Berati, qyteti magjepës, që ka tërhequr historikisht artistë shqiptarë e të huaj

Berati-640x549Mbresa nga albumi fotografik “BERATI’’ i Leon Çikës, fotografit që sheh edhe me syrin e piktorit

 

Qerim Vrioni

Rreth një muaj më parë, gjatë zhvillimit të edicionit të radhës së TIFF (Tirana International Film Festival) në Tiranë, u përurua dhe albumi fotografik “BERATI” i fotografit dhe piktorit Leon Çika. Paraqitja para këtij publiku e albumit, mendoj se ishte një zgjedhje mjaft e goditur nga ana e organizatorëve ngaqë të kujtonte lidhjet e vjetra midis fotografisë dhe kinematografisë, riprodhimit të pamjeve në qetësi dhe riprodhimit të lëvizjes. Më ndryshe, së pari ishte fotografia e mandej dhe prej saj, lindi kinematografia.

Historikisht, prej mbi njëqind vitesh, Berati ka tërhequr mjaft artistë pamor, vendas dhe të huaj, duke filluar që nga artisti anglez i penelit, Edward Lear e deri tek piktorë e fotografë të kohëve të fundit, që përbëjnë një numër jo të vogël. Kjo tërheqje buronte dhe buron nga natyra e veçantë e qytetit dhe e rrethinave.

Nga fillimi shekullit të kaluar, në qytet punuan edhe fotografët e parë beratas Koçi Kusta, Naun Vruho e, më pas Ilia Xhimitiku. Ata punonin përgjithësisht për komunitetin, por shpesh herë kapnin me objektivat e tyre imazhe të bukura e të panumërta të qytetit. Me këto shkrepje ata realizonin edhe kartolina (b/z), që shtypeshin përgjithësisht në Itali. Gjithsesi, edhe pse gjatë disa dhjetëvjeçarëve janë realizuar shumë fotografi, fare pak janë përmbledhur në albume, të paktën deri nga fundi i shekullit të shkuar. Veçojmë këtu punën e koleksionistes dhe fotografes beratase, Parashqevi Sahatçi, që ka paraqitur në 2-3 albume me foto të vjetra nga fotografë të ndryshëm, por edhe të sajat.

Qyteti i Beratit, siç pranohet dhe pohohet jo vetëm prej atyre që merren me art, por edhe të tjerëve, është tepër piktoresk. Ai ka mjaft pika këndvështrimi të cilat dhurojnë pamje magjepsëse, por dhe që ndryshojnë nga njera-tjetra, të gjitha joshëse e, njëherazi të veçanta. Në shumë prej tyre do të gjesh në sfond malin e Tomorrit (“fronin e Perëndisë”), ose Baba Tomorrin, siç i thonë familjarisht vendasit, ose atë të Shpiragut, në anën tjetër e, në mes tyre një dyshe dhe aks interesant që përbëhet nga Kalaja dhe Gorica, që ndodhen përballë njëra-tjetrës. Kështu, për ta fotografuar Beratin, mbase duhet shikuar me syrin e piktorit, përveç atij të fotografit. Leon Çika e plotëson këtëkusht; ai ka studiuar për pikturë, e lëvroi atë jo pa sukses, por më pas iu përkushtua edhe fotografisë. Jeta e tij krijuese tashmë ecën mbi dy shina, pikturën dhe fotografinë, pa i mbajtur anën asnjerës, duke i trajtuar si fëmijë binjakë e, përftuar kështu nga secila kënaqësi ndjesore të mëdha për vehte e për të tjerët. Kultura shqiptare njeh edhe raste të tjera, të piktorëve të shquar që kanë lëvruar me sukses edhe fotografinë. Le të kujtojmë, Kol Idromenon, Sadik Kacelin, Vangjush Mion, Andrea Kushin, Pleurat Sulo etj. Çika, duket se e ka shfrytëzuar me shumë aftësi edhe përvojën e tyre të vyer në lëvrimin e dy arteve. Sidoqoftë këto nuk do mjaftonin nëse nuk do shoqëroheshin me dashurinë e veçantë të Leonit për Beratin që ndoshta përbën një çelës të rëndësishëm të suksesit.

Fotot e albumit, përgjithësisht hyjnë në peizazhet urbane, ku spikat veprimi i njeriut mbi mjedisin rrethues. Gjithsesi, të shumta, por edhe të ndjera janë dhe shkrepjet e pamjeve pa gjurmë të dorës së njeriut. Fotografitë e albumit shpesh paraqiten si kompozime të mirëfillta që mund t’u vendoseshin fare mirë edhe emra me karakter psikologjik dhe filozofik, edhe pse me numër të kufizuar elementësh grafikë në to. Po ashtu, në fotografitë e Çikës, thuajse nuk gjendet fare ndonjë “sipërfaqe parazitare” e, ato sikur janë distilime të atyre pamjeve të përgjithëshme që mbizotërojnë mjedisin. Fotot e albumit janë larg shkrepjeve kartolineske, që në raste përmbledhjesh të tilla janë të zakonshme. Çika, operon i sigurt e me sukses në fotografi nëpërmjet gjetjes së këndmarrjes, kuadrimit dhe ndriçimit të imazhit, që përbëjnë mjetet kryesore shprehëse të artit të fotografisë.

Albumi fotografik “Berati” e përfaqëson Leon Çikën si fotograf i cili e njeh mirë dhe e dashuron dritën me lodrimet e stërholluara të saj, duke shpërfaqur kësisoj finesë të rrallë. Ai e gjen dritën si në planet e afërt, ashtu edhe në sfonde, për ti dhënë shpesh asaj njolle të ndriçuar statusin e pikës së rëndesës së fotos, çka nuk është e përhapur shumë në fotografinë shqiptare. Njëkohësisht, ai trajton me aftësi të admirueshme e të rrallë kontrastet tonale (por jo të forta), ndonëse vepron në fotografinë me ngjyra, ku të “shtëpisë“ janë ato koloristike. Kështu, mjaft fotografi të albumit të krijojnë përshtypjen se po sheh një pikturë me ngjyra të mbajtura, gjë që shton kohën e kundrimit me vëmendje e, njëherazi dhe me kënaqësi të tyre. Madje, nga kujdesi i Çikës në zgjedhjen dhe gërshetimin e ngjyrave të pamjeve që do kap me objektivin e tij, herë-herë, në shikimin e parë, të duket se po sheh një foto monokromatike e po ashtu, sikur po vështron fotografinë e një peizazhi të mirë me vaj.

Fotografi Çika, ka përdorur për përgatitjen e fotove të albumit si teknikën analoge ashtu edhe atë digitale. Janë rreth 300 foto, por për t’i përzgjedhur këto, duhet të siteshin, ndoshta shumë më tepër. Kjo kohëndarje që gjithashtu është pjesë e procesit krijues artistik, tregon se fotografi ynë, edhe këtu shpalos zotësi dhe siguri.

Përmbledhjet fotografike të këtij lloji, përgjithësisht duhet të plotësojnë dy vektorë, atë njohës, informativ (në rastin tonë qyteti i Beratit) dhe atë estetik. Leon Çika i ka mëshuar më tepër të dytit, duke bërë që “shkrepjet” e tij të kenë nivel të atillë që të hyjnë në artin e fotografisë. Ai, ashtu si dhe më parë (bashkëautor në një ekspozitë shumë interesante për turizmin më 2006), e ka realizuar synimin e dëshiruar; albumi përbën një vepër me vlerë në fotografinë shqiptare nga e cila kanë ç’të mësojnë edhe ushtrues pasionantë të artit të fotografisë në vend. Gjithashtu, mendoj se albumi e ka staturën për t’a përfaqësuar denjësisht fotografinë shqiptare edhe në botën e jashtme. Emocionet e lindura nga imazhet e natyrës të para drejtëpërdrejtë, fotografi i ka hedhur në letër dhe që tashmë përcjellin ndjesi edhe tek shikuesi i fotove. Për këtë, atë e ka ndihmuar jo vetëm aftësia e tij e veçantë si fotograf, por edhe lidhja e gjatë shpirtërore tij me qytetin e Beratit. Mungesën e madhe të albumeve fotografike të këtij niveli, vepra “Berati” i Leon Çikës, e zbeh mjaft duke u dhuruar dashamirëve të shumtë të fotografisë, por dhe të Beratit, ndër ta edhe shkruesi i këtyre rradhëve, kënaqësi njohëse, por sidomos estetike.

 

You must be logged in to post a comment Login