Letta takon Ramën: Italia e do Shqipërinë në BE. Bindim vendet që kanë ende dyshime

italiROME-  Kryeministri italian Enrico Letta tha sot se Italia do të punojë për të bindur vendet që ende kanë dyshime për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Deklarata e tij u bë gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Italia e do Shqipërinë në Bashkimin Evropian dhe do të bëjë një “punë bindëse” me vendet  e BE-së, që ende  kanë dyshime për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, tha ai.

“Për ne nuk ka dyshim, për Italinë ekzistojnë kushtet për një rezultat pozitiv, Shqipëria e di që ka mbështetjen tonë të plotë dhe totale.”- tha Letta.

Ne e dimë se qeveria shqiptare po planifikon të vazhdojë me rrugën e reformave dhe angazhimeve themelore, tha kryeministri italian, duke shtuar se rruga për zbatimin e reformeve  dhe aderimin në BE kërkon  rezultate, dhe rezultatet e para të reformave që Rama ka ndërmarrë janë shumë të rëndësishme, theksoi ai.

Kryeministri italian vlerësoi po ashtu projektin TAP, si një projekt mjaft të rëndësishëm që lidh dy vendet.

Ndërkaq, kryeministri shqiptar, Edi Rama falenderoi kryeministrin italian për mbështetjen që Italia i ka dhënë gjithmonë Shqipërisë.

Sa i përket integrimit, Rama tha se Shqipëria e meriton statusin, ndërsa theksoi se megjithatë qeveria shqiptare po pret me durim vendimin, pasi ka ende ndonjë vend anëtarë që ka dyshime.

“Shqipëria është e gatshme të presë investime të reja italiane, me kushte  që unë besoj se për to do të jenë optimale. Jemi një vend që flet gjuhën italiane, dhe puna e dorës kushton pak dhe Italia është një vend në BE, kështu që puna në përgjithësi ka kostot më të larta këtu. Kemi një vullnet për të ulur burokracinë, ta thjeshtojmë me sa të jetë e mundur, në mënyrë që ndërmarrjet italiane që do vijnë në Shqipëri të kenë shumë lehtësi.”- theksoi Rama, ndërsa foli për bashkëpunimin ekonomik.

Situata në rajon, ishte po ashtu në qendër të bisedimeve mes kryeministrit shqiptar dhe atij italian.

You must be logged in to post a comment Login