset rrugore janë të kalueshme pa probleme.

Vetëm në dalje të Burrelit, ka një dëmtim të rrugës nacionale nga rrëshqitjet. Po punohet nga bashkia Mat me dy fadroma për hapjen e rrugës.

Qarku Durrës:

Probleme më të rënda janë konstatuar në Fushë-Krujë përkatësisht në fshatrat Zezë, Tapizë, Nikël pati fryrje të lumit Zezë, i cili depërtoi në disa banesa në dy lagjet e fshatit Zezë, që janë pranë lumit. Uji dëmtoi dhe një pjesë të rrugës pranë urës që lidh fshatin Vrion dhe gjithashtu ka dëmtuar dhe këmbët e urës së fshatit Zezë. Tashmë niveli i lumit ka rënë. Në Fushë-Krujë pati fryrje të lumit tek ura kryesore e qytetit.

Në zonën e Cudhisë ka rrëshqitje dheu në rrugën e Bruz Malit dhe të Shkretës. Hidrovori i Porto Rromanos dhe ai Hamallaj janë në gatishmëri dhe situata është pa probleme.

Qarku Shkodër:

Njoftohet se në zonën e Malësisë së Madhe, Kelmendit, Kozhnje e Pronjet janë dëmtuar dy ura që lidhin fshatrat Kozhnje, Nikç e Vukël.

 Qarku Gjirokastër:

Në fshatin Petran, të bashkisë Përmet, si rezultat i motit të keq dhe erës së fortë, është dëmtuar një stallë bagëtish në pronësi të një shtetasi.

Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, brigadat e OSHEE po bëjnë maksimumin për riparimin e defekteve brenda një kohe të shkurtër. Në 10 Drejtoritë Rajonale dhe në terren po punon një personel prej 1650 punonjësish për riparimin e defekteve, të ndara në 26 grupe për ndjekjen e regjimit të punës dhe 26 inxhinierë të sigurisë në punë. Aktualisht po furnizohen me energji elektrike të gjithë hidrovoret dhe qendrat spitalore.

 14:08- Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka urdhëruar mbledhjen e shtabeve të emergjencave të të gjitha qarqeve, për të përballuar përmbytjet në vend.

Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi, ka mbledhur me urgjencë të dielën Shtabin e Emergjencave me qëllim koordinimin e punës në terren dhe rritjen e gatishmërisë pas shirave të rrëmbyeshëm në kryeqytet.

Vorpsi ka thënë se “prioritet është jeta e qytetarëve dhe parandalimi i katastrofave”, ndërsa e ka vënë më tej theksin tek garantimi i kalueshmërisë rrugore.

“Rëndësi e veçantë t’u jepet ujëmbledhësve”, ka thënë Vorpsi.

Duke kërkuar angazhim maksimal nga strukturat e emergjencave civile për përballimin e gjendjes së rënduar, ministri Tahiri u ka bërë thirrje edhe qytetarëve të telefonojnë në numrin 129 të Policisë së Shtetit, edhe kur kanë probleme emergjente nga reshjet e shiut.

Reshjet kanë sjellë një situatë të përkeqësuar jo vetëm në kryeqytet, ku gjatë ditës së sotme ka pasur kufizime të energjisë elektrike dhe të furnizimit me ujë të pijshëm, por edhe në zonat e largëta të vendit.

13:08- Përmbytjet, ja situata e furnizimit me energji dhe ujë

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) bën të ditur se ka angazhuar 1200 punonjës për riparimin e defekteve të shkaktuara nga moti i keq që ka mbërthyer vendin.

Nga avaritë te Tensioni i Lartë janë prekur këto zona: linja L 30-5 Shkozet-Mali Robit, linja 30-3/1 Shijak-Ndroq, pa energji është nënstacioni Durrës dhe nënstacioni Porto Romano për shkak të dëmtimit të linjave 35 kV, ndërsa në nënstacionin Shkozet vazhdon puna për zëvendësimin e transformatorit të dëmtuar në linjat TM 20 kV, 10 kV, 6 kV.

Nga avaritë në Tensionin e Mesëm janë prekur këto zona: Në  Gjirokastër ka avari në 12 fidra si pasojë e erës së fortë dhe kohës me shi gjatë natës e në vazhdim. Zonat e mbetura pa energji janë Ballaban, Piskovë, Sukë, Lekli, Lunxhëri/Këlcyrë; Zagori, Lazarat /qytet Gjirokastër, Kosinë Petran/Përmet.

Në Kukës ka avari në 9 fidra dhe zonat e mbetura pa energji janë: Rexhepaj, Kalimash, Cahan, qytet Kukës, Lekbibaj, Fierzë, Rragam, Valbonë, Bujan Pac në Bajram Curri. Në Burrel ka avari në 14 fidra dhe zonat e mbetura pa energji janë Shupenzë, Krastë, Komsi, Klos, Cerrunje, Sllove, Zall Dardhë. Në Durrës
ka avari në 19 fidra dhe zonat e mbetura pa energji janë Xhafzotaj, Spitallë, Romanat, Koxhas dhe ish Kenetë.

UKT njofton mbi situatën e furnizimit me ujë

Ujësjellës Kanalizime Tiranë ju njofton se:

Stacioni i Qafëmollës, për arsye të kushteve atmosferike ka mbetur pa energji elektrike, ndaj do të ketë furnizim shumë të kufizuar me ujë në zonat e mëposhtme:

Tirana e Re (ish-Bllok)
Komuna e Parisit
Rr. e Kavajes
Sauk
Liqeni i Thatë
Qesarakë

Edhe stacioni i Bërxullit për arsye të kushteve atmosferike ka mbetur pa energji elektrike. Si pasojë, do të ketë furnizim shumë të reduktuar me ujë në zonat e mëposhtme:

Unaza e Re
Rr. “3 Deshmorët”
Yzberisht

(12:11) Përmbytjet pushtojnë vendin, dyshohet për një viktimë (Foto&Video)

Një 27-vjeçar nga Dibra dyshohet se është viktima e parë nga moti i keq që ka përfshirë vendin qysh prej të shtunës mbrëma. Sipas burimeve të policisë, Adil Vladi kishte shkuar për të pastruar kanalet që furnizonin me ujë hidrocentralet Lura 1 dhe 2. Policia ka nisur kërkimet për gjetjen e tij.

Reshjet e dendura të shiut dhe era e fortë kanë shkaktuar probleme në kryeqytet dhe në disa zona të veriut, ku ka pasur përmbytje dhe rrëshqitje dherash. Shiu ka përmbytur disa rrugë në Tiranë, duke vështirësuar qarkullimin për shkak të bllokimit të kanalizimeve.

Probleme janë raportuar edhe në Vlorë, ku erërat e forta dhe dallgët 4-5 ballë kanë pamundësuar lundrimin e mjeteve të peshkimit. Trageti i linjës Brindisi-Vlorë u nis me vonesë për shkak të dallgëzimit.

You must be logged in to post a comment Login