Një udhëtim në Amantia, qytetin antik të harruar

pamjeMakina devijon ngadalë. Lëmë pas rrugën kryesore Qafë e Luadhit-Amonicë. Ecim në një rrugë gjarpërushe të shtruar me çakull. Asnjë tabelë që të orienton. Vazhdojmë me shpresën se mund të takojmë dikë,që mund të na drejtojë. Pak metra më tutje, pas një kthese të vogël, orientimi ynë bëhet më i thjeshtë.  Në të djathtën tonë ngrihet një lapidar në nder të heronjve të kombit. Lapidari është kthyer në një tabelë informimi “Festa e Amantias 2012”, “AMANTJA”. Zhgarravinat ia zbehin bukurinë përkujtimore. Gërvishtje dhe beton i rënë përtokë. Aspak një monument në kujtim të të rënëve. Shoqëri i bëjnë ferrat e mbira në çdo cep të tij. Pranë eshte vendosur një shufër betoni. Dikush ka menduar t’i jap një funksion. “Tabelë rrugore”! Me ngjyrë të kuqe e gërma gjigande  lexojmë:  “100 m larg Amantja”  dhe  “D. 2 Qershor”.

Në rrënojat antike

Gërmadhat e qytetit antik shtrihen  brenda fshatit Ploçë, gati 35 km në jug-lindje të  Vlorës. Në verilindje të  parkut antik të  Amantias është rrjedha e lumit Vjosë dhe në jugperëndim shtrihet lugina e lumit Shushicë. Lëmë pas lapidarian. Ecim duke mbajtur mend se Amantja është vetëm 100m larg.

Ndiejmë tronditjet e makinës. Shohim dikë. Një bari me tufën e tij të dhive ecën në drejtimin tonë. Afrohemi duke e përshëndetur. Mësojmë më tepër se si të arrijmë në Amantia.Tingujt e këmborëve të dhive i japin ritëm bisedës sonë.

-“Kur të mbërrini në majë të kodrës  mos zbrisni nga makina.  Ka qenë stani e mund t’ju turren. Kërkoni Agim Xhelilin, rojen e Amantias.” – na këshillon, Pirro Elmazi, bariu i zonës.

Marrim  tatëpjetën. Qyteti antik i Amantias është i shtrirë në kreshtën e një kodre, mes dy majave në këmbë të një  varg–kodrinash. Një majë shkëmbore fotografohet nga sytë tanë në formën e një koni gjigant. Rrotat e makinës lëvizin mundimshëm nëpër rrugën e ngushtë e të “asfaltuar” me çakull. Bari  ka humbur ngjyrën e klorofiltë. Ferrat dhe kaçubet prej prralli mbushin kodrat rreth e qark.  Ndalojmë.  Parku arkeologjik fillon të na zbulojë rrënojat e para të antikitetit. Asnjë zhurmë, asnjë pëshpërimë. Një shesh i madh na uron “mirëseardhjen”.

Stadium modern në gërmadhat antike

Në lindje të tarracës,  në pjesën më të ulët dallojmë një fushëNë skajet  e të cilës janë vendosur dy porta futbolli pa rrjeta. Tepër moderne për të qenë antike. Ecim për të parë se kujt i përkasin gurët e vendosur në trajtë shkalle në fund të sheshit. Asnjë informacion për të ditur ku jemi. Përbri shkallëve shohim një tabelë të bardhë. I afrohemi për të lexuar informacionet e shkruara. Mundohemi të lexojmë, por më kot. E bardha mbi “të bardhë”.  E pushtuar nga lule fieri, gram dhe e rrethuar nga një rrjetë teli. Nuk e kuptojmë nga se e ruajnë. E ruajnë nga kolonizimi i ndryshkut, shiut, diellit të nxehtë apo viteve??? I afrohemi tabelës aq sa mund ta cekim me hundë. E vetmja gjë që arrijmë të lexojmë është se kemi të bëjmë me një stadium.

Stadiumi i Amantias. Tek- tuk arrijmë të shquajmë disa fjalë në anglisht. Jemi me fat që mbajmë në duar një libër historik mbi Amantian. Stadiumi është zbuluar në vitin 1949. Ai na ngjason me një figurë gjeometrike, një katërkëndësh me një brinjë të lakuar. Ky lloj ndërtimi përdorej në kohën helenistike dhe është  tipike e stadiumeve antike . “Terminus post quhem (pas kësaj kohe)  vjen pushtimi romak” për Amantian.  1, 2, 3 …. numërojmë 17 radhët e shkallëve të ngurta në krahun perëndimor të stadiumit. Ndërsa në atë lindor numërimi ndalon tek e 8-ta. Blloqet e shkallëve të stadiumit janë të mbushura  plot vrima e gropëza të vogla. Ngjyra e tyre e errët thyen të përhimtën e gurëve. Mes tyre tashmë ka depërtuar dheu dhe barërat. Këto blloqe janë të  ndërtuar nga gurë gëlqerorë konglomerat, të nxjerra nga shkëmbinjtë gëlqerorë të pllajës së Ploçës. Aspak të qëndrueshëm kundrejt ndryshimeve atmosferike. Gurët kanë një gjatësi mesatare rreth 1 metër me gjerësi rreth 0,60 metra dhe trashësi prej 0,35 metra.

Jemi tek  “gropa e Kovaçit”.  Sheshi i  stadiumit është i veshur tek – tuk me barë. I mbirë pa asnjë lloj rregulli. Dikur, paraardhësit tanë organizonin lojëra të ndryshme sportive. Jemi në kërkim të  gjurmëve  të lëna nga agonotetët dhe epimeletët, organizuesit e lojërave sportive. Mundohemi të krijojmë një imazh të lojtarëve  dhe spektatorëve  të dikurshëm. Por, zbrazëtia  e stadiumit të pengon të fantazosh më tej. Spektatori i fundit ishte një gjarpër që kishte lënë gjurmë, lëkurën e tij. Stërgjyshërit tanë thonë se sjell fat, ndaj e marrim si kujtim.

Anash fushës shohim “dy lojtarë”. Ata janë një kalë dhe një mëz të cilët kullosin të qetë. Kali mban mbi shpinë një samar ngjyrë bezhë dhe në qafë një zinxhir të lidhur në një daltë të ngulur në tokë. Mëzi qëndron pranë së ëmës e herë pas here afrohet pranë saj për të pirë qumësht. I lëmë të qetë në shoqërinë e njëri – tjetrit. Vendosim të shkojmë në majë të kodrës. Përshkojmë rreth 1200 metra të tjerë. Krahas nxehtësisë së diellit nuk na lënë  rehat as ferrat dhe shkurret që kishin mbirë gjatë gjithë rrugës. Pa asnjë lloj keqardhje ato gërvishtin pa ndalim makinën.

Jemi në majë të kodrës, 613 metra mbi nivelin e detit. Një grup fëmijësh na del në pritje. Na duket sikur i përkasim një tjetër kohe. Fëmijët shkëmbejnë midis tyre shikime habie, sikur duan të thonë: po këta kush janë?  Vrapojnë të lajmërojnë rojen e Amantias.

Roja është një burrë,  rreth 50-ve. Agimi është lindur dhe rritur në Amantia. Këmisha e zbërthyer  deri në kraharor i vë më shumë në pah trupin e tij të imët. Ai çuditet kur na sheh!  Që në përshëndetjen e parë hyn në rolin e cicëronit. Me një zë të qetë narratori ai nis të rrëfejë  për Amantian. Ndihemi  të lehtësuar. Tashmë edhe Amantia  mund të “flasë”!

Akropoli i qytetit

Na duket sikur jemi në një luftë mesjetare. Shohim vetëm  rrënoja. Banesat rreth e rrotull janë të vjetra. Ato humbinnën hijen e pemëve. Në anën lindore të hyrjes së Akropolit gjendet skeleti i një ndërtese. Tre dritareve u duken  ende forma, dy të tjerat  kanë mbetur vetëm ide.  Hipim katër shkallët për të parë çfarë ka brenda kësaj gërmadhe. Banorët u kanë gjetur strehë dhive. Stane të vegjël me gurë të bardhë, llamarina e trungje drurësh. Vendasit kanë ditur të ruajnë mënyrën e ndërtimit ilir, gurë mbi gurë. Sheshet janë të rrethuar me gardhe prej shkopinjsh, hunjsh e trungje drurësh.  Në majë të hunjve janë të ngecura qese plastike e lecka të djegura nga dielli. Zot të këtyre gardheve janë dy dordolecë. Të veshur me bluza të stërmëdha u bëjnë roje dhive. Diku anash gardhit shohim një tabelë hekuri  në trajtë drejtkëndore.  E mbështetur mbi shufra hekuri, tabela ka marrë ngjyrë të kuqërremtë. Informacioni është “ndryshkur” bashkë me tabelën. “ Para viteve ’90  ky ka qenë  muzeu i fshatit. Më  parë këtu kanë banuar rreth 60 familje. Ndërsa tani, kemi mbetur vetëm pesë.”–rrëfen roja. Në dalje të ish-muzeut qëndron një gjysmë statujë mermeri. Nuk ka as kokë, as shtatë. Sipër gjunjëve të përkulur pëlhura është e hedhur  lirshëm. Rrudhat  e krijuara prej saj derdhen hijshëm duke cekur tokën. Çfarë  përfaqëson kjo statujë, një udhëheqës, një femër, një perëndi apo çfarë? Lëmë pas kodrën e “staneve”.

Pa vizitorë

Nga sipër kodrës së akropolit shohim “mbetje” të tjera të këtij qyteti antik. Hedh hapin e parë, humbas ekuilibrin. Duhet t`i bëjmë sytë katër sepse gurët e dheu mund të na  gënjejnë në çdo hap.Kudo ku shkelim ka gurë shkëmbor të futur nën dhe. Nuk ka një rrugë, hapat tanë e imagjinojnë një të tillë. Shkurre të  thata pa gjethe, gjemba që na ngatërrohen nëpër këmbë. Zbresim drejt sheshit  që ndodhet në kodrën më poshtë. Dielli qëndron mbi krye duke na e vështirësuar më tej këtë tatëpjetë. Kufijtë e parkut përfshijnë një sipërfaqe prej 15ha. Asnjë tabelë, asnjë udhëzim. Ndihemi me fat që na shoqëron ciceroni,përndryshe udhëtimi ynë do të ishte më i vështirë. Zbresim për rreth 200-300m. Agimi  na këshillon  vazhdimisht të ndjekim hapat e tij. Nëse tenton të devijosh mund edhe të biesh. Nuk mund  të  ulemi as mbi gurë sepse ka “buba”!  Gjarpërinj të  vegjël që fshihen  nën gurë. Toka është e pashkelur. “Turistë? Ka dy vjet që janë pakësuar, sivjet nuk kanë ardhur fare. Pjesa më  e madhe e tyre ishin të  huaj, shumë  pak shqiptarë. Mungesa e rrugës kryesore, mungesa e gërmimeve të reja, mungesa e fondeve për investime e shumë  gjëra të  tjera, i kanë  larguar. Edhe pse biletat janë ulur nga 700lek  në 200lek prapë turistë nuk ka. Unë  merrem edhe me shitjen e tyre. Mbuloj të gjitha funksionet.” – shprehet kujdestari.

 Lëmi i Peçit

 Zbritja jonë  ndalet në  një  lëmë të rrethuar me një  rrjetë  prej  hekuri. Bari i thatë dhe shkurret na ndjekin në çdo hap. Ndodhemi përpara  rrënojave të tempullit të Afroditës dhe  të kishës. Banorët e Amantias shquhen për ndërtimin e godinave në  tarraca. Më në fund tek tempulli dallojmë një tabelë  të ngjashme me ato të mëparshmet, por me një ndryshim. Mund të lexoje dhe të kuptoje mbishkrimin të shkruar në shqip, anglisht dhe italisht. Tempulli i Afroditës daton që në shekullin e III para Krishtit. Godina ka një planimetri katërkëndëshe me hyrje nga jugperëndimi. Një pjesë e blloqeve janë të zhvendosur. Vendin e tyre e kanë zënë barërat. Mbi sipërfaqe gjenden gurë të skalitur dhe të thyer.

Agimi na tregon se në shumë pjesë të Amantias është gërmuar nga persona të ndryshëm në mënyrë të parregullt. Aspak për qëllime studimi. Lëvizim pak metra më tej për të parë rrënojat e kishës paleokristiane. Marrim frymë thellë. Ngjitja është po aq e vështirë sa edhe zbritja. Aroma e rigonit të njomë na  kujton  se ka ardhur koha e drekës. Agimi na fton në shtëpinë e tij për të na treguar disa objekte antike. Kthehemi sërish në hyrje të Akropolit. Mbi tavolinë na vendos një qese të verdhë. “ Këto janë disa monedha, karfica, kopsa dhe copëza të objekteve antike. Disa i kam gjetur duke punuar në tokë, të tjerat kanë dalë në sipërfaqe nga shirat. Kam pasur dhe shumë pjesë të tjera por ua kam dhënë vizitorëve të huaj”,  thotë 50 vjeçari. “Për 6 muaj mbeta pa punë sepse drejtoria që mbikëqyrte Amantian u shkri. Vetëm në qershor të këtij viti rinisa punën”, vazhdon ai. Largohemi prej shtëpisë së tij. Për grupin e fëmijëve nuk jemi më të panjohur. Përshëndesim njëri – tjetrin përzemërsisht. Por sfidat tona nuk të sosur. Rruga malore dhe e pa asfaltuar e vështirëson kthimin. Makina ngec. Zbresim dhe mundohemi ta shtyjmë për ngjitur maloren. Ia dalim. Një kope dhish na pret rrugën. Ulim shpejtësinë e makinës. Tabela që tregon hyrjen për në  parkun arkeologjik të Amantias është e shtrirë përtokë, e mbuluar me ferra.  I afrohemi segmentit rrugor Qafa e Luadhit–Amonicë.  Një makinë e Institutit të Arkeologjisë ka ndaluar anës rrugës. Shkojmë të pyesim se mos ndoshta  janë zbuluar pjesë të tjera të këtij qyteti mijëvjeçarë. Takojmë arkeologun Elio Hobdari dhe gërmuesin Jamarbër Buzo. Ata ishin njoftuar për zbulime të reja  dhe dëmtimin  e varreve që ndodhen në nekropolin verior të Amantias. Varret e punuar me muraturë, me tulla të kuqe të mbuluar me kapak guri  ishin të hedhur kuturu. Në këtë varr monumental shihen gjurmë të lëna nga keqbërësit. Të gjashtë varret janë  të vendosur në një sipërfaqe prej 10 metrash. Amfora të thyera, copa tullash të kuqe, afreske të dëmtuara janë të hedhura kudo në tokë.  Nuk është treguar respekt as për eshtrat e të vdekurve. E pamundur të bësh anatominë e varreve. Përfaqësuesit e Institutit na shpjegojnë se varret e dëmtuara i përkasin fundit të shekullit IV dhe fillimit të shekullit III para. Krishtit. Me siguri varret i përkasin shtresave të mesme ose të pasura të shoqërisë ilire të periudhës helenistike. I lëmë arkeologët në punën e tyre. Rimarrim rrugën e kthimit. Largohemi me besim dhe shpresë se një ditë Amantia do të na mirëpresë ndryshe.

You must be logged in to post a comment Login