Ueb për rrëfimet e dëshmitarëve të luftës së Kosovës

webNjë faqe uebi është lancuar nga Organizata Integra, e cila ka hedhur platformën e saj online të quajtur www.peopleandmemories.org, ku ka filma dokumentarë narrativë të personave që kanë përjetuar situata të krimeve të luftës së zhvilluar së fundmi në Kosovë.  Këto janë rrëfimet dhe përjetimet e viktimave nga profile të ndryshme etnike, gjeografike, fetare dhe profesionale, të cilët ishin dëshmitarë të krimeve të luftës në Kosovë gjatë periudhës 1997-2003. “Duke regjistruar, dokumentuar dhe publikuar rrëfimet dhe përjetimet e luftës, ne dëshirojmë t’i ruajmë përvojat individuale njerëzore në mënyrë që të ndihmojmë drejtpërdrejt në statusin e viktimave, paqen ndëretnike, fuqizimin dhe angazhimin e viktimave, të kontribuojmë në kultivimin e solidaritetit njerëzor, dhe të ndihmojmë në ndërtimin e besimit. Me këtë ne synojmë të kontribuojmë në procesin e ballafaqimit me të kaluarën, të promovojmë dhe forcojmë kujtesën individuale dhe kolektive përmes njohjes së natyrës universale të vuajtjes njerëzore dhe të solidaritetit”, thuhet në komunikatën e kësaj kompanie. Deri më tani, Integra ka regjistruar 59 filma narrativë, ndërsa qëllimi i saj është që të krijojë 100 të tilla për rajonin e Kosovës. Kjo lloj metode është mjaft efikase në qasjen ndaj të drejtave të njeriut. /Dionis Xhafa/

 

You must be logged in to post a comment Login