OSBE: Jo thjesht reforma ligjore, lufta ndaj korrupsionit të bazohet tek aksioni

75199_2TIRANE – Prezenca e OSBE-së në Shqipëri konsideron se ndryshimet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë për të transferuar të gjitha veprat penale që lidhen me korrupsionin tek Gjykata e Krimeve të Rënda, nuk i shërben luftës ndaj korrupsionit.

Përmes një letre drejtuar Komisionit Parlamentar të Ligjeve, OSBE thekson se e mirëpret nismën e Ministrisë së Drejtësisë për të përmirësuar kuadrin ligjor për të luftuar korrupsionin, duke nënvizuar domosdoshmërinë që çështjet e korrupsionit të trajtohen nga organe të specializuara.

“As Gjykata e Krimeve të Rënda dhe as Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk janë aktualisht të specializuara për t’u marrë me çështjet e korrupsionit. Përveç kësaj, Gjykata e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk i kanë burimet financiare dhe njerëzore për t’u marrë me rastet e dyshuara të korrupsionit në vend. Rritja drastike e parashikuar e ngarkesës së punës do ta pengonte, veçanërisht, funksionimin e te dyja këtyre organeve.”- thuhet në letrën e OSBE-së.

OSBE shpreh shqetësim në lidhje me faktin se njësive të specializuara për t’u marrë me rastet e korrupsionit, të ashtuquajturat Njësi të Përbashkëta Hetimore, do t’u hiqet kompetenca e tyre për t’u marrë me rastet e korrupsionit.

Sipas OSBE-së, “fokusi nuk duhet të jetë mbi reformën legjislative, d.m.th. organet e specializuara duhet te pajisjen dhe trajnohen siç duhet dhe organet e hetimit të detyrohen të ndjekin një qasje proaktive përmes llogaridhënies”.

“Në mendimin tonë, kuadri ligjor aktual nuk mund të shihet si arsyeja e deritanishme e dështimit të luftës ndaj korrupsionit. Siç theksohet ne Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, problemi qëndron te mungesa e një qasjeje proaktive, si dhe tek mungesa e burimeve dhe pajisjeve të përshtatshme. Një luftë serioze ndaj korrupsionit do të përqendrohej së pari tek aksioni dhe jo tek reforma thjesht ligjore. Transferimi i juridiksionit siç parashikohet nga projektligji do te mbetej thjesht një reformë ligjore, nëse nuk shoqërohet nga hapa konkrete shumë specifike. Hapa të tillë duhet të konsistojnë të paktën në pajisjen e çdo organi te specializuar qe presupozohet të luftojë korrupsionin me burimet e nevojshme njerëzore dhe materiale. Për më tepër, duhet të garantohet llogaridhënia e atyre që e kanë për detyrë të luftojnë korrupsionin.”- thuhet në letrën e OSBE-së.

PAKETA ANTIMAFIA
Ndryshimi kryesor që Ministria e Drejtësisë i propozon Kuvendit për miratim, është përfshirja e veprës penale të “korrupsionit” në fushën e veprimit të këtij ligji. Sipas ndryshimeve të propozuara, plot 21 vepra penale, që kanë në bazë të tyre “korrupsionin”, do të hetohen dhe gjykohen nga Prokuroria e Gjykata për Krimet e Renda. Ligji aktual “antimafia”, i miratuar në vitin 2009, ka për qëllim parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë.

Konkretisht, në rastet kur ekziston dyshimi se një person mund të jetë përfshirë në veprimtari kriminale dhe zotëron pasuri, apo të ardhura, që nuk justifikohen prej tij dhe kur ekziston rreziku i tjetërsimit, prokuroria i kërkon gjykatës sekuestrimin dhe më pas konfiskimin e pasurisë.

Në rastin e përfshirjes së veprave penale në fushën e korrupsionit, në fushën e veprimit të ligjit (antimafia), atëherë edhe për personat e dyshuar për kryerjen e këtyre veprave penale (të “korrupsionit”) do të zbatohen të njëjtat rregulla.

Konkretisht, prokurori dhe Policia Gjyqësore do të marrin dijeni për pasuritë që duhen verifikuar, sipas këtij ligji, me iniciativën e vet ose me njoftim të bërë nga të tretët. Nëse pas verifikimit rezulton se personi zotëron pasuri apo të ardhura, që nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme, të deklaruara dhe as nuk justifikohen prej tyre, atëherë prokurori mund të paraqesë kërkesë në gjykatë për sekuestrimin apo konfiskimin e pasurisë, nëse plotësohen kushtet e specifikuara më sipër”, sqarohej në relacionin e projektligjit.

Në ndryshimet e propozuara, parandalimi i veprimeve korruptive përmes sekuestrimit dhe konfiskimit të të ardhurave, do të prekë edhe familjarët e një të dyshuari. Dispozitat e ligjit pritet të zbatohen edhe ndaj pasurive të personave të afërm të personave nën hetim, si bashkëshorti, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat, ungjërit, emta, nipërit, mbesat, fëmijët e vëllezërve dhe të motrave, vjehrri, vjehrra, dhëndri, nusja, kunata, kunati, bashkëjetuesi, thjeshtri, thjeshtra, njerku dhe njerka.

Njëkohësisht, ligjit prek edhe personat fizikë apo juridike, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga personat nën hetim.

SHBA:NUK PATI ASNJË KONSULTIM
Një ditë më parë OPDAT, misioni amerikan që asiston palën shqiptare në fushën e drejtësisë penale, ka vënë në dijeni Komisionin Parlamentar të Ligjeve se për ndryshimet në ligjin ‘Antimafia’, qeveria nuk është konsultuar me misionin.

Në letrën që mban datën 19 nëntor 2013, drejtuar kryetarit të komisionit, Fatmir Xhafaj, ekspertët e OPDAT parashtrojnë komente dhe sugjerime të përgjithshme për disa çështje që trajtojnë ndryshimet e propozuara nga qeveria. Sipas ndryshimeve të propozuara, korrupsioni, si një krim i rëndë duhet hetuar dhe gjykuar nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, institucione këto të specializuara në luftën kundër krimit të organizuar. Kjo, vëren OPDAT-it, “zgjeron detyrat e këtyre institucioneve”. Sipas ekspertëve amerikanë, kjo do të “pakësonte vëmendjen ndaj krimit të organizuar dhe nuk do t’i shërbente suksesit të tyre në të ardhmen”.

You must be logged in to post a comment Login