Eshtrat e Isa Boletinit konfirmohen në Strasburg e dërgohen në Prishtinë

isaboletiniEshtrat e heroit kombëtar, Isa Boletini kanë rezultuar të vërteta. Analizat e kryera në Strasburg, që përfshijnë aspektin gjenetiko-molekular, e kanë konfirmuar këtë fakt. Këto eshtra janë tashmë në dorëzim të Institutit Mjekësor Ligjor të Prishtinës. Sipas mediave, duhen edhe disa analiza të tjera për të pasqyruar një profil gjenetik real të heroit, për shkak të vjetërësisë që kanë eshtrat e tij. Po, ashtu përmes këtyre eshtrave, do të mund të nxirren në pah edhe detaje të tjera me rëndësi, që lidhen me moshën si dhe me gjininë. Lajmi bëhet me dije se ka gëzuar mjaft pasardhësit e familjes Boletini, ku një nga nipat e tij, Gazmend Boletini po përgatitet që ti bëjë heroit një varrim të merituar. Sipas intervistës së tij dhënë TCH, varrimi i Boletinit do të bëhet me datë 30 qershor, për shkak se me këtë datë në vitin 1912, Isa Boletini arriti të ngrinte flamurin në veri të Mitrovicës, vendi nga ku ai ka dhe origjinën. Ndryshe, Isa Boletini është vrarë në Podgoricë më 1916 së bashku me 8 persona të tjerë, pasi ishte internuar në Mal të Zi, pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Në atë kohë i është bërë një nderim, një varrim nga ana e austro-hungarezëve dhe iu vu në shenjë simbolike një gur me mbishkrimin Isa Boletinac. Sot kanë kaluar jo pak, por 98 vjet që nga vrasja e tij dhe më në fund, eshtrat do ti prehen të qeta në veriun e Mitrovicës, vendlindjes së tij, një zonë gjithnjë problematike në mes shqiptarëve dhe serbëve. /Dionis Xhafa/

You must be logged in to post a comment Login