Rugova s’kishte ide për ndarjen e Kosovës

SkenderHyseniSkënder Hyseni

Është larg çdo të vërtete dhe çdo arsyetimi normal që Presidenti Rugova të jetë takuar ndonjëherë me Dobrica Cosicin, e le më të ketë biseduar me të për ndarje të Kosovës. Ivan Mrkic pra, po lançon të pavërteta.

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivan Mrkic, ka lançuar këto ditë një trillim të radhës. Ai ka thënë se, gjatë kohës sa ishte President i Jugosllavisë, Dobrica Cosic kishte biseduar me Presidentin Rugova, për ndarjen e Kosovës.

Kjo është krejtësisht e pavërtetë.

Një deklaratë si kjo mund të ketë vetëm një qëllim, e që është përpjekje e përhershme serbe për të diskredituar figurën më të madhe dhe më të pakontestueshme nacionale të Republikës së Kosovës, atë të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Është larg çdo të vërtete dhe çdo arsyetimi normal që Presidenti Rugova të jetë takuar ndonjëherë me Dobrica Cosicin, e le më të ketë biseduar me të për ndarje të Kosovës. Ivan Mrkic pra, po lançon të pavërteta, dhe këtë ai po e bën në një kohë kur shteti i Kosovës ka hyrë në një fazë të rëndësishme të zhvillimit dhe konsolidimit të shtetësisë.

Madje ky spekulim, një e pavërtetë e tillë mund të jetë lançuar tash kur Kosova është ende në proces zgjedhor, dhe natyrisht që për synim ka edhe destabilizimin e Kosovës.

Deklarata e Mrkic se gjoja Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, ka zhvilluar çfarëdo takimi apo ka bërë çfarëdo veprimesh me këdo qoftë për ndarjen e Kosovës, është e pavërtetë, është një trillim i paskrupullt, i papërshkrueshëm dhe i papranueshëm, sepse Ibrahim Rugova asnjëherë gjatë jetës së tij politike nuk ka dashur madje as të diskutojë për idetë e ndarjes së Kosovës.

Kjo deklaratë mbase synon në të vërtetë edhe të çrregullojë krejt këtë dialog, që edhe ashtu po bëhet sa për sy e faqe midis Prishtinës dhe Beogradit. Deklarata e Mrkicit pra tregon se Serbia nuk është serioze në përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

E konsideroj të dobishme në këtë pikë të sjell në kujtesë Deklaratën Politike, të përbashkët të liderëve të 11 partive politike shqiptare në ish-Jugosllavi, të datës 11 tetor 1991. Me këtë Deklaratë, Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte President Ibrahim Rugova, u përcaktua për tri opsione, përkatësisht variante të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi.

Këto ishin:

1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.

2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.

3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton me Shqipërinë dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.

Ibrahim Rugova pra është autor, sponsor dhe promovues i fuqishëm i projektit të pavarësisë së Kosovës me këta kufij.

Prandaj Kosova është shtet sot, në saje të projektit madhor të Ibrahim Rugovës për Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe neutral, në fqinjësi të mirë me çdo shtet tjetër përreth.

Ky ishte vizioni i njeriut që jetën e tij ia kushtoi Pavarësisë, Lirisë dhe Demokracisë së Kosovës.

You must be logged in to post a comment Login