Ekspertja politike gjermane: Shqipëria ka ende plot spiunë në krye të politikës dhe të shtetit

u2_petra140_0AEkspertja politike gjermane, ish-zv/presidente e Bundestagut gjerman, Petra Bläss-Rafajlovski, flet te “JAVA” për procesin e Hapjes së Dosjeve dhe sesi mund të kryhet i gjithë procesi. Përvoja gjermane dhe pse është realisht specifik rasti i Shqipërisë, do jetë busulla e një procesi që më në fund po jep shpresë se do të fillojë…

Pak orë pasi foli në tryezën e organizuar prej Ministrisë së Çështjeve Sociale, ku ndihmoi si këshilluese, znj. Petra Bläss-Rafajlovski, u largua drejt vendit të saj. Që andej, ajo mundësoi këtë intervistë, duke ofruar shembullin e saj më të mirë. Në këtë intervistë, ajo shpjegon modelin gjerman, por edhe një sërë çështjesh të tjera, që lidhen me të kaluarën komuniste. Do jetë i vështirë rasti juaj, përderisa shumë prej bashkëpunëtorëve i keni ende në fuqi, na thotë ajo…

Si u realizua procesi i Hapjes së Dosjeve në Gjermani dhe a mendoni se ky proces shërbeu si një lloj kure nga regjimi komunist ?

“Në vija të përgjithshme mënyra se si u morëm me të dhënat e STASI-t është parë si një paradigmë për implementimin e një procedure transparente, spastruese dhe tejet kërkuese me të kaluarën. Përcaktimi i një rregullore e qartë për marrjen e aksesit të këtyre të dhënave është baza për krijimin e Drejtësisë. Por rehabilitimi i sistemit të mëparshëm duhet të këtë një mënyrë shikimi më të gjerë dhe të përfshijë të gjitha llojet e këndvështrimeve të njerëzve, që e përjetuan atë. Ekziston gjithnjë një lloj rreziku polarizimi brenda shoqërisë, përsa i përket kësaj çështje kaq sensitive. Mësimet e marra nga GJERMANIA na tregojnë se procesi, ka nevojë gjithashtu për një menaxhim të kujdesshëm profesional të këtyre dosjeve dhe organizimin e debateve specifikë për gjetjet e të dhënave në to, sidomos në media”.

Cilat janë vështirësitë më të mëdha, sipas jush, në procesin e hapjes së Dosjeve?

“Të merresh më një masë kaq të madhe Dosjesh, veçanërisht atyre që janë të shkatërruara, është sigurisht një vështirësi tejet e madhe. Ka gjithashtu presion kohor, pasi shumica e viktimave janë në një moshë të avancuar që presin si për rehabilitim ashtu edhe për drejtësi. Rreziku më i madh është dhunimi i principeve, abuzimi, si edhe instrumentalizimi i informacioneve dhe të dhënave, të cilat mund të dëmtojnë procesin në tërësi”.

  Në takimin e para pak ditëve, ku ju mbajtët edhe fjalën tuaj për procesin, është thënë së një pjesë shumë e madhe e Dosjeve shqiptare janë të dëmtuara. A është e mundur në këtë rast që të kryhet një proces i drejtë?

“Detyra e vështirë sa i përket rikonstruktimit të dokumenteve të grisura është thjesht njëra nga gjërat, që ju pret. Unë ju a sugjeroj fort, që të shikoni gjithashtu në website-in anglisht të Komisionit Federal për të Dhënat e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit për ish-Gjermaninë Lindore www. bstu.bund.de. Aty, ju mund të shkarkoni gjithashtu edhe Aktin e të Dhënave të STASI-t dhe Formën e Aplikimit nga ku do të shikoni dosje dhe video dokumentesh në rindërtim. Kurse, vendosja e një procesi të drejtë është gjë krejt tjetër. Ajo varet kryesisht nga pyetja: nëse mund të arrihet konsensusi politik më prioritet transparencën dhe drejtësinë në të gjithë këtë proces”.

Mendoni se po të ekzistojë një vullnet politik, procesi do të jetë korrekt ?

“Vullneti politik dhe një marrëveshje në lidhje më principet e transparencës dhe drejtësisë janë një bazë e domosdoshme e procesit. Profesionistët që merren më politikanë, përfaqësues të Shoqërisë Civilë, veçanërisht ata që janë në lidhje më viktimat, por gjithashtu dhe media kanë një përgjegjësi të madhe që të dizenjojnë dhe të vëzhgojnë këtë proces afat-gjatë dhe të garantojnë implementimin e mënyrës së duhur të veprimit. Një legjislacion i mirë është një sfidë por implementimi i tij është një sfidë akoma më e madhe”.


Në këndvështrimin tuaj, cili duket se është problemi më i madh në rastin e Shqipërisë?

“Së pari, rasti i Shqipërisë është një rast i veçantë duke pasur parasysh përmasat e diktaturës dhe krimit. Së dyti është sigurisht një problem, ngaqë ka shumë vonesa që vazhdojnë të shtyjnë në kohë të marrurit më këtë çështje kaq shumë të ndjeshme dhe ka akoma një numër të konsiderueshëm bashkëpunëtorësh të sistemit të vjetër në pozicione politike apo në institucione publikë. Së treti, kjo çështje shkakton një skenë politike thellësisht të ndarë dhe mungesa e konsensusit krijon një vështirësi për të luftuar instrumentalizimin dhe politizimin e komplet procesit”.


A do të asistoni në përgatitjet e procesit shqiptar të Hapjes së Dosjeve?

“Ekziston një gatishmëri e përgjithshme nga pala gjermane që ta mbështesë procesin tuaj. Zyra e Komisionit Federal për të Dhënat e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Gjermanisë Lindore e mbështeti p.sh. në kornizën e Network-ut Europian të Autoriteteve Zyrtare Përgjegjëse për të Dhënat Sekrete Policore – furnizimin e dosjeve të Shërbimeve të mëparshme të Sigurisë për Vendet e Europës Lindore. Unë, personalisht, fola më Roland Jahn,  Komisionerin Federal, për një kërkesë nga Shqipëria dhe mora ‘dritën jeshile’ për mbështetje teknike – sipas kërkesës konkrete. Sigurisht, kjo lloj ndihmë e domosdoshme nga ekspertët mund të jetë vetëm një plotësim- kurse puna kryesorë duhet të bëhet nga vetë Shqiptarët”. BEN ANDONI

You must be logged in to post a comment Login