Universitetet, fituesit më 18 shtator

studentet-elbasanPas listës paraprake, regjistrimi do të bëhet online. Përfundimtarja del zyrtarisht më 1 tetor. 

Udhëzimi i MASH: Si do bëhet regjistrimi në shkollat e larta.

Fituesit në universitete do të shpallen më datë 18 shtator. Vetëm pasi të kenë përfunduar konkurset te Artet, Arkitektura dhe Sportet, Agjencia Kombëtare e Provimeve do të përpunojë listat në sistem. Ministria e Arsimit, me anë të një udhëzimi të posaçëm, publikon edhe procedurat që duhet të ndjekin studentët për t’u regjistruar në shkollat e larta. Sipas udhëzimit që mban firmën e ministrit Tafaj, kandidatët fitues përcaktohen nga AKPja në bazë të dy parimeve. “Parimi i Meritës përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore dhe, për disa programe të caktuara studimi, edhe rezultateve të konkursit për disa programe”, thuhet në udhëzim. Sipas tij, parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të grupit të preferencave fituese ndërmjet jo më shumë se 10 preferencave të përzgjedhura nga ata vetë në formularin A2. 

KONKURSET DHE FITUESIT
“Pas përfundimit të konkurseve në të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë që kanë programe studimi me konkurs, rezultatet e tyre në formë shkresore dhe elektronike të dorëzohen në AKP brenda orës 14:00 të datës 6 shtator 2013″, thuhet në udhëzimin e MASH. Sipas tij, deri më datë 10 shtator 2013 personat përgjegjës të ngarkuar nga dekanët e fakulteteve që kanë programe studimi me konkurs, hedhin në sistemin informatik rezultatet e konkurseve. “AKP, brenda datës 18 shtator 2013, të dërgojë në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës listat e kandidatëve fitues (faza e parë), të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve dhe të preferencës më të lartë fituese të kërkuar prej tyre në formularin A2”, përcakton udhëzimi. Në të sqarohet se AKP-ja ua dorëzon këto lista në formë të shkruar dhe elektronike institucioneve publike të arsimit të lartë dhe DARZA-ve brenda datës 18 shtator 2013. Këto institucione, duke filluar nga kjo datë, duhet t’i afishojnë listat në vende të dukshme në mjediset e fakulteteve përkatëse dhe shkollave të mesme. 

REGJISTRIMI NË UNIVERSITET
Procesi i pranimit dhe regjistrimit të kandidatëve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë do të kryhet në sekretaritë e fakulteteve, i monitoruar nga AKP-ja. Regjistrimi do të bëhet në dy faza. Kandidati i shpallur fitues në listën e fazës së parë regjistrohet online në programin e studimit që ka fituar në portalin e Maturës Shtetërore, sipas procedurës që përcakton udhëzimi. “Regjistrimi online kryhet në cilindo mjedis që ka akses interneti deri në orën 00:00 të datës 23 shtator 2013. Kandidati fitues ka të drejtë të qëndrojë përfundimisht i regjistruar në programin e fituar në fazën e parë (listat paraprake) duke përzgjedhur opsionin ‘Konfirmoj regjistrimin përfundimtar në preferencën e fituar’”, thuhet në udhëzim. Kur kandidati nuk arrin të realizojë regjistrimin online, ai duhet të paraqitet pranë sekretarisë mësimore të fakultetit ku është shpallur fitues nga data 18 shtator 2013 deri më datë 23 shtator 2013, nga ora 08:00 deri në orën 18:00. Studentët që duan të mbeten në preferencën e fituar në fazën e parë nënshkruajnë një deklaratë në sekretarinë mësimore. Pas kësaj faze lista përfundimtare dërgohet sërish në AKP deri në datën 25 shtator. Lista përfundimtare e fituesve shpallet më 2 tetor, ndërsa nga datat 8- 13 tetor bëhet regjistrimi i të gjithë studentëve me dokumentacionin e plotësuar.

You must be logged in to post a comment Login