Lejet afatgjatë (5-vjeçare), e drejta e punësimit në BE, studimet etj. për shtetasit shqiptarë në Greqi

Greqi_flamuri_418861328E drejta e punësimit në Europë nuk është e garantua

Në cilat shtete nuk mund të punojë mbajtësi i kësaj leje?

Interesi i emigrantëve shqiptarë në Greqi për t’u pajisur me një leje qëndrimi, e cila u jep mundësinë e banimit dhe punësimit në BE gjithmonë ka qenë i madh, por pyetjet dhe kërkesat për të mësuar më tepër informacione rreth kësaj çështje kanë qenë në rritje.

Emi­grantët tanë kanë mangësi në informacion; nuk njohin kuadrin ligjor dhe më kryesorja nuk njohin të drejtat e tyre edhe pas fitimit të një leje të tillë. Leja e qëndrimit afatgjatë, pra 5-vjeçare, është pikërisht ajo që u jep mundësinë emigrantëve të fitojnë të drejtën e banimit, por edhe të punësimit në një shtet tjetër të BE. Shumë herë emigrantët ngatër­rohen dhe besojnë se këtë të drejtë mund ta fitojnë edhe me lejen 10-vjeçare, por kjo e fundit është një leje me karakter shtetëror dhe jo komu­nitar, kështu që nuk përfshin të drejtën e pu­nësimit në Bashkimin Europian.

Leja e qëndrimit afatgjatë kërkon një integ­rim të zgjeruar të emigrantit në vend: kërkon njohje të mirë të gjuhës greke dhe kualifikimin në provimet e saj, të cilat po zh­villohen këtë periudhë. Mbasandej emigranti duhet të ketë banuar për 5 vjet me radhë në Greqi në mënyrë të ligjshme dhe të ketë të ardhura vjetore jo më pak se 8500 euro. Leja afatgjatë lëshohet për 5 vjet dhe ripërtërihet po për aq vite të tjera sa herë që i mbaron afati.

Punësim në Europë? JO kudo.

Një ndër gjërat më të pasakta që përfliten gjithandej për këtë kategori lejesh qëndrimi është mundësia që jap­in për të qëndruar dhe punuar në mbarë shtetet e Bashkimit Europian. Emigrantët ekonomikë nuk kanë mundësi të punojnë në Irlandë, në Danimarkë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, pasi këto shtete nuk miratuan udhëz­imin e Bashkimit Europian 2003/109. Kështu që rrjedhimisht askush nga mbajtësit e lejes të qëndrimit nuk mund të ketë synim për pu­nësim në një ndër këto vende.

Leja afatgjatë është pasaportë drejt tregut të punës? JO.

JO, leja e qëndrimit afatgjatë nuk të siguron një të drejtë të patjetër­sueshme mbi punësimin në BE. Si fillim ia vlen të theksojmë se kjo leje qëndrimi është diçka mjaft pozitive, që hap shtigje që me lejet e tjera janë të zëna, por jo se të ofron një hapësirë pafund të drejtash. Çka do të thotë se ka diçka jo shumë mirë të kthjel­luar mbi këto leje. Zbatimi i politikave të pu­nësimit jepet në administrim të secilit shtet të Bashkimit Europian dhe vetëm secili shtet mund të ushtrojë ndikimin ose pëlqimin e tij mbi situatën në tregun vendës dhe të lejojë punësimin apo jo. Pra, secili shtet i BE, ku mund të punojnë emigrantët me leje qëndrimi, ka të drejtë të japë pëlqimin e tij mbi punësimin ose jo të një shtetasi të vendeve të treta, mbajtës të lejes afatgjatë, të lëshuar nga një shtet tjetër i Unionit. Domethënë, në qoftë se një qytetar shqiptar i pajisur me leje afatgjatë shkon në Gjermani për punë, Gjermania ka të drejtë të kon­trollojë situatën aktuale në tregun vendës dhe të japë përparësi punësimi në shtetasit e saj, në shtetasit e Bashkimit Europian dhe në shtetasit e vendeve të treta që janë rezidentë në Gjermani, pra me leje qëndrimi fillestare të lëshuara nga autoritetet gjermane. Kështu që jo çdo shtet mund të pranojë lëshimin e lejes së punës.

Leja e qëndrimit afatgjatë konvertohet në lejet e qëndrimit të shtetit pritës.

Një gjë e pasqaruar ende mirë është se leja e qëndrimit afatgjatë vërtet ka afat 5-vjeçar, por me kalimin në një shtet tjetër të Bash­kimit Europian për punë, konvertohet sipas lejeve të lëshuara dhe të parashikuara nga autoritetet pritës të emigrantit afatgjatë.

Studimet? PO

PO, emigrantët që janë mbajtës të lejeve afatgjata dhe shkojnë për studime në shtetet e Bashkimit Europian (përveç Mbretërisë të Bashkuar, Irlandës dhe Danimarkës) kanë të drejtë të qëndrojnë atje për një periudhë më të gjatë se 3 muaj dhe të ndjekin ciklin e studimeve. Por edhe këtu ka një ngërç. Nuk duhet të ngatërrohemi, pasi leja afatgjatë nuk është shtetësi europiane. Pra, në rastin e tarifave të studimit, tarifat në studimet pa­suniversitare e më gjerë, mbajtësit e lejeve afatgjatë hyjnë në kategorinë e shtetasve jokomunitarë dhe duhet të paguajnë shumë herë më shtrenjtë, përveç atyre pak ras­teve që parashikohet ndryshe nga vendet ose kryesisht nga institucionet arsimore që zakonisht janë vetëadministues për këtë çështje.

Edhe një herë mbi fëmijët e emigrantëve

Pajisja e fëmijëve të emigrantëve me nën­shtetësi greke ka ndaluar tashmë dhe me sa duket, mundësitë në ligjin e ri që po har­tohet këtu e shumë kohë, por ende nuk po sheh dritën e botimit, do të jenë të reduk­tuara. Gjithsesi, duhet theksuar se fëmijët e emigrantëve duhet të pajisen me një leje afatgjatë. Është vetëm kjo leje që parashikon të drejta më të zgjeruara, edhe mund të hapë udhë të reja tek këta fëmijë në të ardhmen e tyre profesionale.

Lejet e qëndrimit me afat 5-vjeçar ofrojnë gjithsesi më tepër mundësi dhe hapin më tepër rrugë për të kërkuar një të ardhme më të sigurtë. Nga ana tjetër në kundërshtim me lejet e tjera të karakterit shtetëror, që sipas tekave të shtetit dhe qeverive ndryshojnë nga dita në ditë, kanë një status më të qën­drueshëm, pikërish sepse janë sipas legjisla­cionit europian.

Nacional Albania

You must be logged in to post a comment Login