Banka Botërore miraton huanë 85.3 mln dollarë për ujësjellës-kanalizimet në Durrës

durres_plazhNjë ndihmë e madhe financiare në përmirësimin e ujësjellës-kanalizimeve për qytetin bregdetar të Durrësit dhe përfituesit e shërbimit cilësor do të jenë banorët që jetojnë në këtë zonë turistike.

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Grupit të Bankës Botërore miratoi sot një hua të re për të ndihmuar Shqipërinë që të përmirësojë cilësinë e shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve në qytetin bregdetar të Durrësit si dhe performancën financiare të ndërmarrjes së ujësjellësit të këtij qyteti.

“Huaja e IBRD-së prej 85.3 milionë dollarësh amerikanë për Projektin e Investimeve për Sektorin e Ujit në Shqipëri ka për qëllim të përmirësojë rrjetin ekzistues të ujësjellës-kanalizimeve në rajonin e Durrësit, qyteti i dytë më i madh i vendit dhe njëri prej destinacioneve kryesore turistike të vendit, si dhe porti kryesor i Shqipërisë”, citon njoftimi për shtyp i zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.

Të njëjtat burime bënë me dije se objektivat e projektit do të arrihen nëpërmjet:
-investimeve parësore në rrjetin e ujësjellësit dhe ndërtimit të tubacioneve për transportin e ujit për të përballuar pamjaftueshmërinë e tij gjatë pikut të sezonit turistik; investimeve dytësore që i lidhin fshatrat me sistemin e ujësjellësit të qytetit; dhe investimeve parësore për të ulur humbjet në rrjetin e shpërndarjes së ujit.

-investimeve parësore në rrjetin e kanalizimeve dhe rritjes së kapacitetit të transferimit nga zona bregdetare turistike në impiantin ndërtuar rishtazi të trajtimit të ujërave të zeza në Durrës.

– mbështetjes së mëtejshme për ndërmarrjen e ujësjellësit për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve të ofruara prej saj dhe situatën e saj financiare.

“Qeveria i ka kushtuar përparësi sektorit të ujit dhe e ka përcaktuar zonën e Durrësit si përparësi në programin e saj. “Për rrjedhojë, projekti ofron mundësi ideale për të çuar përpara axhendën e reformave të politikave dhe atyre institucionale, të shprehur edhe në programin e qeverisë dhe strategjinë sektoriale, të shoqëruara këto me financimin e investimeve parësore”, tha Tahseen Sayed, menaxherja e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.

Theksohet se përfitues do të jenë vetë banorët që do të kenë ujë të pastër, kanalet e ujrave të zeza do të trajtohen duke sjellë një mjedis të pastër dhe të mbrojtur.

“Përfituesit kryesorë të projektit do të jenë rreth 400,000 qytetarë në sezonin e pikut (330,000 në pjesën tjetër të vitit), të cilët do të përfitojnë nga përmirësimet e shërbimeve në rajonin e Durrësit. Kjo përbën një përmirësim rrënjësor përsa i përket furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujërave të zeza, mbulim më të gjerë të zonave urbane dhe rurale, si dhe mbrojtje më të mirë mjedisore të burimeve ujore në bregdet”, tha David Michaud, specialist i lartë i Bankës Botërore për sektorin e ujit dhe drejtues i ekipit të projektit.

Më parë, Banka ka financuar tri projekte investimesh në sektorin e ujit. Këto projekte kanë financuar rehabilitimin e rrjetit të furnizimit me ujë, kanë forcuar kapacitetet si dhe kanë zbatuar reformat institucionale.

Shqipëria u bë anëtare e Bankës Botërore në vitin 1991. Që prej kësaj kohe janë mbështetur 73 projekte me një vlerë të përgjithshme prej 1.2 miliardë dollarësh nga IDA-ja dhe IBRD-ja, si dhe 49 projekte me vlerë të përgjithshme prej 225 milionë dollarësh nga IFC-ja.

Aktualisht në Shqipëri po zbatohen pesë projekte në sektorin social, burimet natyrore, sektorin e ujit, energjisë, menaxhimin e sektorit publik, të cilët po e ndihmojnë Shqipërinë të arrijë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social dhe t’i hapin rrugën integrimit evropian.

You must be logged in to post a comment Login