PE: Shqipëria e meriton statusin

EuropeanParliamentGettyParlamenti Europian ka diskutuar sot mbi progresraportin për Shqipërinë. Edhe një herë tjetër, komisioneri për Zgjerim në BE, Stefan Fule kërkoi që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat që në muajin dhjetor. Ai deklaroi se Shqipëria ka bërë një zhvillim mjaft pozitiv dhe se e meriton plotësisht marrjen e statusit. Fule foli për zgjedhjet e rregullta të qershorit, për kalimin e pushtetit pa dhunë si edhe për notat pozitive të progresraportit.

Në të njëjtën linjë ishte edhe raportuesi i Shqipërisë në PE, Nikola Vuljaniç, i cili deklaroi se PE-ja duhet ta mbështesë fort dhënien e statusit për vendin tonë. “Raporti është pozitiv për Shqipërinë. Rezoluta nxjerr në pah arritjet e Shqipërisë. E rëndësishme është dhënia e statusit kandidat. Shqipëria e meriton statusin. Jam i sigurt që do t’i kalojë problemet me ndihmën e BE-së. Shqipëria është populli më i ri në Europë”, deklaroi Vuljaniç.

Libor Roucek-u, numri dy i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian deklaroi se Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm. “Mesazhi ynë është që Shqipëria të vazhdojë në këtë rrugë. Forcat politike të punojnë së bashku. Shqipëria vazhdon të luajë rol konstruktiv”, tha ai.

Ndërsa përfaqësuesja e Holandës Schaake kërkoi që qeveria shqiptare të luftojë korrupsionin. Por gjithsesi, ajo deklaroi se Grupi Liberal mbështet kërkesën e KE-së për statusin. Ehe Eurodeputeti Eduard Kukan kërkoi që Shqipërisë ti jepet statusi pa asnjë vonesë.

You must be logged in to post a comment Login