Vazhdojnë reagimet kundër Car Dushanit në Shkup

car_798023525Vendosja e përmendores së mbretit serb Car Dushani ka vazhduar me reagimet e vazhdueshme të shoqatave dhe mediave shqiptare në Maqedoni.

Përmendorja është vendosur në pjesën e 30 përmendoreve tjera në të ashtuquajturën Urën e Qytetërimeve në hyrje të ndërtesës së re të Gjykatës Supreme dhe Muzeut Arkeologjik të Shkupit.

Sipas mediave serbe dhe maqedonase Car Dushani ka simbolikën e tij në Shkup, pasi që ai siç shkruhet më 1346 është kurorëzuar në këtë qytet.

Reagimi i djeshëm ka pasuar nga Partia Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), e cila për këtë ka fajësuar partinë shqiptare në pushtet BDI. Por nga ana tjetër një parti minore serbe DPSM, pjesë e koalicionit me VMRO-DPMNE të Gruevskit thekson se pas gjashtë shekujve kanë kthyer Car Dushanin në Shkup. Kjo parti thekson se serbët kanë edhe përmendoren e Mbretit Marko, përkrah Car Dushanit.Këto dy përmendore gjithashtu janë punuar nga ndërmarrja serbe për punimin e përmendoreve “Jeremiq”.

Sot ka reaguar edhe Lëvizja “ZGJOHU!”, e cila ka theksuar se kjo përmendore simbolizon okupimin serb të këtyre trojeve.

“Vendosja e një figure të tillë është kontraverze nga disa aspekte. Sëpari, vendosja e përmendorës së një okupatori serb flet për krizën e identitetit ose serbofilinë e atyre që e kanë vendosur. Sëdyti, në kohë krizë ekonomike dhe varfëri të skajshme, vijohet me vendosjen e përmendorëve me të cilat na përqesh e gjithë bota e civilizuar. Së treti, kjo përmendore e papranueshme vendoset akoma pa u vendosur përmendoret e figurave të ndritura shqiptare”, thekson “ZGJOHU!”. Lidhur me vendosjen e kësaj përmendore kanë reaguar edhe shoqata tjera nga vendi dhe diaspora.

You must be logged in to post a comment Login