Si Musa Çelepia refuzoi urdhrin e Zogut për të vrarë Luigj Gurakuqin

foto-nr.-6-musa-çelepia-219x300 (1)U lind në Parrucë, të Shkodrës, më 1890 (një burim i dytë shënon më 1895)150). Ka kryer shkollën “Idadije Ushtarake” të Turqisë, në Shkodër. Pasi ka kryer gjimnazin ushtarak është emëruar polic nga administrata turke, duke shërbyer në Shkodër. Më vonë gradohet nënkomiser i Policisë dhe në periudhën e pushtimit austro-hungarez, pikërisht në maj 1917, qe emëruar “komiser Policie, klasa e tretë, me pagë mujore 140 korona, pa të drejtë pensioni”. Në saje të vlerësimeve të mira të punës, më 19 dhjetor 1917, komanda e korpusit XIX, austriak, me shkresë nr. E.V. 1992, dekretoi “Zoti Musa Çelepia gradohet komiser i klasës së dytë”, duke përfituar edhe një ngritje page prej 20 koronash. Në vitin 1918 qe zyrtar pyetës i Policisë Qytetëse, në Shkodër, e cila u ngrit nën kryeparinë e të ndershmit Omer Lutfi dhe sekretar zotni Zef Mirdita. Në prill 1919, gjenerali francez, Bardi de Fourtou, komandant i Trupave Aleate në Shkodër, dekretoi në detyrë komiserin e klasës së dytë Musa Çelepia. Çelepia qëndroi në këtë detyrë deri në fillim të vitit 1922, kohë kur u emërua komiser i Policisë së kryeqytetit. Në shtator 1921 pati botuar në shtypshkronjën françeskane “Rregullore Policie”, e cila jep përmbledhtas detyrat e policëve.
Në verën e vitit 1922, duke qenë komiser i Policisë në Tiranë, dhe anëtar i partisë së “Krahut Kombëtar”, nuk ka plotësuar dëshirën e Ahmet Zogut për të vrarë Luigj Gurakuqin152), natën kur ky të shkonte në shtëpinë e tij, afër kishës katolike, në rrugën e Jusuf Elezit. Pas largimit nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Veli Vasjari, ministri i Punëve të Brendshme, Ahmet Zogu, e emëroi “zëvendësisht në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë”. Vetë Zogu i theksonte në shkresë “Jeni të lutun të merrni në dorëzim sa më parë atë detyrë e të na lajmoni datën e fillimit në punë”. Musa Çelepia, i caktuar zëvendësisht në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, në shtator 1922 i ka dërguar një shkresë Ministrisë së Brendshme ku ka paraqitur kërkesën “Mbi personelin që duhet të ketë Policia e kryeqytetit”, në të cilën, ndër të tjera, ka theksuar se: duhen 6 stacione me nga dy policë (12 vetë), në dispozicion të nënprefekturës kërkohen në gatishmëri 4 policë, shërbimi i tre patrullave me nga dy policë që do të gjezdisin më rrallë kërkon 12 policë (rruga e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kazerma dhe rruga e Dibrës), një “Noket” përpara hotel “Internacional” në vendin ku është stacioni i automobilit dhe karrocave kërkon dy policë, një “Noket” me dy policë te xhamia e Vjetër në mes të katër rrugëve, në dispozicion të Parlamentit dy policë, një për Këshillin e Naltë. Sejfi Vllamasi, në librin e tij “Ballafaqime politike në Shqipëri 1897- 1942) fq. 291 ka shkruar: “Në verën e vitit 1922, Musa Çelepia prej Shkodre, komisar i policisë në Tiranë, i cili si anëtar partie gëzonte besimin tim, një ditë vjen në shtëpinë time e më pyet nëse kam dijeni mbi një çështje me rëndësi që i ka propozuar Zogu dhe nëse edhe unë në këtë çështje isha në një mendim me Zogun… “Unë, më tha M. Çelepia, nuk ju përgjigja Zogut para se të dinje mendimin tënd, mbasi kjo kishte një rëndësi të madhe dhe unë nuk e bëj kurrsesi pa u pyetur juve”. I përgjigjem: “Ke bërë mirë që më pyete. Nuk duhet të bëjë një gjë të tillë, se një gjë e tillë u ka hije traditave dhe jo njeriut të sigurimit dhe të një qeverie detyra kryesore e të së cilës është mbrojtja e jetës së shtetasve dhe jo zhdukja e tyre me një mënyrë misterioze dhe kriminale prej dorës së saj, gjë që çduk kryekëput besimin që populli duhet të ketë në një qeveri” .
Musa Çelepia insistoi edhe për të shtuar numrin e policëve në qytetin e Durrësit, duke argumentuar shtimin të paktën edhe të 6 funksioneve të tjera. Përballjet që pati për çështjet e reformimit në Polici, sollën pas pak muajve transferimin e tij në detyrën e komiserit të Policisë në Durrës, më 26 dhjetor 1922. Më 7 janar 1923, Musai, riemërohet komiser i policisë në Durrës. Duke qenë këmbëngulës në kërkesat e tij për organizimin më të mirë të Policisë, Çelepia nuk u pëlqye më tej nga Ahmet Zogu dhe, më 30 mars 1923, transferohet nëpunës i shtetit civil në Shkodër. Më 6 prill 1923, njoftohet se u ricaktua nëpunës i shtetit civil në Shkodër. Në korrik iu bashkua grupit të patriotëve shkodranë, duke dhuruar 20 korona sermi për “Oden e Nderit të Skënderbeut”. Në qershor 1924 merret i pandehur për faje politike, nga qeveria e Nolit, falet në muajin shkurt 1925 dhe në mars të këtij viti riemërohet nëpunës i shtetit civil në Shkodër. Në këtë detyrë ka shërbyer deri në prill 1926, pasi në vijim u largua nga strukturat e Ministrisë së Brendshme me motivacionin “Pakujdesi në detyrë”. Në këto rrethana, duke pasur edhe fëmijët sëmurë (një djalë e një vajzë), Musa Çelepia u detyrua të largohet nga Shqipëria, më 1926. Më 13 dhjetor 1926, ministri shkodran, Musa Juka, i propozoi kryetarit të Republikës rimarrjen në Polici të Musa Çelepisë, ndonëse qe pezulluar dhe dhënë gjyqit me akuzën për mungesa në detyrë, dhe dënuar me gjobë në vleftën 3 lira otomane. Kjo nuk u bë për të nderuar Çelepinë, por nisur nga nevoja për kuadro të aftë në Polici. Më 4 prill 1928, për arsye administrative, lirohet përsëri nga kjo detyrë dhe emërohet sekretar i parë i nënprefekturës së Malësisë së Madhe. Zotëronte mirë turqishten e serbokroatishten.

——-
Miku i Aqif Pashë Elbasanit që synoi reformimin e policisë

Ahmet Sinani drejtori që nxori rregulloren mbi policinë
Është lindur në vitin 1873, në Elbasan. U arsimua fillimisht në shkollën qytetase të Elbasanit, pastaj ka kryer gjimnazin në Manastir. Arsimin e lartë e ka kryer në Shkollën e Drejtësisë në Stamboll. Në periudhën e sundimit turk ka punuar pyetës (hetues) në Adana dhe më vonë prokuror në Xhuamai Bala. Në kohën e vetëqeverimit (pas shpalljes së pavarësisë) ka kryer detyrën e prokurorit në Elbasan dhe më pas të anëtarit të Gjykatës së Apelit në Berat. Më 18 shkurt 1916 mori pjesë me parinë e Elbasanit në një mbledhje duke parashikuar mbledhjen e një kongresi më 2 prill të atij viti në Elbasan “për masat që duhen marrë për forcimin e shtetit shqiptar”, madje qe zgjedhur “anëtar i Komisionit nisiator të Kongresit”, të cilin e anuloi Czapek Mjn, komandant austriak i Elbasanit, duke i telegrafuar bashkisë së Elbasanit se: “…asambletë qi kanë nji qëllim politik, janë të ndalueme në viset e shkeluna prej ushtërivet perandore e mbretnore, kurse ato në kohë lufte edhe n’Austro-Ungarie janë të ndalueme”141). Komisioni i posaçëm pati në përbërje disa patriotë elbasanas, ku përveç Ahmet Haxhi Sinanit, bënin pjesë edhe Sava Papajani, Shefqet Daiu, Simon Shuteriqi, Ymer Stringa, etj.
Me vendim nr. 1098, datë 14 dhjetor të vitit 1920, Këshilli i Ministrave i propozoi Këshillit të Naltë emërimin e Ahmet Sinanit drejtor të Përgjithshëm të Policisë, në vend të Halim Jakova-Gostivarit). Me shkresë nr. 311/1, datë 16 dhjetor u komunikua miratimi i emërimit të tij në detyrë. Ministri i Brendshëm, Xhaferr Ypi, ua përcolli njoftimin prefekturave, duke u bërë prezent gjithashtu se Halim Gostivari kaloi në detyrën e drejtorit të Shtetit Civil.
Në këtë emërim të tij duket se ka qenë edhe ndikimi i Aqif pashë Elbasanit, me të cilin drejtor Sinani kishte lidhje të ngushta miqësie, por edhe ideali kombëtar. Rreth dy muaj pas marrjes së detyrës, në muajin shkurt, juristi shquar Ahmet Sinani, nxori dokumentin “Rregullorja mbi detyrat e Policisë”, i cili është konsideruar si akti normativ më i arrirë për Policinë deri në atë periudhë. Kjo rregullore përcaktonte detyrë parësore për Policinë “të ruajtunit e sigurimit të përgjithshëm e të qetësisë së vendit”. Sipas kësaj rregulloreje Policia kryente detyra: administrative, drejtësore dhe civile-politike. Për herë të parë, në këtë rregullore gjejmë përcaktime për detyrimet e nëpunësit të Policisë për rastet e rënies së zjarrit. Rregullorja ka përcaktime edhe për kontrollin e automobilave, kalorësit, linadonet. Përcaktimi i rregullave: të komunikimit; kur do të ndalohet ndonjë person ose do të komunikohet ndonjë urdhër; këshillimi për t’u bindur deri tek ndërhyrja me forcë; kur ai nuk bindet, dhe në rast kundërshtimi apo veprimi ndaj policit, lejohet edhe përdorimi i armës, normohen për herë të parë. Aftësitë juridike të Sinanit nuk kanë lënë në harresë edhe veprimet e policit kur ndodh një ngjarje. Rregullorja normon hyrjen e policit në banesë “kur bie zjarr, kur vjen lumi me rrëmye, kur bie tërmet, kur ndigjon za shpëtimi që brenda nga ajo shtëpi”. Rregullorja përcakton mënyrën e veprimit edhe në rastin kur i pandehuri fshihet në një shtëpi, duke filluar me rrethimin, lajmërimin e prokurorit ose të pyetësit, bashkëpunimi me kryeplakun (plaku i gastrës ose i katundit) dhe hyrja në banesë, duke qenë i lejuar të përdorë armën. Rregullorja detyron nëpunësin e Policisë “të mbajë procesverbalin në vendin e ngjarjes, ku do të pyeten i pandehuri edhe dëshmitarët, një nga një, veçanërisht dhe jo përpara të pandehurit”. Një kapitull më vete në rregullore janë “kushtet kryesore për pranim të komiserëve dhe nënkomiserëve”, si dhe kushtet për pranimin e policëve. Rregullorja mbyllet me mënyrën e kompetencat për formimin policor. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Sinani, insistoi me kërkesa të shumta për të përjashtuar nënkomiserët nga shërbimi ushtarak, mbasi ata kanë fituar gradë. Ai argumentoi se komiserët kanë gradë të njëvleftshme me togerët, ndërsa nënkomiserët me nëntogerët, gjë e cila u mor në konsideratë. Në periudhën kur ai drejtoi Policinë “u vendos që të gjithë nëpunësit e Policisë të jenë të detyruar të kryejnë shërbimin ushtarak”. Këshilli i Ministrave vendosi: “…punonjësit e Policisë komiserë e nënkomiserë detyrohen në atë vend ku banojnë e ku ka ushtri për të marrë pjesë në shërbime ushtarake si dhe me krye detyrën e degës së vet (falen nga kjo detyrë ata që s’kanë ushtri afër vendbanimit të tyre”). Në muajin maj 1921, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, e drejtuar prej Ahmet Sinanit, pati futur në organikë një përkthyes dhe një organizator të Policisë (një nënshtetas francez). Për të forcuar detyrimet ligjore në sigurimin e qetësisë, drejtori Ahmet Sinani, mundi të kalojë në Këshillin e Ministrave projektvendimin nr. 400, më 10 maj 1921, i cili në thelb “…pranon nënligjin e posaçëm për të siguruar qetësinë e vendit e për t’u prerë hovin çdo vjedhjeje e gjobitjeje që për të pasë aprovimin e të shkëlqyeshmes Këshillës së Naltë të Kombit, paraqit këtu më poshtë: simbas zakonit të vjetër të Shqipërisë, ku mbetet gjurma e gjasë së vjedhur detyrohet me pague çmimin e tyre ose me nxjerrë vjedhësin në shesh”.
Në vitin 1921, krijohet Policia e Fshehtë. Gazeta e asaj kohe, “Fjala e lirë”, shpalli lajmin: “Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka krijue nji lloj Polici civil t’armatosun me hutë me shërbim të veçantë”. Në vjeshtë të vitit 1921, kur ende Policia drejtohej prej Ahmet Sinanit, u furnizua me uniformë policore, duke ndryshuar veshjen nga strukturat e tjera të qetësisë. Krahas masave organizative në territoret nën zotërim, me propozim te drejtor A. Sinanit, qeveria mori masa edhe për organizimin e Policisë në Kosovë, por kushtet nuk qenë të përshtatshme. Masë tjetër, të cilin propozoi drejtori i Policisë, ka qenë edhe krijimi, në gusht të vitit 1921, i Policisë së Parlamentit.
Me gjithë përkushtimin dhe rezultatet e arritura, Ahmet Sinani pati edhe vështirësi në detyrë. Fakti që Ahmeti ishte mik i Aqif Pashës nuk i ka pëlqyer ministrit të Brendshëm, të asaj periudhe, zotni Mehdi bej Frashëri, një nga kundërshtarët e Aqif Biçakçiut. Gazeta “Shkumbini” njoftonte se: “Ministria e Brendshme ndaloi nga puna drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Ahmet Sinan”. Po kjo gazetë, e datës 27 qershor 1921, në rubrikën “Andej-këtej”, njoftoi se: “Z. Ahmet Sinan, Diretor i Përgjithshëm i Policisë, dha dorëheqjen”. Pak ditë më pas është gazeta “Drita” që jep lajmin se: “Z. A. Sinan, u emërua përsëri në detyrën e parë, pasi u hoq Mehdi Frashëri nga Ministri e Mbrendshme”. Më 11 korrik, Mehdi Frashëri është liruar nga detyra e ministrit të Brendshëm dhe më 13 korrik 1921 u votëbesua kabineti i ri qeveritar.
Në gusht 1921, drejtor Ahmeti, ka pasur një konflikt me bashkinë e Elbasanit për çështje pronash. Prefektura e Elbasanit ka dërguar shkresën nr. 3135, datë 6.08.1921 në Ministrinë e Brendshme, duke theksuar: “Ngjitas ju dërgohet kopje e lutjes së z. Ahmet Sinanit, drejtor i Përgjithshëm i Policisë me porosi që të merret parasysh dhe të mos lihet shteg ndonjë padrejtësie, mbasi lutësi ankon se të mbyllurit e rrugës në fjalë më fort nga shkaqe personale. Përfundimi të na lajmërohet pa vonesë”. Po në këtë dosje është edhe letra e Ahmet Sinanit drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme: “Të ndershmes Ministria e Punëve të Mbrendshme, Unë i nënshkruemi kam nji han në qytetin e Elbasanit, i cili përmban 5 dyqane e dy magazina bari, …”. Në vijim ai përshkruan vendin ku ndodhet prona e tij, duke aluduar ndërkohë se aty do të kryhen punime dhe kjo do të sjellë bllokimin e aktivitetit të tij privat, duke paragjykuar se kjo bëhet me qëllime përfitimi nga qeverisja vendore. Sipas tij, kjo do t’i sjellë atij dëm ekonomik, duke i bllokuar ndërtimin e disa dyqaneve të tjerë ngjitur me objektet e tjera. Në mbyllje të ankesës ai lutet të ndërhyhet në prefekturën e Elbasanit për ta ndihmuar. Më 24 shtator katundaria (bashkia) e Elbasanit i ka kthyer përgjigje se rruga që do të ndërtohet nuk do të dëmtojë asgjë nga prona e Ahmet Sinanit, madje ai nuk ka asnjë pengesë të fillojë punën për ndërtimin e dyqaneve të tij.
Ahmet Sinani, kur qe në postin e drejtorit të Përgjithshëm, pati fatin të punojë edhe me ministra të tjerë, sikurse qenë Sulejman Delvina, Bajram Fevziu, Luigj Gurakuqi, Rauf Fico, deri sa erdhi në këtë post kushëriri Mehdi beut, Ahmet Zogu, i cili e liroi nga detyra. Ahmet Sinani u lirua nga detyra më 10 janar 1922, i zëvendësuar prej Veli Vasjarit. Në përmbushjen e detyrës ka qenë i vlerësuar. Rauf Fico në një shënim të tij për Ahmet Sinanin ka shkruar: “Njeri me dijeni dhe shumë i ndershëm. Sjellja e tij ka qenë përherë korrekte”. Ahmet Sinani u shua në vitin 1925 në Elbasan, në vendlindje. Flitet se i biri i tij, Tomorr Sinani, ka qenë i lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Sallës së Informatikës, në Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari”, i është vënë emri “Ahmet Sinani”.

*Marrë me shkurtime nga libri “DREJTORËT E PËRGJITHSHËM TË POLICISË SHQIPTARE, 1913-2013”

You must be logged in to post a comment Login