CIA, ja kush e vrau Mehmet Shehun?!

cia_337155180CIA vend i zbardhjes se krimeve komuniste. Në arkivat amerikane në Uashington D.C tashmë gjenden një numër i madh dokumentesh me vlerë të madhe historike mbi Shqipërinë.
Dokumentet e deklasifikuara, të cilat flasin mbi rolin e OSS (Shërbimi i Fshehtë Amerikan përgjatë Luftës së Dytë Botërore) si dhe mbi Operacionet Klandestine BGFIEND të periudhës 1949-1955. Me gjithë volumin e madh të këtyre dokumenteve, deri më tani nuk ka dalë asnjë material që të mund të bëjnë një lidhje të Mehmet Shehut, kryeministrit të famshëm komunist me Shërbimin Amerikan. Megjithatë duhet bërë një parantezë për këtë detaj të rëndësishëm. Nëse Shehu mund të ketë bashkëpunuar me CIA-n amerikane pas viteve ‘50, këto dokumente janë ende të pa deklasifikuara. Nëse Shehu ka pasur lidhje me OSS amerikane gjate luftës, dokumentacioni duhet të jetë i deklasifikuar dhe mund të jetë i disponueshëm për studiuesit e kësaj fushe. Deri me sot nuk ka asnjë dokument nga periudha e angazhimeve të OSS në Shqipëri ku Mehmet Shehu të jetë i implikuar. Kjo mungese dokumentacioni e vë në pikëpyetje të thellë akuzën kryesore që ish-kryeministri shqiptar ka pasur lidhje të hershme agjenturore me Shërbimet Amerikane. Por lexuesit duhen sqaruar në disa pika të rëndësishme për të kuptuar akuzat që i janë bërë Mehmet Shehut.
Mehmet Shehu është akuzuar pas vdekjes nga Hoxha se duhet të jetë rekrutuar nga Harry Fultz gjate periudhës së studimit në Shkollën Teknike. Por historiografia komuniste, që i ka artikuluar këto akuza, nuk ka sqaruar se amerikanët deri në vitin 1941 nuk kanë pasur një shërbim të fshehtë që merrej me çështjet e politikës ndërkombëtare, operacione klandestine, rekrutime etj, ashtu siç është sot agjencia kryesore e zbulimit amerikan, CIA. Amerikanët deri në vitin 1941 kanë pasur një sërë zyrash të inteligjencës kryesisht me karakter ushtarak, të shpërndara në disa institucione si ushtria, flota, Departamenti i Shtetit etj. Historianët amerikanë pranojnë se shërbimet inteligjente amerikane ishin të një cilësie kaq të dobët sa edhe sot ekspertët e fushës komentojnë mbi nivelin e ulët të shërbimeve të inteligjencës amerikane, e cila nuk mund të parashikonte asnjë nga lëvizjet e rëndësishme në Europe, të ndërmarra nga gjermanët apo italianët. Në këtë kontekst duket shumë jorealiste ideja se një mësues amerikan, i dërguar në Shqipëri me fondete Kryqit të Kuq dhe të Fondacionit Rokfeler, të ishte i interesuar për të rekrutuar nxënësit e tij. Duke parë këtë dobësi të madhe të politikës ndërkombëtare amerikane, dhe duke pasur parasysh se amerikanët do të hynin shumë shpejt në fushën e luftës botërore, presidenti Ruzvelt nënshkroi urdhrin presidencial për krijimin e OSS, e cila u krijua pak a shume në modelin britanik të SOE.
OSS, e drejtuar nga ish-prokurori nga Bufalo, republikani Uilliam Donovan u kthye në një organizatë të rëndësishme gjatë luftës duke rekrutuar mjaft antinazistë në Europë dhe në Ballkan. A ishte Mehmet Shehu një i rekrutuar i mundshëm i OSS? Në dosjen personale të Harry Fultzit, e cila është tashmë e deklasifikuar, nuk ka asnjë dokument që të provojë se Fultz kishte lidhje me shërbimet e inteligjencës amerikane gjatë periudhës kur ai kryente rolin e drejtorit të Shkollës Teknike. Harry Fultz, ashtu si shumë amerikanë të tjerë, u rekrutua nga OSS gjate luftës dhe sidomos kur Donovan, shefi legjendar i OSS, e ktheu vëmendjen e tij drejt Ballkanit. Fultz dhe një numër shqiptaro-amerikanësh nga Korça dhe Shqipëria e jugut formuan Zyrën e OSS për Shqipërinë në 1943 duke luajtur një rol shumë të rëndësishëm në furnizimin e partizaneve të Hoxhës me armatime. Ishte kjo periudhe kur Harry Fultz iu drejtua të gjithë ish- nxënësve të tij si dhe profesorëve të dikurshëm të Shkollës Teknike për të ndihmuar në koalicionin antifashist dhe operacionet antigjermane në Ballkan. Po kështu sipas dëshmisë së ish- kapitenit të OSS që operoi në Shqipëri në ato vite Jim Hudson, pas 1943 Harry Fultz filloi të rekrutonte një rrjet informatorësh shqiptarë, të cilët potencialisht mund të përdoreshin prej OSS edhe pas lufte. Mirëpo në këtë periudhe Mehmet Shehu ishte një prej komandantëve më të famshëm të luftëtarëve guerile i dedikuar ndaj idesë komuniste dhe sigurisht një personazh shumë ambicioz për të ardhmen e tij. A do ta shikonte Shehu një bashkëpunim me amerikanët si një mundësi për ambiciet e tija personale në të ardhmen?   Në të gjitha memot apo kujtimet e oficerëve britanikë që shërbyen në Shqipëri gjatë luftës, Mehmet Shehu përmendet si personi i vetëm me njohuri ushtarake dhe aftësi komanduese në terren. Edhe pse disa prej britanikëve nuk e donin Shehun, në shënimet e tyre e respektonin atë për aftësitë e tij në fushën e betejës. Pranë komandës së Shehut u vendosën disa oficerë britanikë dhe amerikanë, por deri më sot nuk ka asnjë dokument që të provojë se Mehmet Shehu u rekrutua nga këta oficerë për shërbimet respektive.
Duke pasur parasysh se Shehu ishte vetëm një komandat gueril i panjohur jashtë Shqipërisë do të ishte normale që në raportimet e oficerëve amerikanë apo britanikë të përmendej emri i tij si bashkëpunëtor i mundshëm.  Harry Fultz mund ta ketë kontaktuar ish- nxënësin e tij të dikurshëm, por po e ritheksoj se nuk ka asnjë dëshmi dokumentare që Shehu të ketë pasur aktivitet në shërbim të OSS amerikane apo SOE britanike. Oficeri i OSS me gradën më të lartë, Xhejms Hadson, i cili u hodh nga amerikanët, thekson se Harry Fultz e dërgoi atë pranë Shtabit të Përgjithshëm, pra pranë Enver Hoxhës dhe jo pranë Shehut, duke treguar kështu që Fultz i kushtonte vëmendje Hoxhës si lideri kryesor i luftës. Nëse Shehu do të ishte një bashkëpunëtor i Fultzit, sigurisht që amerikanet do të kërkonin që ta ndihmonin atë në ngjitjen e karrierës ushtarake. Po kështu oficerët amerikanë të OSS që erdhën në Shqipëri ishin në përgjithësi fëmijë emigrantësh shqiptarë të emigruar nga Korça. Megjithëse shërbenin nën uniformën ushtarake përsëri ata kishin një marrëdhënie më normale me gueriljet shqiptare dhe nuk vinin në terren me arrogancën koloniale të oficerëve britanikë. A kishin këta emigrantë forcën e duhur për të rekrutuar një komunist të vendosur si Shehu? Në arkivin e OSS ku mund të gjesh emrat e të gjithë amerikano-shqiptarëve që shërbyen në Shqipëri të bien ne sy një detaj i rëndësishëm. Disa prej këtyre ish- oficerëve pasi janë larguar nga OSS në mbarim të luftës janë dyshuar si persona me simpati për komunistët shqiptarë. Megjithatë nëse do të kemi parasysh figurën e Mehmet Shehut, i cili vinte nga fushëbetejat e Spanjës, të bie në sy se ai ishte një komunist, i cili për idealin që besonte, sakrifikoi. Nëse do të ketë pasur kontakte me shërbimet e fshehta gjatë luftës së Spanjës, më e mundshme është kontakti me shërbimet sovjetike, të cilat rekrutonin masivisht nga radhët e Brigadave Internacionale që luftonin. Po kështu për një  ish luftëtar internacionalist, më e mundshme është kontakti me shërbimet franceze apo italiane, të cilat monitoronin kampet e luftëtarëve të Spanjës në Francë. Por mosha e re dhe fakti që ai nuk ishte person i rëndësishëm në lëvizjen komuniste e bënin atë një subjekt me jo shumë interes për këto shërbime. Fakti që ai luftoi pa mëshirë kundër italianëve të bën të besosh se nuk ka ekzistuar një lidhje me ta ose nëse ka pasur, duhet të jetë ndërprerë pa asnjë rezultat konkret.  Shehu, i influencuar nga ideali komunist dhe ambicia personale, duket se ka qenë më shumë i orientuar nga jugosllavët, të cilët influenconin vendimmarrjen e Partisë Komuniste shqiptare. Të paktën nga dokumentacioni në dispozicion shikohet qartë se Shehu iu bënte elozhe emisarëve jugosllavë pranë forcave partizane duke e nuhatur se jugosllavët ishin ata që kishin më shumë influencë në elitën komuniste shqiptare.
OPERACIONET BGFIEND 1949-1955
Ideja se operacionet anglo-amerikane kanë dështuar për arsye të Kim Filbit, është në fakt një nocion që vjen si rezultat i librit shumë interesant të Lordit Nikolas Bethell “Tradhtia e Madhe”. Megjithatë duhet pasur parasysh se koha e botimit dhe e kërkimeve arkivore nuk i kanë dhënë shumë mundësi Lordit Bethell të konsultohej me dokumente apo dëshmi tashmë të deklasifikuara. Kim Filbi sigurisht ka pasur një rol në Operacionet Britanike Valuable, pasi pozicioni i tij si ndërlidhës në Uashington i Shërbimeve Britanike dhe Zyrës së Koordinimit të Planifikimeve OPC, një njësi e operacioneve klandestine në politikë dhe psikologjinë e e shërbimeve amerikane. Kjo njësi e drejtuar nga Frenk Uizner dhe e kontrolluar nga Departamenti i Shtetit ishte njësia kryesore që drejtonte operacionet e fshehta kundër Shqipërisë së viteve ‘50-të.
Është shumë e mundshme që Filbi si personi kryesor i koordinimit britanik me amerikanët të ketë pasur informacion të mjaftueshem për operacionet që kryheshin në Shqipëri dhe t’ia ketë paraqitur këto plane sovjetikëve, të cilët sigurisht ishin shumë përpara amerikanëve në përgatitjen e masave mbrojtëse ndaj vendeve nën sferën e influencës komuniste.
NKGB, e cila më vonë mori edhe emrin e famshëm KGB, kishte në Shqipëri një grup mjaft cilësor oficerësh, të cilët ndihmuan shërbimin e fshehtë shqiptar për të kapur apo kontrolluar numrin më të madh të agjentëve të fshehtë që hidheshin në rrugë të ndryshme. Nuk ka asnjë mëdyshje të pranojmë faktin se sovjetiket ishin të mirëinformuar mbi planet e shërbimeve kryesore perëndimore ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Lindjes. Por duke pasur parasysh nivelin e lartë të Filbit në hierarkinë e shërbimit anglez si dhe mundësinë që një ditë Filbi mund të merrte drejtimin e këtij shërbimi është e pamundur që sovjetikët të përdornin informacionet e tij për të dëmtuar planet britanike dhe amerikane në Shqipëri. Kim Filbi ishte një agjent shumë i rëndësishëm dhe nuk mund të digjej për një vend të vogël si Shqipëria. Prandaj mendimi se nuk ka qene Filbi personi që ka shkatërruar operacionet amerikane, por një apo më shumë agjentë të tjerë të penetruar në shërbimin anglo-amerikan ka filluar të pranohet nga ekspertët e fushës, të cilët po rishikojnë të gjithë historinë e Shërbimeve Sekrete gjatë Luftës së Ftohtë.
Po kështu duhet thënë se detajet e operacioneve që amerikanët kryenin në Shqipëri koordinoheshin dhe vendoseshin nga zyrat e OPC në terren, pra në Itali, Athine apo në Gjermani. Për Kim Filbin, i cili operonte nga Uashingtoni, ka qenë e pamundur që të kishte dijeni mbi këto detaje operacional, të cilat shpeshherë ndryshoheshin në momente të caktuara për shkaqe të ndryshme. Dështimi i operacioneve amerikane duhet kërkuar në thellësinë e arkivave sovjetike dhe ato të inteligjencës shqiptare, të cilat akoma edhe sot  ndodhen të pahapura për studiuesit e fushës. Nga dëshmi të pakta të mbledhura në arkivat amerikane duket se amerikanët kanë qenë shumë dyshues në rolin e elementeve të caktuar të mërgatës shqiptare. Ata mendonin se jo vetëm mërgata ishte penetruar nga agjentë sekretë shqiptarë, por edhe kampet e trajnimit kishin në gjirin e tyre njerëz të dërguar nga shërbimi i fshehtë komunist. Dyshimi bie edhe mbi disa elementë të huaj, të cilët gjatë luftës kishin pasur simpati për grupet guerile komuniste. Këta elemente, të cilat gjatë luftës kishin ndihmuar operacione angleze apo amerikane duke furnizuar me armë partizanet në Ballkan tashmë shikonin se për një kohë të shkurtër këta aleatë ishin kthyer në armiq. Duke pasur parasysh kontekstin e kohës duhet thënë se disa oficerë britanikë apo amerikanë të shërbimeve të fshehta kishin simpati të fshehur për ish miqtë e tyre guerilas. Është normale që këta elementë të shikohen me shumë dyshim nga historiografia perëndimore si njerëz, të cilët mund të kenë dhënë informacione kundër operacioneve të fshehta.
Me shumë interes mund të studiohet aktiviteti i disa ish oficerëve të OSS në Shqipëri, të cilët pas luftës u hoqën nga shërbimi amerikan. Po kështu ekspertë të fushës së historisë sekrete kanë parë me dyshim rolin e një prej oficerëve britanikë në kampin e stërvitjeve në Malte, Robert Zaehner, i cili mund të ketë pasur një rol në informacionin e dhënë për agjentët shqiptarë, të cilët hynin nga kufiri grek. Dyshime të cilat deri më sot nuk janë dokumentuar. Edhe sot e kësaj dite është shumë vështirë të analizosh dëmin që Filbi mund t’i ketë bërë operacioneve shqiptare pasi dëshmitë e disa prej drejtuesve të OPC e përjashtojnë kategorikisht mundësinë e njohjes nga Filbi të detajeve operacionale në terren. Fatkeqësisht këta drejtues kanë lënë shumë pak shënime për këto operacione duke e bërë të vështirë analizën mbi rolin e tyre në planet e rrëzimit të qeverisë komuniste në Shqipëri.
Mehmet Shehu dhe operacionet BGFIEND
Pas luftës dihet mirë fati i komandantit të Brigadës së Parë, i cili qëndroi i mënjanuar nga ngjarjet kryesore të asaj periudhe. Kuptohet se jugosllavet ndërmjet tij dhe Xoxës kishin përzgjedhur këtë të fundit për t’iu shërbyer interesave të tyre në Shqipëri. Xoxe, një personazh pa shume personalitet në fushën e luftës, por i mbështetur fuqimisht nga jugosllavët, ishte njeriu i duhur për ta. Shehu, një njeri ambicioz, por kokëfortë dhe i pakontrollueshëm, u mbajt në distance nga jugosllavët duke ngjallur zemërimin e tij ndaj tyre. Me disa mungesa nga teatri politik i Tiranës, Shehu ndërmori disa kurse trajnimi në Bashkimin Sovjetik dhe nuk ka pse të mos mendohet se ishte kjo periudhë kur ai duhet të jetë kontaktuar apo rikontaktuar nga Shërbimet Sovjetike të Inteligjencës. Një kontakt që nga koha e Luftës së Spanjës? Ndoshta arkivat ruse një ditë do të sjellin më shumë informacion mbi këtë periudhë të panjohur të Mehmet Shehut, por deri më atëherë mund të supozojmë se ishte mbështetja edhe e shërbimeve  sovjetike që e rikthyen atë në lojtar kryesor në Shqipërinë post- Xoxe. Fakti që Shehu konsiderohej si një prej besnikëve pro-sovjetik të udhëheqjes shqiptare, nuk ka përse të mendohet si një arsye vetëm për karrierë. Ishte kjo periudhë, e cila përkoi me fillimin e operacioneve klandestine amerikane BGFIEND dhe britanike VALUABLE. Në postin e Ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehu drejtonte personalisht operacionet e kundërzbulimit ndaj amerikanëve dhe britanikëve.
Lind pyetja, nëse Shehu ishte njeriu i amerikanëve apo i britanikëve, i rekrutuar nga Harry Fultz, përse operacionet klandestine të OPC patën një rezultat aq negativ për amerikanët dhe britanikët? Përse amerikanët nuk patën mundësi që me ndihmën e Ministrit të Brendshëm të rrëzonin Hoxhën dhe në vend të tij të vendosnin Shehun? Nëse Ministri i Brendshëm shqiptar ishte njeri i rekrutuar nga amerikanët, a nuk do të ishte ky një informacion shumë i rëndësishëm që Filbi duhet t’ua përcillte KGB-së sovjetike? Fakti që KGB ishte mbështetësi kryesor i Shehut në operacionet e kundërzbulimit tregon se rusët nuk patën asnjëherë dyshim mbi besnikërinë e Ministrit të Brendshëm shqiptar.
Ja se çfarë sjellin dokumentet amerikane për këto pyetje.
Michael Burke, një prej oficerëve të OPC, përgjegjës për operacionet shqiptare, në shënimet e tij mendon se suksesi i shërbimit të fshehtë shqiptar ishte ideuar dhe ekzekutuar nga një emër i përveçëm, Mehmet Shehu, Ministri i Brendshëm, i cili sipas amerikanëve drejtonte personalisht çdo operacion kundër përpjekjeve të tyre për të penetruar Shqipërinë. OPC mendonte se Ministri i Brendshëm shqiptar është kyçi i suksesit. I trajnuar nga KGB sovjetike në metodat e kundërzbulimit, Mehmet Shehu sipas amerikanëve drejtonte personalisht operacione kundërzbulimi apo radiolojat e famshme, të cilat sollën për herë të parë për publikun e gjerë në Perëndim lajmin se shërbimet e fshehta perëndimore organizonin operacione klandestine në këtë vend të vogël malor në Ballkan. Mehmet Shehu, i ndihmuar nga dy këshilltarë të lartë të KGB sovjetike dhe një numër oficerësh, arrin të thyejë çdo operacion amerikan dhe duke dekurajuar jo vetëm mërgatën shqiptare, e cila mendonte se mund të thyente regjimin e Hoxhës me ndihmën amerikane, por edhe vetë shërbimet perëndimore. Shënimet e Michael Burke, një prej njerëzve që ka operuar në terren kundër shërbimit të fshehtë shqiptar janë të rëndësishme për të kuptuar mendimin amerikan ndaj oponentëve të tyre shqiptarë.
Por shënimet e oficerit Burke sjellin edhe një dëshmi befasuese, e cila mund të sqarojë përfundimisht faktin se Mehmet Shehu nuk ka pasur lidhje me amerikanët. Duke ndjekur këto shënime shumë të pakta të Michael Burke   mbi rolin e tij në operacionet shqiptare, më ranë në dorë materialet e dhuruara prej familjes së tij për një prej arkivave amerikane. Të pabotuara kurrë dhe të panjohura për studiuesit, shënimet e mbajtura me  shkrim dore përmendin një operacion deri më tani të panjohur dhe të padokumentuar nga arkivi i deklasifikuar i OPC/CIA-s. Nëse ky operacion ka ekzistuar në të vërtetë, fakti që nuk ka asnjë dokument të deklasifikuar flet mbi rëndësinë e madhe që ka pasur ky plan dhe fshehtësinë e tij në atë kohe. Michael Burke në shënimet e tij përmend faktin se OPC kishte planifikuar të eliminonte personin, i cili po i sillte dështime kaq të mëdha agjencisë së zbulimit amerikan, Ministrin e Brendshëm shqiptar, Mehmet Shehun.
Burke, i cili operonte nga baza e tij në Itali dhe Gjermani Perëndimore dhe fluturonte shpesh në Athinë për të kontrolluar operacionet klandestine në terren, përmend faktin se për këtë operacion, OPC kishte sjellë një oficer me gradën major të forcave speciale amerikane në Greqi. Një avion i vogël zbulimi ishte vënë në dispozicion të këtij oficeri misterioz, i cili kishte ne dispozicion një grup shumë të vogël shqiptarësh, të trajnuar në bazën sekrete amerikane në Gjermani. Ky operacion kishte si mision eliminimin e Mehmet Shehut. Për këtë mision sekret nuk ka shumë informacion dhe nuk është e qartë nëse ka qenë nën komandën e grupit të ndihmës ushtarake në Greqi apo nëse misioni ushtarak pranë ambasadës të ketë pasur dijeni.  Fatkeqësisht Michael Burke në ditarin e tij nuk përmend më asnjë fakt për të na dhënë më shumë detaje nga operacioni sekret përveçse grupi i vogël i OPC ishte i gatshëm në çdo moment për tu parashutuar në brendësi të territorit shqiptar për të vrarë Shehun.
Përse ky operacion nuk pati dritën jeshile, nuk kemi asnjë të dhënë, por supozimi më i mundshëm është se lëvizjet e Shehut, të cilat duhet të jenë monitoruar nga ndonjë agjent i OPC në radhët e shqiptarëve nuk ju ka dhënë mundësi grupit të atentatorëve për t’i zënë pritën e dëshiruar. Një dokument tjetër RG84, i gjendur në arkivin amerikan, i cili flet mbi atmosferën e zyrave amerikane të OPC, Operacioni BGFIEND si dhe oficerët përgjegjës  në Athinë, Horace “Hod” Fuller dhe Bill Brummell, të cilët ishin vartësit e Michael Burke, nuk përmend ndonjë grup të dërguar me mision special. Fuller, i cili ishte përgjegjës për vendet sekrete ku mbaheshin  agjentët shqiptarë dhe operonte nga zyra e vendosur në godinën e Tamios, në katin e 5-të, përmend mjaft detaje nga këto operacione, por nuk ka lënë dëshmi për vrasjen e Ministrit të Brendshëm shqiptar. Nëse ai ka pasur apo jo dijeni, nuk është shumë e qartë, por operacioni i përmendur në një ditar privat të oficerit Burke mund të jetë shumë i mundshëm nëse marrim parasysh faktin që Burke nuk ka pasur qëllim publikimin e këtij ditari dhe krijimin e një operacioni të paqenë.
James McCargar, ish- shefi i parë i operacioneve BGFIEND, i cili u nda nga jeta vitet e fundit. në shënimet e tij private edhe ato të pabotuara nuk përmend asnjëherë nëse ai ka pasur dijeni për ndonjë bashkëpunim të mundshëm të drejtorisë që ai drejtonte dhe Ministrit të Brendshëm shqiptar. McCargar, i cili vinte në OPC nga një shërbim sekret paralel me OPC, i njohur si “The Pond”, dhe drejtuar nga zyra G-2 e James Grombach, ishte një oficer i rëndësishëm. Zyra që ai drejtonte dështoi në operacionet e infiltrimit në Shqipëri dhe për këtë ai bën përgjegjës sovjetikët, të cilët ndihmuan shërbimin shqiptar, të drejtuar nga Shehu. Mçargar dhe shefi i tij, Frenk Uizner Sr, ishin të detyruar që të mbyllnin operacionet shqiptare me një bilanc negativ, duke pranuar në heshtje se shërbimi shqiptar, i drejtuar nga Shehu kishte arritur të fitonte. Është jashtë logjikës që Frenk Uizner, një nga personat më me influencë të CIA-s të sakrifikonte këto operacione më qellim që të ndihmonte karrierën e Mehmet Shehut. Misioni amerikan ishte shumë i thjeshtë. Rrëzimin e Hoxhës dhe vendosjen e një njeriu pro-amerikan në krye të Shqipërisë. Nëse Shehu ishte njeriu i duhur, përse amerikanët duhet të linin në pushtet Hoxhën me idenë se pranë tij kishin njeriun e tyre?  Mehmet Shehu ishte njeriu më besnik i Hoxhës dhe një nga komunistët ekstremistë shqiptarë, i cili me dorë të hekurt shtypi çdo kundërshtar politik. Ishte e pamundur që amerikanët të kenë pasur si bashkëpunëtor një personalitet të tillë dhe të kenë toleruar ekstremizmin e tij në eliminimin e elementëve pro- perëndimore.
VDEKJA E SHEHUT
Vetëvrasja apo vrasja e Mehmet Shehut vazhdon edhe sot të intrigojë me misterin e vet të gjithë ata historianë dhe gazetarë që janë marrë me këtë çështje. Me gjithë dëshmitë e një sërë njerëzish në shërbim të tij asokohe, akoma edhe sot nuk kemi një ide të qartë se çfarë ndodhi atë natë dhjetori në Tiranë. Dëshmitarët kyç tashme janë shumë të paket dhe mjegulla që e rrethon këtë vdekje e bën atë akoma më intriguese. Në morinë e dëshmive, fakteve dhe analizave të bëra për këtë vdekje do të doja të shtoja dy fakte shumë interesante, të cilat janë të panjohura dhe vijnë si dëshmi të shkruara nga Zelanda e Re, vendi ku u përgatit “grupi i njohur i Xhevdet Mustafës”. Halit Bajrami, i njohur si një prej pjestarëve të këtij  “grupi”, që erdhi për atentatin e supozuar ndaj Enver Hoxhës, ka lënë një ditar personal, i cili tashmë ruhet nga familja. Në ditar ka shënime shumë interesante të periudhës së aktivitetit të tij në radhët e partizanëve si dhe kombinacionin e krijuar nga shërbimi shqiptar për ta hedhur atë me mision jashtë Shqipërisë në fillimin e viteve 50-të. Në morinë e shënimeve të Halit Bajramit janë dy fakte me shumë interes, që kanë një lloj lidhje me “vdekjen” e Mehmet Shehut. Halit Bajrami dëshmon se në shtatorin e vitit 1981 ka filluar planifikimin e grupit për të ardhur në Shqipëri. Kjo dëshmi mbështetet edhe nga oficeri i SIS të Zelandës së Re, James Fogarti, i cili ishte një nga pjestarët e grupit të shqiptareve që përgatiti armët për atentatin e supozuar ndaj Enver Hoxhës.
Pra. gati tre muaj përpara “vetëvrasjes së Mehmet Shehut” në Zelandën e Re një celule e Sigurimit të Shtetit merr urdhër për të organizuar një vrasje politike në Shqipëri. Përgatitja e Halit Bajramit dhe porositja për armë kaq përpara kësaj vdekje me përmasa të rënda për Shqipërinë tregon se përgatitjet për një eliminim politik në Shqipëri kishin filluar shumë më përpara se mbledhja e famshme e Byrosë për problemin e Shehut. Deri më tani një pyetje ka mbetur ende pa përgjigje: A ishte kjo celulë e shërbimit sekret shqiptar e përgatitur nga Shehu apo nga njerëz pranë Hoxhës? Ne intervistën e James Fogart, agjentit të SIS neozelandez dhënë përpara disa viteve në Top Channel, të bie në sy fakti se shërbimet perëndimore ishin në dijeni të këtij grupi shqiptarësh, të cilët pretendonin se do të vrisnin liderin jetëgjatë shqiptar, Enver Hoxha.
Nëse ky grup ishte thirrur për ndihmë nga Mehmet Shehu apo jo, fakti është se Halit Bajrami ishte një zbulues shqiptar i infiltruar në Perëndim në vitin 1951, kohë kur këto operacione i drejtonte Shehu. A ishte Bajrami besnik i ish- shefit të tij të dikurshëm apo tashmë punonte për një rreth më të ngushtë të Hoxhës? Fakti që Bajrami, pasi dëshmoi në gjyqin e Kadri Hazbiut u la i lirë për tu kthyer në Zelandën e Re tregon se Bajrami mund të kishte ndryshuar krahët dhe të ishte përdorur në një operacion shumë të komplikuar ku me gjithë kujdesin shumë të madh për të mos rënë në sy, duken gjurme e zbulimit jugosllav. Në ditarin e Halit Bajramit gjithashtu përmendet një e dhënë me shume interes. Bajrami thotë se njerëz të Sigurimit të Shtetit kanë tentuar ta helmojnë në ambientet e burgut ku qëndronte gjatë hetuesisë dhe për këtë arsye e zhvendosen në një hotel ku ruhej 24 orë. Mirëpo përpara transferimit të tij nga burgu, Bajramin e ka vizituar në dhomën e tij dy herë një mjek shumë i njohur në Tiranë. Bajrami thotë se mjeku erdhi me porosi të një rrethi të ngushtë sekret të elitës komuniste, e cila operonte jashtë strukturave të shërbimit sekret shqiptar. Takimi i Bajramit me mjekun e njohur dhe biseda e tyre e bën akoma më të komplikuar misterin e vdekjes së Mehmet Shehut dhe pasardhësit të tij në zyrën e policisë sekrete, Kadri Hazbiu.( Nga Auron Tare) /standardi.info

You must be logged in to post a comment Login