Cistat. Çfarë janë dhe si krijohen ato?

largea_26f045ed9e3b2b610eb135be19c8d35c1379266146Cisti është një formacion i mbyllur në formë qeske i mbushur me lëng, ajër ose material gjysmë të ngurrtë dhe që nuk është pjesë normale e indit ku është i lokalizuar.

Cistet janë të shpeshta dhe mund të paraqiten kudo në trup te njerëzit e cilësdo moshë. Cistet dallojnë në madhësi; ata mund të vërehen vetëm nën mikroskop ose mund të bëhen aq të mëdha sa të nxjerrin prej vendi organet ose indet. Murri i jashtmi i cistit quhet kapsulë.

Shkaktarët
Cistet mund të paraqiten si rezultat i proceseve të ndryshme në organizëm, përfshirë:
problemet e zakonshme të qarkullimit të lëngjeve
infeksionet
tumoret
gjendjet kronike inflamatore
problemet gjenetike (të trashëguara)
defekte në organet në zhvillim në embrion.
Shumica e cisteve vijnë si pasojë e gjendjeve të sipërpërmendura dhe mund të parandalohen përderisa parandalohet shkaktari.

Simptomat, shenjat dhe diagnostikimi
Ndonjëherë ju mund ta vëreni një cist vetë kur keni ndjenjën e ndonjë “xhunge anormale”. Për shembull, cistet e lëkurës ose indit nënlëkuror zakonisht janë të dallueshme. Cistet në gjëndrat qumështore (gjinj) po ashtu mund të jenë të prekshme (që do të thotë se ju mund t’i ndjeni ato kur ekzaminoni zonën me gishta).
Cistet e organeve të brendshme, si veshkat ose mëlçia mund të mos prodhojnë simptoma ose mund të mos detektohen nga individët e prekur. Këto ciste zakonisht zbulohen përmes skanimeve të ndryshme të organeve (rrezet X, ultrazëri, tomografia kompjuterike ose rezonanca magnetike) Cistet mund të japin simptoma ose jo, në varësi të madhësisë dhe lokacionit.

Llojet e cisteve
Ka qindra lloje të ndryshme të cisteve të cilat mund të zhvillohen në organizëm. Disa prej llojeve më të shpeshta të cisteve janë:
Cistet në gji të cilat janë pjesë e sëmundjes proliferative beninje (sëmundja fibrocistike e gjinjve).
Cistet e vezoreve, përfshirë cistet dermoide, një lloj specifik i tumorit të vezorëve që shpesh përmban ciste dhe inde të tjera.
Ciste brenda gjëndrës tiroide.
Cistet e Bakerit, që paraqiten në pjesën prapa gjurit.
Ciste ganglionike e nyjave dhe gilcës.
Cistet e gjëndrave brenda kapakëve të syrit, të quajtura kalazione.
Cistet sebaceoze të gjëndrave të vogla në lëkurë.
Cistet epidermale të lëkurës, ndonjëherë të njohura si cista epidermale të shtrira, të cilat shpesh gjenden në fytyrë, lëkurën e kokës, qafë dhe shpinë.
Cistet Bartholin, janë rritje të gjëndrave afër hapjes vaginale.
Cistet e epifizës, janë ciste brenda gjëndrës pineale (epifizës) në tru.
Cistet pankreatike janë koleksione të mbushura me lëng brenda pankreasit. Disa ciste pankreatike janë ciste të vërteta të cilat janë të mbështjella nga qeliza të cilat sekretojnë lëng. Cistet tjera pankreatike janë pseudocista dhe nuk përmbajnë qeliza të veçanta mbështjellëse.

Sëmundja policistike e veshkave, një problem i trashëgueshëm në të cilin veshkat përmbajnë ciste të shumëfishta.
Cistet Tarlov, njihen si ciste meningeale ose perineurale, janë të lokalizuara në kërbisht (sakrum), ashtin e vendosur në fund të shpinës.
Infeksionet dhe inflamacionet, si absceset dhe lungat në lëkurë, po ashtu mund të shkaktojnë ciste.
Cistet araknoide janë të lokalizuara në mes të trurit ose palcës kurrizore dhe membranës araknoide, një prej tre membranave që mbështjell trurin dhe palcën kurrizore.

A janë cistet kancer?
Shumica e cisteve janë beninje, do të thotë nuk janë kancer. Por disa mund të prodhojnë simptoma të ngjashme me kancerin për shkak të madhësisë dhe vendndodhjes.
Por, edhe pse rrallë, cistat mund të shoqërohen me tumore malinje (kancere). Nëse ju jeni të shqetësuar për ndonjë ënjtje anormale ose ndonjë xhungë, bisedoni me mjekun tuaj. Ai ose ajo mund t’ju rekomandojë testet e përshtatshme diagnostike për të përcaktuar nëse një cist është i pranishëm, çfarë e ka shkaktuar atë dhe a është kanceroz apo jo.

Trajtimi
Trajtimi i një cisti varet nga shkaktarët e cistit si edhe nga vendndodhja e tij. Cistet të cilët janë shumë të mëdhenj dhe rezultojnë në simptoma për shkak të madhësisë së tyre mund të largohen në mënyrë kirurgjike. Ndonjëherë lëngjet që përfshihen brenda cistit mund të thahen, ose thithen, duke injektuar një gjilpërë ose katetër në hapësirën e cistit, e që rezulton në shkatërrimin e tij. Skenimi radiologjik mund të përdoret për të parë gjendjen gjatë procesit të tharjes së përbërjes së cistit, nëse cisti është i vendosur në inde të thella dhe nëse nuk është lehtë i arritshëm. Tharja ose largimi i cistit në shtëpi nuk është i këshillueshëm.

Largimi kirurgjik i një cisti ndonjëherë është i patjetërsueshëm. Nëse ka dyshime se një cist është kanceroz, cisti në përgjithësi largohet përmes ndërhyrjes kirurgjike ose merret një biopsi e murrit të cistit (kapsulës) për të përjashtuar aftësitë malinje. Në raste të caktuara, lëngjet e thithura nga cisti ekzaminohen nën mikroskopë për të përcaktuar nëse qeliza kanceroze janë të pranishme në cist.

Nëse cisti rritet si pjesë e ndonjë sëmundje kronike (për shembull në rastin e sindromës policisitike ovare, ose sëmundjes fibrocistike të gjirit), trajtimi në përgjithësi drejtohet kah sëmundja që e ka nxitur atë.

Parandalimi
Parandalimi i krijimit të cisteve është i mundshëm deri në një shkallë sa është i mundshëm parandalimi i shkaktarëve të cistit. Shumica e cisteve nuk janë të parandaluara.

You must be logged in to post a comment Login