POLITIKA SERBE PËR ASIMILIMIN E SHQIPTARËVE DHE NDALIMIN E ARSIMIT SHQIP NË KOSOVË GJATË VITEVE 90-TA-

1014427_10200822587504868_111001407_nNga – Mr. Safet HASANI

Shteti Jugosllav dhe ai serb ka zbatuar një politikë shovene e nacionalist-agresive ndaj popullit shqiptar, politikë kjo e sintetizuar nëpërmjet “Narçetanijes” të Ilija Grashaninit, nëpërmjet së cilës ka arritur të pushtonte e të kolonizonte ¾ të territorit shqiptar. Qëndresa e shqiptarëve në Kosovë nuk u ndërpre asnjë herë pavarësisht formave dhe taktikave serbo-sllave. Sllavë – serbët përdorën vrasje sistematike ndaj shqiptarëve dhe zhdukeshin patriot, njerëz të pendës më të mirë të kombit shqiptar në Kosovë. Duke realizuar planet shoviniste realizohej edhe plani famëkeq i Vaslo Çubrilloviqit, duke dëbuar me qindra mijëra shqiptar për në Turqi dhe vende tjera perëndimore. Terror i egër u përdor përgjatë gjysmë shekulli, që pas LDB-së, në të cilën kundër shqiptarëve janë përdorur torturat më shtazarake.

Nga fundi i vitit 1968 në Prishtinë shpërthyen demonstratat masive ku kërkohej shpallja e Republikës së Kosovës dhe hapja e Universitetit të Prishtinës. Për të normalizuar situatën pushteti i atëhershëm jugosllav i dha Kosovës disa të drejta, si; njohja e flamurit kombëtar, dygjuhësisë dhe Universitetin e Prishtinë. Në një situatë tendencioze dhe duke qenë në rritje zemërimi i shqiptarëve nga shtypja që bëhej nga pushteti jugosllav, me 1974 Kosovës i epej statusi i Krahinës Autonome. E që në anën tjetër inteligjenca e UDB-ës vazhdonte asimilimin dhe shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova, implementimin e platformës së Çubrilloviqit. Duke qenë se shqiptarët janë një etnitet me një popull kompakt dhe homogjen, në territore të përcaktuara, me gjuhë, kulturë dhe histori krejtësisht të ndryshme nga sllavët bënë që brenda atmosferës politike në Jugosllavi të ketë përplasje. Pasi që Beogradi nuk ishte real me popullin shqiptar, menjëherë filluan përplasjet edhe me nacionalitete tjera në Jugosllavi, si; kroat, slloven, boshnjak, kryesisht pas rënies së Murit të Berlinit. Me rrethanat e krijuara në Kosovë gjatë periudhës së autonomisë, shqiptarët synonin më shumë, kërkesat e tyre politike ishin të qarta, kurse serbët, të frikësuar se tashmë e kishin humbur Kosovën, shihnin shansin e fundit për ta rifituar atë. Antagonizmi i papajtueshëm i këtyre kërkesave dhe synimeve politike do të nxjerrë në skenën e Kosovës ngjarjet e vitit 1981. Me demonstratat e 11 marsit të vitit 1981, rinia studentore e Kosovës i tregoi botës se populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve të saj në ish-Jugosllavi është i pushtuar dhe i ndarë padrejtësisht nga trungu i Shqipërisë, dhe se, ai po vazhdon të vuaj nën çizmen e komunizmit serbo-jugosllav, duke iu shkelur të gjitha të drejtat njerëzore dhe kombëtare. Këto demonstrata tronditën Evropën duke shembur iluzionet “bashkëjetesën e popujve në konfederata të improvizuara”. Shqiptarët ishin të parët që i treguan botës se “federalizmi shumëkombësh” nuk funksiononte siç propagandohej, sepse liria dhe mirëqenia e një pale sigurohej në kurriz të nënçmimit dhe shfrytëzimit të palës tjetër. Që nga ngjarjet e vitit 1981 Jugosllavia  hyri në planin hapur të deshiptarizimit në Kosovë. U përpiluan dhe u miratuan 1360 akte politike, juridike, të veçanta në funksion të kolonizimit të Kosovës me serb dhe malazez. Tërë dhjetëvjeçarin e viteve 80-ta u përdorën, dhunë, plane për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova. Prej vitit 1981-1991, kur Kosova nuk gëzonte asnjë mbrojtje kushtetuese, u keqtrajtuan nga policia serbe 700.000 shqiptar, u vranë dhe masakruan me qindra, u përzënë nga puna mbi 70.000 shqiptar, u mbyllën shkollat dhe Universiteti i Prishtinës, studentët dhe mësimdhënësit u dëbuan nga objektet mësimor.

Qëndrimi i Unionit Studentor të Universitetit të Prishtinës gjatë kohës së pushtimit në Kosovë

Edhe se në Rezolutën nr. 44/147, të Mbledhjes 82 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (1992), dhe në Rezolutën nr. 48/93, të Mbledhjes 83 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (1993), thuhet se; “të gjithë popujt e kanë të drejtën që, lirisht dhe pa ndërhyrje të jashtme, ta përcaktojnë statusin e tyre politik dhe të shkojnë përpara në zhvillimin e tyre ekonomik, social, kulturor”, një gjë e tillë ishte e ndaluar për shqiptarët e Kosovë dhe pjesëve tjera të ish-Jugosllavisë. Pas vitit 1990 Serbia u vërsul me të gjitha mjetet dhe metodat për zhbërjen e arsimit, kulturës  dhe shkencës në Kosovë. Hapur kundër arsimit në Kosovë, posaçërisht Universitetit të Prishtinës dolën profesorët serb, siç ishte Millosh Cërrnjanski dhe shumë të tjerë, i cili kishte deklaruar; “Nuk mund të kuptojë përse shteti i Jugosllavisë hap fakultete në Prishtinë…. Çdo shqiptar i shkolluar është një armik më shumë për shtetit të Jugosllavisë”. Qëndrimet antishqiptare nga regjimi serb bënë që UP-së të shndërrohet në një qendër e fuqishme e arsimit, shkencës dhe kulturës. Studentët duke organizuan protesta të shumta duke filluar që nga ato në pranverën e vitit 1981, ku shënon njërën nga etapat për liri të popullit shqiptar. Aktiviteti i studentëve për liri të popullit shqiptar, regjimi serb i Beogradit iu kundërvu me forcë, duke përdorur të gjitha potencialet ushtarak, policor dhe duke bërë propaganda të ndryshme për të distancuar popullatën nga qëndrimet e studentëve. Politika zyrtare serbe e Beogradit, UP-së shpalli qendër të “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”. Kështu vazhduan arrestimet e profesorëve, studentëve dhe nxënësve në mbar Kosovën. Kështu, që nga suprimimi i autonomisë së Kosovës nga regjimi serb në mars të vitit 1989, të gjitha forcat e shtetit jugosllav u përqendruan për mbylljen e UP-së dhe institucionet shkencore. Masat e dhunshme administrative të shtetit serb në Universitetin e Prishtinës kishin filluar që nga viti 1990, por më 27 qershor 1991 u fuqizuan dhe futën në funksion, në fakultetet, Filozofik, Filologjik, Shkencave Matematikore Natyrore, Juridik, Ekonomik, Ndërtimtarisë, Bujqësisë, Arteve, Kulturës Fizike dhe Fakultetin Xehetarë Metalurgjik në Mitrovicë.  Po në qershor të vitit 1991, pushteti serb pasi dëboi në mënyrë masive të gjithë studentët dhe profesorët shqiptarë nga objektet universitare ndërmori masa të dhunshme në të gjitha institucionet arsimore dhe shkencore në Kosovë.

Për mbrojtjen e Universitetit të Prishtinës dhe kundër masave të dhunshme administrative në të gjitha institucionet shkencore e kulturore të Kosovës, si dhe kërkesën për Kosovën Republikë studentët e UP-së organizuan protesta më 18, 25 dhe 27 qershor 1990. Kërkesat e studentëve ishin për largimin nga Kosova e formacioneve speciale ushtarake dhe policore, të hiqen masat e dhunshme nga institucionet shkencore dhe kulturore të Kosovës, të lirohen të gjithë të burgosurit politik shqiptar, që ishin burgosur nga regjimi serb. Protesta e 25 qershorit ishte shumë masovike, edhe se u pengua nga forcat e shumta policore dhe ushtarake serbe ato vazhduan marshutën deri te fakulteti Filologjik dhe Biblioteka Kombëtare. Protesta ishte udhëhequr nga Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës, si dhe shumë profesor të Universitetit. Këto protesta bënë jehonë të madhe si në vend ashtu edhe në arenën Ndërkombëtare. Dhuna dhe presioni i forcave serbe ndaj institucioneve shkencore në Kosovë tentonte që të shuhet arsimi në Kosovë në gjuhën shqipe në ish-Jugosllavi, andaj studentët ngritën zërin për dhënien fund të kësaj dhune.

Me 2 shtator 1991, ditën kur duhej të fillonte procesi mësimor 1991/1992 në Kosovë, forcat të shumta policore dhe ushtarake serbe kishin bllokuar të gjitha objektet arsimore, shkolla, universitete dhe nuk lejuan hyrjen e nxënësve dhe studentëve nëpër objektet shkollore. Ky vendim ishte në kundërshtim të plotë edhe me kushtetutën e vetë shtetit jugosllav dhe me të gjitha konventat ndërkombëtare. Ndaj këtij akti Universiteti i Prishtinës, profesor, student dhe nxënës do të protestojnë me 10 shtator 1991, ku morën pjesë me dhjetëra mijëra qytetar në mbar Kosovë. Qëllimi ishte informimi i opinionit ndërkombëtar për gjendjen e krijuar në arsimin në Kosovë. Gjatë protestës policia përdori dhunë. U arrestuan dhe u rrahën shumë profesor, arsimtar, nxënës, student dhe qytetar tjerë. Në ushtrimin e dhunës ndaj protestuesve forcave policore serbe iu kishin bashkangjitur edhe popullata serbe, duke përdorur fjalime banale ndaj shqiptarëve dhe kishte ushtruar dhunë përkrah policisë.  Protestat vazhduan edhe me datë 10 dhe 24 shtator për lejimin e fillimit të procesit mësimor, por ajo nuk u lejua dhe u ndërprenë protestat me dhunë nga forcat policore serbe.

Kërkesat e protestuesve shqiptar, të parashtruara në protestat e shtatorit nuk u përfillen nga shteti serb ku gjendja e rëndë mbeti e pandryshuar. Andaj, më 2, 3 dhe 4 tetor, përsëri u organizuan protesta gjithë popullore në mbrojtje e shkollës shqipe dhe universitetit. Protestat u organizuan para ndërtesave të shkollës shqipe, në të gjitha vendbanimet e mëdha të Kosovës. Pjesëmarrja ishte masive, gjerë sa ndërhyrja e forcave të sigurimit serb ishte brutale.

Në mbledhjen e mbajtur e Kuvendit të Universitetit të Prishtinës, me 26 nëntor 1991, u vendos vazhdimi i mësimit në gjuhen shqipe jashtë lokaleve të universitetit që ishin të uzurpuara nga administrata e dhunshme dhe policia serbe. Në këtë mbledhje e mbajtur me 26 nëntor 1991, u zgjodhën struktura e re drejtuese e Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Ejup Statofci u zgjodh rektor, gjersa prorektor u zgjodh Prof. Dr. Esref Ademaj. Duke kaluar në një situatë të rënd arsimi në Kosovë, Këshilli Koordinues për Arsim miratoi strategjinë për fillimin e mësimit, përkatësisht vitit shkollor 1991/1992 nëpër shtëpitë private. Kështu filloj rimëkëmbja e arsimit shqip në Kosovë. Me 6 janar 1992 startoi punën shkolla e parë shqipe. Kështu në tërë qytetet e Kosovës në muajin mars 1992 fillon arsimi nëpër shkolla, si dhe viti i ri akademik në Universitetin e Prishtinës. Kjo ishte edhe faza e rimëkëmbjes dhe mbijetesës së Universitetit të Prishtinës në kushte të jashtëzakonshme. Universiteti i Prishtinës në kushte të jashtëzakonshme veprimtarin shkencore dhe arsimore e vazhdoj deri më 21 mars 1999, kur u ndërpre përkohësisht për shkak të luftës. Në luftën 1998/1999 nga forcat serbe u vranë 322 student dhe 8 mësimdhënës të universitetit, shumica prej tyre ishin pjesëtarë të UÇK-së.

Universiteti i Prishtinës me procesin mësimor nëpër shtëpitë shkolla ishte e vetmja rezistencë jo e armatosur në Kosovë, pas atyre të lëvizjeve kombëtare që organizonin luftën deri në çlirimin e vendit. Rifillimi i Universitetit të Prishtinës dhe mbar arsimit në Kosovë mbase ka qenë më i vështirë edhe se vetë fillimi i Universitetit. Studentët dhe shumica e profesorëve në krye me rektorin Ejup Statofcin, në kohërat e vështira që kalonte Universiteti i Prishtinës organizuan protesta kryesisht paqësore, për rikthimin e objekteve universitare nga pushtuesi serb. Vitet 1996-1997, kur realizoheshin takimet mes politikanëve shqiptar të kryesuar nga LDK-ja dhe ata serb, për përmirësimin e arsimit në Kosovë, UPUSP-ja dhe Rektori Ejup Statofci ishin skeptik lidhur me marrëveshjen që do të funksionoj.

Me 1 shtator 1996, u nënshkrua “marrëveshja” për “përmirësimin” e kushteve të arsimit në Kosovë, mes përfaqësuesve shqiptar dhe atyre serb. Marrëveshja u nënshkrua me ndërmjetësimin e shoqatës “Shën Egjidio” nga Vatikani. Kjo marrëveshje asnjëherë nuk u realizua në realitet, por Serbisë iu dhanë disa privilegje nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe iu hoqën disa pengesa izolimit ekonomik që iu kishin dhënë shtetit serb për situatën në Kosovë. Prof. Dr. Statovci vihej në ballë të studentëve në protestën kundër regjimit serb!.. Ideja për fillimin e demonstratave të studentëve kishte lindur në fund të vitit 1996 dhe fillim të vitit 1997 nga bisedat dhe analizat e shpeshta që  kishin bërë  studentët,  Bujar Dugolli, Albin Kurti, Muhamet Mavraj, Driton Lajqi dhe Nazmi Muzlijaj, së bashku me rektorin e UP-së Prof. Dr. Ejup Statofcin. Kështu në gusht të vitit 1997, studentët në Prishtinë filluan në organizimin e protestave, sepse autoritet serbe nuk e kishin zbatuar marrëveshjen e vitit 1996. Studentët kishin lidhje me anëtarët e SHP të UÇK-së, që harmonizonin qëndrimet e tyre në sfidën e tyre ndaj çështjes kombëtare. Studentët u përkrahen fuqishëm nga Rektori Ejup Statovci dhe mbar profesorët patriot të UP-së, përkundër shumë pengesave arritën që më 1 tetor të vitit 1997, të organizojnë protesta në Prishtinë.

Në një ndërtesë e cila në pamje të parë, të len përshtypjen e një shtëpie të rëndomtë banimi, në lagjen Velania të Prishtinës, nisën protestat e para studentore të atyre viteve. Nga ajo shtëpi në rrugën e cila sot mban emrin “Një Tetori”, emrin e fillimit dhe të lavdisë së atyre ngjarjeve të pavdekshme historike. Në atë shtëpi ishte vendosur Rektorati i Universitetit të Prishtinës i atëhershëm pas okupimit klasik të Kosovës nga ana e Serbisë. Në atë shtëpi u hartuan, përgatitën e protestave të 1 tetorit 1997, ku prej aty edhe filluan demonstratat historike. Në këto protesta, shumica e studentëve dhe popullit të thjesht, dolën në përkrahje të UÇK-se. Rektori i atëhershëm i Universitetit të Prishtinës z. Ejup Statovci, u bë shembull i pa shuar në protestat gjithëkombëtare duke dal në ballë të studentëve, të cilëve nuk iu nda për asnjë çast, i renditur në radhët e para në ballë të protestave, bashkë me organizatorët e devotshëm dhe protestuesit e atyre demonstratave historike. Autoriteti njerëzor i tij për gjashtë vjet me radhë e kishin mbrojtur Universitetin jashtë rrjedhave nga politika, dhe mbante lidhje të ngushtë ishte me anëtarët e lëvizjeve për çlirimin e vendit (UÇK). Protestat bënë jehonë në gjithë botën demokratike, por me to nisi edhe zbërthimi i fatit të Kosovës së pushtuar ngase nga ai vend dhe nga ajo datë historike, e 1 Tetorit të vitit 1997, filloi edhe zgjidhja e ardhmërisë së vendit tonë, për tu përmbyllur me fitoren e lavdishme të luftës së UÇK-së.

Në anën tjetër shtetit serb iu hapën dyert që pjesëtarët e UÇK-së t’i ndiqte në çdo cep të Kosovës. Kështu, forcat serbe  pas një vëzhgimi të një kohe të gjatë të anëtarëve të SHP të UÇK-së me 28 janar 1997 në Prishtinë në një pusi arrestohet Nait Hasani. Tri ditë më vonë më 31 janar 1997, në një pritë të organizuar nga policia serbe në fshatin Pestovë të Vushtrrisë vriten tre udhëheqësit e lartë të UÇK-së, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Në mars 1997, në Shqipëri, ndodhën revoltat e mëdha të qytetarëve kundër skemave piramidale, duke e sjellë shtetin shqiptar në një kaos politik dhe ekonomik, por duke sjellë edhe pasiguri dhe viktima të shumta. Këto ngjarje u përjetuan shumë rëndë tek shqiptarët kudo që ishin në trojet e tyre, sepse lufta që ishte në prag, kërkonte një Shqipëri stabile, të fortë dhe krah i fuqishëm i çështjes së Kosovës..

You must be logged in to post a comment Login