SHQIPJA STANDARDE

Untitled

Gazeta Albania, botim i tetor 1899

Formimi i gjuhës letrare kombëtare të njësuar (gjuha standarde), si varianti më i përpunuar i gjuhës së popullit shqiptar, ka qenë një proces i gjatë, që ka filluar që në shekujt XVI-XVIII, por përpunimi i saj hyri në një periudhë të re, në shekullin XIX, gjatë Rilindjes Kombëtare.

Në vitin 1824 Naum Veqilharxhi filloi punën për të krijuar alfabetin shqip dhe në vitin 1844 dhe 1845 u botua “Evetar”-i. Vaqilharxhi ishte i pari që shprehu qëllimet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare nëpërmjet traktatit të tij, parathënies së “Evetar”-it të parë dhe shumë shkrimeve të tjera.

Në programin e Rilindjes, mësimi dhe lëvrimi i gjuhës amtare, përpjekjet për pasurimin e saj dhe pastrimin nga fjalët e huaja dhe të panevojshme, zinin një vend qendror. Gjatë kësaj periudhe, u zhvillua një veprimtari e gjerë letrare, kulturore dhe gjuhësore.

Në vitin 1879, u krijua “Shoqata e të shtypurit shkronja shqip”, që i dha një shtysë të re kësaj veprimtarie. U hartuan gramatikat e para me synime normative dhe u bë hapi i parë për hartimin e një fjalori kombëtar i gjuhës shqipe, që është “Fjalori i Gjuhës Shqipe” i Kostandin Kristoforidhit, i botuar pas vdekjes së autorit, më 1904. Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, u përvijuan dy variante letrare të kombit shqiptar, varianti letrar jugor dhe varianti letrar verior. U bënë gjithashtu, përpjekje për afrimin e këtyre varianteve dhe për njësimin e gjuhës letrare. Detyra e parë që duhej zgjidhur, ishte njësimi i alfabetit. Deri atëherë, shqipja ishte shkruar në disa alfabete: alfabeti latin, alfabeti grek, alfabeti turko-arab dhe alfabete të veçanta. Këtë detyrë e zgjidhi Kongresi i Manastirit, i mbledhur më 14 deri më 22 Nëntor të vitit 1908, në qytetin e Manastirit, që sot ndodhet në Maqedoni. Ne këtë Kongres, pas shumë diskutimesh, u vendos që të përdorej një alfabet i ri, i mbështetur tërësisht në alfabetin latin, i plotësuar me nëntë digrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh), dhe me dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë), është alfabeti që ka edhe sot në përdorim gjuha shqipe. Kongresi e la të lire edhe përdorimin e alfabetit të Stambollit, që kishte mjaft përhapje, por koha ja lëshoi vendin alfabetit të ri, që u paraqit në Kongres, pra alfabetit të sotëm.

Një hap tjetër për njehsimin e gjuhës letrare shqipe, bëri “Komisioni letrar shqip”, që u mblodh në Shkodër në vitin 1916. Komisioni nënvizoi si detyrë themelore lëvrimin e gjuhës letrare shqipe dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. Ky komision gjuhëtarësh e shkrimtarësh, krijuar për të ndihmuar në formimin e një gjuhe letrare të përbashkët përmes afrimit të dy varianteve letrare në përdorim, vlerësoi variantin letrar të mesëm, si një urë në mes toskërishtes dhe gegërishtes dhe përcaktoi disa rregulla për drejtshkrimin e tij, të cilat ndikuan në njësimin e shqipes së shkruar.

Vendimet e Komisionit letrar shqip për gjuhën letrare e për drejtshkrimin e saj, u miratuan më vonë edhe nga Kongresi Arsimor i Lushnjës (1920) dhe vijuan te zbatoheshin deri në Luftën e Dytë Botërore.

Pas Luftës së dytë Botërore, puna për njehsimin e gjuhës letrare kombëtare (gjuhës standarde) dhe të drejtshkrimit të saj, nisi të organizohet nga Instituti i Shkencave. U krijuan komisione të posaçme për hartimin e projekteve të drejtshkrimit. Kështu, u hartuan disa projekte në vitet 1948, 1951, 1953 e 1956. U organizuan gjithashtu, dy konferenca shkencore në vitin 1952, për të diskutuar për problemin e gjuhës letrare.

Më 1967, u botua nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, projekti i ri “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”. Ky projekt filloi të zbatohet në të gjithë hapësirën shqiptare, në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë dhe në Mal të Zi. Ndërkohë, përpjekje për njehsimin e gjuhës letrare dhe të drejtshkrimit të saj, bëheshin edhe në Kosovë.

Në vitin 1968, u mblodh Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, e cila, e udhëhequr nga parimi “një komb-një gjuhë letrare”, vendosi që projekti i ortografisë i vitit 1968, posa të miratohej e të merrte formën zyrtare në Republikën e Shqipërisë, do të zbatohej edhe në Kosovë. Vendimet e kësaj Konsulte kanë qenë me rëndësi të jashtëzakonshme për njësimin e gjuhës letrare kombëtare shqipe.

Projekti “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes” i vitit 1967, pas një diskutimi publik, ai u paraqit për diskutim në Kongresin e Drejtshkrimit të Shqipes, që u mblodh në Tiranë, në vitin 1972, i cili ka hyrë në historinë e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare, si Kongresi i njësimit të gjuhës letrare kombëtare. Kongresi i Drejtshkrimit të Shqipes, në të cilin morën pjesë delegatë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi dhe nga arbëreshët e Italisë, pasi analizoi të gjithë punën e bërë deri atëherë për njësimin e gjuhës letrare, miratoi një rezolutë, në të cilën përveç të tjerash, pohohet se “populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar”.

Gjuha letrare kombëtare e njësuar (gjuha standarde), mbështetej kryesisht në variantin letrar të jugut, sidomos në sistemin fonetik por në të janë integruar edhe elemente të variantit letrar të veriut. Pas Kongresit të Drejtshkrimit, janë botuar një varg vepra të rëndësishme, që përcaktojnë normat e gjuhës standarde, siç janë “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), “Fjalori i gjuhës së sotme letrare” (1980), “Fjalori i shqipes së sotme” (1984), “Fjalori Drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (1976), “Gramatika e gjuhës së sotme shqipe, I Morfologjia” (1995), “Gramatika e gjuhës së sotme shqipe, II Sintaksa” (1997).

Veçori tipologjike të shqipes së sotme standarde

Nga ana strukturore, paraqitet sot si një gjuhë sintetiko-analitike, me një mbizotërim të tipareve sintetike dhe me një prirje drejt analitizmit. Një pjesë e mirë e tipareve të saj fonetike dhe gramatikore, janë të trashëguara nga një periudhë e lashtë indoevropiane, një pjesë tjetër janë zhvillime te mëvonshme. Shqipja ka sot një sistem fonologjik të vetin, që përbëhet nga shtatë fonema zanore dhe 29 fonema bashkëtingëllore. Shkruhet me alfabet latin të caktuar në vitin 1908 në Kongresin e Manastirit.

Alfabeti i shqipes ka 36 shkronja, nga të cilat 25 janë të thjeshta (a, b, c, d, e, f, g, h, i, j, k, l, m, n, o, p, q, r, s, t, u, v, x, y, , 9 janë bigrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) dhe 2 me shkronja diakritike (ë, ç).

Shqipja ka theks intensiteti dhe përgjithësisht të palëvizshëm gjate fleksionit. Në shumicën e rasteve, sidomos në sistemin emëror, theksi bie në rrokjen e parafundit.

Shqipja ka një sistem të zhvilluar (të pasur) formash gramatikore, ka një sistem lakimi binar: lakimin e shquar dhe të pashquar, ruan ende mirë format rasore (ka pesë rasa), sistemin prej tri gjinish (mashkullore, femërore dhe asnjanëse), kjo e fundit po shkon drejt zhdukjes, mbahet vetëm në një kategori të veçantë emrash foljorë, të tipit: të shkruarit, të menduarit, etj.

Sistemi emëror ka trajtë të shquar dhe të pashquar dhe për pasojë, edhe lakim të shquar e të pashquar; nyja shquese është e prapavendosur si në rumanisht dhe në bullgarisht ; ka nyje të përparme te emrat në rasën gjinore (i, e malit) dhe te mbiemrat e nyjshëm (i mirë, i vogël, etj)., te emrat asnjanës të tipit të folurit, etj. Përvec fleksionit me mbaresa të veçanta, shqipja njeh edhe fleksionin e brendshëm (dash ~ desh, marr ~ merr); ka dy tipe strukturorë mbiemrash të ngjashëm (i madh, i ndershëm) dhe të panyjshëm (trim, besnik). Te numërorët përdor kryesisht sistemin decimal (dhjetë, tridhjetë, pesëdhjetë), por ruan edhe sistemin vigezimal (njëzet, dyzet); numërorët e përberë nga 11-19, formohen duke vënë numrin e njësheve përpara, parafjalën mbë dhe pastaj dhjetëshet (njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë, etj) si në rumanisht dhe në gjuhët sllave.

Sistemi foljor paraqitet mjaft i larmishëm. Shqipja ka një sistem të pasur formash mënyrore dhe kohore, një pjesë të e cilave janë të trashëguara nga një periudhë e hershme, një pjesë janë kryer gjatë evolucionit të saj historik. Folja ka gjashtë mënyra; (dëftore, lidhore, kushtore, habitore, dëshirore, urdhërore) dhe tri forma të pashtjelluara (pjesore, paskajore dhe përcjellore). Koha e ardhshme ndërtohet në mënyre analitike, me dy forma: me do (forma e foljes dua) + lidhore (do të punoj) dhe me foljen ndihmëse kam + paskajore (kam për të punuar).

Rendi i fjalëve në fjali është përgjithësisht i lirë, por më i zakonshëm është rendi kryefjale+folje+objekt.

Leksiku përbëhet nga fjalë me preardhje vendase e nga fjalë të huazuara. Fjalët me burim vendas trashëgohen nga periudha e lashtë indoevropiane (ditë, natë, dimër, motër, jani, etj.), ose janë formuara më vonë, me mjete të shqipes (ditor, dimëror, i përnatshëm).

Për fjalët e huazuara qe disa mendojnë vijnë nga gjuhët e popujve me të cilët shqiptarët kanë pasur marrëdhënie gjatë shekujve, greqishtja e vjetër dhe e re, latinishtja e gjuhët romane, gjuhët sllave, turqishtja, frëngjishtja, është një proces i gjate ne diskutim dhe analizim. Kjo për arsyen e thjeshte sepse burimi i pare i tyre dyshohet se është përsëri gjuha shqipe e folur. Metodat e krahasimit ne shkencën e Entomologjisë nuk janë akoma ne nivelin e saktësisë se duhur përderisa nuk arrihet te zbërthehet ne njësinë minimale kuptimi logjik i simbolo-shkronjave te alfabetit grek dhe atij latin.

Përhapja e gjuhës shqipe

Shqipja flitet sot nga më se gjashtë milionë vetë në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë, në viset shqiptare të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Serbisë jugore, si dhe në viset e Çamërisë në Greqi. Shqipja flitet gjithashtu, në ngulimet shqiptare në Itali, në Greqi, në Bullgari, në Ukrainë, si dhe në shqiptarë të mërguar në viset e ndryshme të botës para Luftës se Dytë Botërore dhe në këtë dhjetëvjeçarin e fundit.

Gjuha shqipe mësohet dhe studiohet në disa universitete dhe qendra albanologjike në bote, si në Paris, Romë, Napoli, Kozencë, Palermo, Shën Pjetërburg (Leningrad), Pekin, München, Bukuresht, Selanik, Sofie, etj.

Studimet për gjuhën shqipe

Gjuha dhe kultura e shqiptarëve, lashtësia dhe karakteri origjinal i tyre, kanë tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiuesve të huaj dhe shqiptarë që në shekullin XVIII dhe më parë. Në mënyrë të veçantë, gjuha, historia dhe kultura e shqiptarëve, tërhoqi vëmendjen e botës gjermane. Me të u mor edhe një filozof i madh, siç ishte Gotfrid Vilhelm Lerbnitz, që punoi një shekull para lindjes së gjuhësisë krahasimtare. Ai mendonte, se studimi krahasues i gjuhëve ishte themelor për të ndërtuar një histori universale të botës, për ta kuptuar dhe për ta shpjeguar atë. Në disa letra, qe ai i shkruante një bibliotekari të Bibliotekës Mbretërore të Berlinit, në fillim të shekullit XVIII, shprehet edhe për natyrën dhe prejardhjen e gjuhës shqipe dhe pas disa luhatjeve, arriti në përfundimin, se shqipja është gjuha e ilirëve të lashtë.

Megjithatë, studimet shkencore për gjuhën shqipe, si dhe për shumë gjuhë të tjera, nisën pas lindjes së gjuhësisë historike-krahasuese nga mesi i shekullit XIX. Një nga themeluesit e kësaj gjuhësie, dijetari gjerman Franz Bopp, arriti të provonte që në vitin 1854, se shqipja bënte pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane dhe se zinte një vend të veçantë në këtë familje gjuhësore. Pas tij, studiues të tjerë, si G. Meyer, H. Pedersen, N. Jokli, studiuan aspekte të ndryshme të leksikut dhe të strukturës gramatikore të gjuhës shqipe. G. Meyer do të hartonte që në vitin 1891 një Fjalor etimologjik të Gjuhës shqipe (Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache, Strasburg 1891), i pari fjalor i këtij lloji për shqipen. Përveç këtyre, një varg i madh gjuhëtarësh të huaj, si F. Miclosich, G. Weigand, C. Tagliavini, St. Man, E. Hamp, A. Desnickaja, H. Ölberg, H. Mihaescu, W. Fredler, O. Bucholtz, M. Huld, G. B. Pellegrini, etj. kanë dhënë kontribute të shënuara për studimin e historisë së gjuhës shqipe, të problemeve që lidhen me prejardhjen e saj, me etimologjinë, fonetikën dhe gramatikën historike, si edhe në studimin e gjendjes së sotme të shqipes.

Ndërkohë, krahas studimeve për gjuhën shqipe të albanologëve të huaj, lindi dhe u zhvillua edhe gjuhësia shqiptare. Ajo i ka fillimet e saj që në shekullin XVII, kur Frang Bardhi botoi të parin fjalor të gjuhës shqipe “Dictionarium Latino-Epiroticum” (1635). Gjatë Rilindjes Kombëtare u botuan disa gramatika të gjuhës shqipe. Kështu, në vitin 1864, Dhimitër Kamarda, një nga arbëreshët e Italisë, botoi veprën “Laggio della grammatica comparata sulla lingua albanese”, Livorno 1864, vëll.II “L’Apendice al saggio dalla gramatica comparata sulla lingua albanese”, Prato 1866. Më 1882, Kostandin Kristoforidhi botoi “Gramatikën e gjuhës shqipe” dhe më 1806, Sami Frashëri botoi “Shkronjëtoren e gjuhës shqipe”, dy vepra gjuhësore të rëndësishme të shekullit XIX për gramatologjinë e gjuhës shqipe. Nga fundi i shekullit XIX, Kostandin Kristoforidhi përgatiti edhe një “Fjalor të gjuhës shqipe”, i cili u botua në vitin 1904 dhe përbën veprën më të rëndësishme të leksikografisë shqiptare, që u botua para Luftës se Dytë Botërore. Në vitin 1909, botohet Fjalori i shoqërisë “Bashkimi”.

Pas shpalljes së Pavarësisë, u botuan një varg gramatikash dhe fjalorë dygjuhësh, për të plotësuar nevojat e shkollës dhe të kulturës kombëtare. Në fushën e gramatikës u shqua sidomos Prof. Dr.Aleksandër Xhuvani. Aleksandër Xhuvani (1880-1961) kreu studimet e larta në Universitetin e Athinës. Veprimtaria e tij për studimin e gjuhës shqipe dhe arsimin kombëtar, e nisi që gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare. Bëri një punë të madhe për pajisjen e shkollës sonë me tekste të gjuhës shqipe, të letërsisë, të pedagogjisë dhe të psikologjisë. Drejtoi e punoi për hartimin e udhëzuesve drejtshkrimorë në vitet 1949, 1951, 1954, 1956. Pati një veprimtari të gjerë në fushën e pastërtisë së gjuhës shqipe e të pasurimit të saj dhe botoi veprën “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” (1956). Bashkëpunoi me profesorin Eqerem Çabej, për hartimin e veprave “Parashtesat” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (1962), trajtesa themelore në fushën e fjalëformimit të gjuhës shqipe. Botoi dhe një varg punimesh monografike për pjesoren, paskajoren dhe parafjalët e gjuhës shqipe.

Ai ishte njohës i mirë dhe mbledhës i pasionuar i visarit leksikor të gjuhës së popullit. Fjalët dhe shprehjet e mbledhura , u botuan pjesërisht pas vdekjes, në formën e një fjalori. Përgatiti një botim të dytë të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të Kristoforidhit (1961). Vepra e plotë e tij, e projektuar në disa vëllime, ende nuk është botuar. Në vitin 1980 është botuar vëllimi i parë.

Një zhvillim më të madh njohu gjuhësia shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur u krijuan edhe institucione shkencore të specializuara, si Universiteti i Tiranës, Universiteti i Prishtinës dhe Akademia e Shkencave, Universiteti i Shkodrës, më vonë, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Gjirokastrës, Universiteti i Vlorës, Universiteti i Tetovës, etj. Gjatë kësaj periudhe, u hartuan një varg veprash përgjithësuese nga fusha të ndryshme të gjuhësisë. Në fushën e leksikologjisë dhe të leksikografisë, përveç studime leksikologjike, u hartuan edhe një varg fjalorësh të gjuhës shqipe dhe fjalori dygjuhësh, nga të cilët, më kryesorët janë: “Fjalori i gjuhës shqipe” (1954), “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980), “Fjalori i shqipes së sotme” (1984), “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (1976), “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), etj. Kohët e fundit kanë dalë edhe “Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe” (2000) dhe “Fjalor frazeologjik ballkanik” (1999).

Në fushën e dialektologjisë është bërë përshkrimi e studimi i të gjithë të folurave të shqipes dhe është hartuar “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”, një vepër madhore që pritet të dalë së shpejti nga shtypi. Është bërë gjithashtu, studimi i fonetikës dhe i strukturave gramatikore të gjuhës shqipe përmes studimeve të veçanta dhe përmes gramatikave të ndryshme, niveleve të ndryshme, nga të cilat, më e plota është “Gramatika e gjuhës shqipe” I Morfologjia (1995), II Sintaksa (1997), hartuar nga Akademia e Shkencave, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, me kryeredaktor Mahir Domin.

Një vend të gjerë në studimet gjuhësore të këtij gjysmëshekulli, kanë zënë problemet e historisë së gjuhës shqipe, problemet e etnogjenezës së popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, të etimologjisë, të fonetikës dhe të gramatikës historike, etj. Disa nga veprat themelore në këto fusha janë: “Studime etimologjike në fushë të shqipes” në 7 vëllime, nga E.Çabej; “Meshari” i Gjon Buzukut (E.Çabej); “Gramatika historike e gjuhës shqipe” (Sh. Demiraj); “Fonologjia historike e gjuhës shqipe” (Sh. Demiraj); “Gjuhësia ballkanike” (Sh. Demiraj), etj. Eqerem Cabej (1908-1980). Studiuesi më i shquar i historisë së gjuhës shqipe dhe një nga personalitetet më në zë të kulturës shqiptare.

Pasi bëri studimet e para në vendlindje (Gjirokastër), studimet e larta i kreu në Austri, në fushën e gjuhësisë së krahasuar indoevropiane. Pas mbarimit të studimeve, kthehet në atdhe dhe fillon veprimtarinë shkencore e arsimore në vitet ’30 të këtij shekulli dhe punoi në këto fusha për një gjysëm shekulli, duke lënë një trashëgimi të pasur shkencore.

Eqerem Çabej solli dhe zbatoi në gjuhësinë shqiptare metodat dhe arritjet shkencore të gjuhësisë evropiane, duke kontribuar shumë në ngritjen e nivelit shkencor të studimeve gjuhësore shqiptare. Eqerem Cabej punoi shumë në disa fusha të dijes, por u shqua sidomos në fushën e historisë së gjuhës, në trajtimin e problemeve të origjinës së gjuhës shqipe, të autoktonisë së shqiptarëve e të etimologjisë dhe të filologjisë së teksteve të vjetra.

Veprat themelore të tij janë: “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, në shtatë vëllime, I “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, II “Fonetikë historike” (1958), “Meshari i Gjon Buzukut” (1968), “Shqiptarët midis perëndimit dhe lindjes” (1944).

Ai është bashkautor edhe në një varg veprash në fushën e gjuhës së sotme, siç janë: “Fjalor i gjuhës shqipe” (1954), “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (1972), “Fjalori drejtshkrimor”.

Përveç veprave, ai ka botuar një varg studimesh në revista shkencore brenda e jashtë vendit dhe ka mbajtur dhjetëra referate e kumtesa në kongrese e konferenca kombëtare e ndërkombëtare, të cilat kanë bërë të njohura arritjet e gjuhësisë shqiptare në botë, duke rritur kështu prestigjin e saj.

Veprat e prof. Eqerem Cabej janë botuar në tetë vëllime, në Prishtinë, me titullin “Studime gjuhësore”. Me veprimtarinë e shumanshme shkencore e me nivel të lartë, Eqerem Cabej ndriçoi shumë probleme të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare, duke argumentuar lashtësinë dhe origjinën ilire të saj, vitalitetin e saj ndër shekuj dhe marrëdhëniet me gjuhët dhe kulturat e popujve të tjerë.

Gjatë kësaj periudhe, gjuhësia shqiptare zgjidhi edhe problemin e gjuhës shqipe letrare kombëtare, të njësuar me çështjet teorike të së cilës është marrë veçanërisht prof. Androkli Kostallari. Në kuadrin e punës që është bërë në fushën e gjuhësisë normative dhe të kulturës së gjuhës, janë hartuar dhe një numër i madh fjalorësh terminologjikë për degë të ndryshme të shkencës e të teknikës.

Përveç veprave të shumta që janë botuar në fushën e gjuhësisë, veprimtaria e gjuhësisë studimore e studiuesve shqiptarë pasqyrohet në botimin e disa revistave shkencore, nga të cilat më kryesoret sot, janë: “Studime filologjike” (Tiranë); “Gjuha shqipe” (Prishtinë); “Studia albanica” (Tiranë); “Jehona” (Shkup); etj.

Studime te rëndësishme mbi gjuhën shqipe janë bërë nga gjuhëtarë në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, ku janë botuar një numër i konsiderueshëm veprash mbi historinë e gjuhës shqipe, fonetikën, gramatikën, leksikun etj. Prof. Idriz Ajeti shquhet për kontributin e veçantë që ka dhënë në këtë fushë.

Kontribut të veçantë për gjuhen shqipe kanë dhenë edhe shqiptaret e vendosur në Itali, të njohur si “Arbëresh”. Disa nga figurat më të shquara të gjuhësisë shqiptare të këtyre dy shekujve të fundit, janë : Dhimitër Kamarda (arbëresh i Italisë), Kostandin Kristoforidhi,Sami Frashëri, Aleksandër Xhuvani, Eqerem ÇabejSelman Riza, Kostaq Cipo, Mahir DomiShaban DemirajAndrokli KostallariIdriz AjetiGjovalin Shkurtaj etj.

Prof. Eroll Velija

You must be logged in to post a comment Login