Bollano kandidat për kreun e Qarkut të Vlorës

bollanoKryetari i shoqatës së minoritetit grek “OMONIA”, Vasil Bollano, pritet të marrë kreun e Këshillit të Qarkut të Vlorës. Anëtarët socialistë dhe ata të LSI-së në Këshillin e Qarkut të Vlorës do të shkarkojnë këto ditë kryetarin aktual të këtij këshilli, Anesti Dhimojani, i cili u zgjodh në vitin 2011 pas “tradhtisë” së 15 anëtarëve socialistë në këtë këshill, që votuan për kandidatin e djathtë. Vendosja e Bollanos në krye të Qarkut duket se është pjesë e marrëveshjes PS-PBDNJ, e cila vjen edhe pas kritikave të Athinës dhe vetë PBDNJ-së për mospërfaqësim të kësaj partie në qeveri.

Kreu i PBDNJ- së, Vangjel Dule, tha dy ditë më parë se partia që ai drejton, pjesë e koalicionit fitues zgjedhor, për herë të parë në pluralizëm nuk përfaqësohet në qeveri me asnjë portofol ministri. Po ashtu dhe eksponentë të tjerë të lartë, si Bollano dhe Karamelo, kanë shprehur rezerva për mungesë përfaqësimi në nivelet vendore të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.

Socialistëve u duhet të negociojnë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila në zgjedhjet e 23 qershorit arriti të kishte një përfaqësim më të mirë, duke marrë dhe një mandat deputeti në këtë qark. Bollano, ish-kryetar i Bashkisë së Himarës, pas humbjes në zgjedhjet e 8 majit 2011 përballë socialistit Gjergji Goro, pritet të marrë kreun e Qarkut të Vlorës.

You must be logged in to post a comment Login