Kalaja e Drishtit, banorët prishin varret për thesarin

85542SHKODER -Në ndjekje të një legjende e në kërkim të një thesari, banorët e Postribës prishin varret shekullore në Kalanë e Drishtit. Prej ditësh, në sipërfaqe të këtyre varreve kanë dalë eshtrat, të cilat të krijojnë përshtypjen se të gjallët po zhvillojnë një betejë me të vdekurit. 

Gërmimet e paligjshme të banorëve të zonës kanë nxjerrë në pah disa sende me vlerë, mes tyre qeramika, sende metalike, bizhuteri, predha, që i përkasin kohës së pushtimit turk. Nga gërmimet kanë dalë në pah edhe gurë me mbishkrime në gjuhën turke. Sipas Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës në Shkodër, dyshohet se këto varre janë gërmuar për t’u kontrolluar për thesare floriri. Pasi në një legjendë thuhet se turqit në kohën e pushtimit kanë fshehur aty flori e thesare, kërkimet për të cilin vazhdojnë edhe sot, por duke sjellë dëmtimin e varreve shekullore. 
kala e drishtit
BANORET 
Në Kalanë e Drishtit në komunën Postribë kanë banuar shumë familje, por pjesa më e madhe janë shpërngulur që aty. Ato pak familje që kanë mbetur janë pjesa më e varfër e popullsisë së kësaj zone. Vazhdimisht në këtë kala ka pasur gërmime nga banorët në kërkim të një thesari legjendar. Sadik Buhaj, një prej këtyre banorëve tregon për “Gazeta Shqiptare”, se kjo situatë ekziston prej vitesh, pasi gërmime ka pasur gjithmonë. 

“Këtu qarkullojnë histori e gojëdhëna nga më të ndryshmet, por dikush thotë se kanë ardhur ekspedita për të kërkuar thesare brenda apo pranë varreve, por ajo që na shqetëson neve si banorë është që këto varreza të sistemohen. Pavarësisht se kjo situatë është denoncuar prej kohësh nga banorë të zonës, askush nuk e ka marrë mundimin të sistemojë këto varre”, – shprehet Buhaj. Sipas tij, nuk ka banor që të mos ketë hapur gropa nëpër kala në kërkim të thesarit dhe e gjithë nëntoka është e mbushur me tunele. “Gojë pas goje është thënë se këto tunele janë të mbushura me thesare me ar. Edhe nga Turqia ka ardhur grup ekspedite për të gërmuar në kërkim të arit”, – thotë Buhaj. Disa prej objekteve të nxjerra nga nëntoka janë përdorur nga banorët. Një gur me mbishkrim në gjuhën turke është vendosur në murin e një prej shtëpive. Nga ana tjetër, mësohet se vazhdimisht në Kalanë e Drishtit janë organizuar ekspedita nga persona që paraqiteshin si arkeologë. 

MONUMENTET 
Drejtuesit e Monumenteve të Kulturës në Shkodër pohojnë se Kalaja e Drishtit është e mbrojtur si monument kulture dhe, duke qenë e tillë, një pjesë të sendeve me vlerë të gjetura banorët ia kanë kthyer Muzeut të Shkodrës. “Jemi në dijeni që banorët kanë hapur varret dhe do të çojmë specialistë në ditët në vijim për të parë nga afër situatën dhe për të ndërhyrë duke mbyllur varret”, – u shpreh Besi Bekteshi, kreu i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare. Një pjesë tjetër janë gjetur nga specialistët e monumenteve në sipërfaqe. 

Shumica e tyre gjenden tashmë në Muzeun e Shkodrës dhe specialistët thonë se herë pas here banorët, duke kryer funksionin e arkeologëve, nxjerrin nga nëntoka objekte me vlerë dhe me interes. Por shumë prej gurëve shekullorë me mbishkrime që janë gjetur gjatë gërmimeve janë përdorur edhe si relike për muret e shtëpive që janë ndërtuar në atë zonë. Në kalanë e Drishtit aktualisht jetojnë 15 familje, pasi pjesa tjetër është shpërngulur. Gjetja e thesarit për banorët do të thotë marrje fund një herë e përgjithmonë var-fërisë së tyre, ndaj shumica nuk ndalen së gërmuari me shpresën se një ditë do të bëhen të pasur. 

You must be logged in to post a comment Login