Shqipëria e Kosova nga maji me dogana të përbashkëta

largea_02_04_2015_4854629_lulezim_rafuna_dhe_irena_beqiraj1427989674

Sot në Drejtorinë e përgjithshme të Doganës së Kosovës qëndrojë për vizitë zv. Ministrja e Financave të Republikës së Shqipërisë znj. Irena Beqiraj e cila njëkohësisht është edhe Drejtoreshë e përgjithshme e Doganës së Shqipërisë, gjithashtu në këtë takim mori pjesë edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë zt. Qemal Minxhozi.

Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës Lulzim Rafuna me bashkëpunëtorë priti delegacionin ku dhe u zhvillua takimi.

Ky takim është rrjedhojë e marrëveshjeve të nënshkruara në mes të dy vendeve, pra thellon edhe më tutje bashkëpunimin e ndërsjellët në mes të dy administratave respektive.

Nga 1 maji i këtij viti, Kosova dhe Shqipëria pritet që për herë të parë të kenë një pikë doganore të përbashkët.

Kjo u bë e ditur pas një takimi të zhvilluar në Prishtinë mes drejtorit të Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna dhe homologes nga Shqipëria, Irena Beqiraj, njëkohësisht zëvendësministre e Financave.

“Shpresojmë që në 1 maj të kemi mundësi të ofrojmë për herë të parë një doganë të përbashkët. Do kemi shumë shpejt një grup pune në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të kenë një kufi të përbashkët doganor dhe që ndoshta brenda 6-mujorit të parë të kemi mundësi të heqim disa nga ato tarifa ekonomike që pengojnë, ose bëhen barrë për bizneset shqiptare dhe kosovare, siç janë kostot e transportit”, deklaroi Beqiraj.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna tha se pas funksionalizimit të transitit të përbashkët po punohet për shndërrimin e kufirit në kufi virtual, si lehtësim për bizneset e dy vendeve.

“Prej më shumë se 1 muaji në dogana është duke funksionuar transiti i përbashkët. Ne jemi duke parë mundësitë se ku mund të shkojmë më tej me thjeshtëzimin e procedurave, në mënyrë që ta lehtësojmë sa më shumë qarkullimin e mallit dhe t’i japim jetë vizionit tonë që kufiri të mos jetë pengesë e të bërit biznes, por të shndërrohet në një kufi virtual, siç i takon shekullit XXI”, deklaroi Rafuna.
“Do të formojnë grupe punuese dhe do të vendosim afatet për konkretizimin në terren ashtu se si parashihen me marrëveshje. Ka mbi një muaj që procedura e tranzitimit të përbashkët është duke funksionuar dhe në këtë kohë ne jemi duke shikuar se ku mundemi ende të thjeshtëzojmë procedurat ashtu që kufiri të mos jetë pengesë por urë lidhëse”

“Dy administratat tona kanë marrë obligime dhe kanë zotime që të ulin në minimum kohën e pritjes ashtu që lehtësojmë tregtinë”, theksoi Rafuna.

Nga ana tjetër drejtoresha e përgjithshme e Doganës së Shqipërisë tha arsyeja që është në Kosovë është që të jetësojmë premtimet dhe pikat për të cilat janë dakorduar për bashkëpunim.

“Kuptohet që transiti i përbashkët është një storje suksesi e dy administratave tona. Por ne kemi ende punë për të bërë ashtu që të lehtësojmë tregtinë në mes të dy vendeve. Presim që nga maji të fillojmë të ofrojmë një doganë të përbashkët dhe brenda këtij gjashtëmujori të parë të eliminojmë edhe tarifat tjera të cilat janë kosto për biznesin”, ka theksuar Beqairaj.

You must be logged in to post a comment Login