Faik Konica, Gur themeli i sociologjisë shqiptare

u1_ica-PortretNgaJosephSigall u1_Konica-Albania

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë dhe 70 vjetorit të vdekjes së Faik Konicës

Nga Fotaq Andrea

Është e njohur figura poliedrike e pionierit rilindas Faik Konica. Me kryeveprën e tij dygjuhëshe revistën Albania (1897-1909), themeluar në Bruksel, ai hodhi themelet në mjaft fusha të mendimit dhe veprimit shoqëror e atdhetar, duke filluar që nga gjuha e njëjësuar “letrarishte” shqipe, siç e quante ai, e deri te bazat e sociologjisë shqiptare. Ai piketoi dhe vendosi me dorë të sigurt gurin e parë të themelit në fushat e kritikës, estetikës, stilistikës e publicistikës shqipe dhe po ashtu, shkëlqeu si bibliograf, enciklopedist, përkthyes, etnograf, novelist, poet, e deri muzikant dhe estet. Fakti është se që në numrin 2 të revistës (25 prill 1897), ai vendos qartë e prerë në ballinë krahas titullit “Albania” edhe nëntitullin frëngjisht: “Revistë mujore shqiptare për Letërsi, Gjuhësi, Histori, Sociologji”. Në këtë mënyrë, shohim për herë të parë në Letrat dhe Shkencat shqipe të shfaqet termi “sociologji”, përkrah fushave të tjera madhore dhe titullit domethënës Albania.

Duke përcaktuar publikisht fushat kryesore të tematikës së revistës, Konica djaloshar, – vetëm 21 vjeç -, shmangu me zgjuarsi çdo lloj censure, i detyruar të theksojë në frëngjisht, që në numrin 1 të revistës: “Revista shqiptare nuk trajton çështje politike”. Por tashmë, çdo shqiptar i kohës, i vetëdijshëm për rolin dhe forcën e kësaj reviste e kishte më se të qartë se shtylla kurrizore e saj ishte pikërisht zgjimi dhe forcimi i ndjenjës kombëtare, emancipimi shoqëror dhe beteja në fushën e politikës dhe diplomacisë për mëvetësi e pavarësi të Shqipërisë, në një kohë kur ishin ashpërsuar planet shoviniste të shteteve fqinje për copëtim të saj dhe i sëmuri i Bosforit ishte mbërthyer nga ethet e shpërbërjes së Perandorisë osmane.

Përqendruar në tematikën sociologjike koniciane, vërejmë se ajo është e gjithanshme dhe e lëvruar në disa rrafshe. Jo vetëm kaq, por Faik Konica shkon më tej, tek e tejkalon kuadrin e brendshëm të kohës, duke rrokur edhe tematika të mirëfillta sociologjike në rrafsh europian, konkretisht eseja e tij “Mbi edukimin”, që po e japim për botim për herë të parë në gjuhën shqipe, apo eseja tjetër e tij madhore “Mbi gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale”, botuar që të dyja me pseudonime nga Librairie Kiessling et Cie, Bruxelles, më 1898 e 1904.

I pashembullt në gjenialitetin e tij, i cilësuar nga bashkëkohësit dhe bashkëkombësit me krejt vlerësimet e meritueshme, njohësi i 17 gjuhëve, “enciklopedia lëvizëse”, “shqiptari më erudit”, “diplomati emblematik”, “politikani i zhdërvjelltë e largpamës”, miku i ngushtë i Apolinerit të madh, Konica, tri herë i dënuar me vdekje nga sulltani, zbuluesi i flamurit të Skënderbeut, i pari shqiptar që komentoi armët dhe përkrenaren e Heroit kombëtar, Konica pra – diti mbi të gjitha të hedhë bazat e mendimit të përparuar dhe modern shqiptar, të vizionojë një Shqipëri të ardhshme europiane përkrah kombeve të qytetëruara të kontinentit të lashtë. Aq sa fshikulloi ashpër, si rrallëkush, mentalitetin e prapambetur shqiptar, “mendjet e klasit të katërt” siç i quan ai, krejt përgjumësinë pesë shkekullore, po aq ai diti të ngrejë lart, në piedestal glorifikimi, në vetë botën perëndimore, vetitë më të mira të shqiptarëve, doket, zakonet, historinë, krenarinë shqiptare në shekuj, e mbi të gjitha, gjithçka të vyer shpirtërore që shqiptarët dhanë historikisht, krahas gjakut të tyre që rrjedh në damarët e Europës.

Le ta themi që në fillim se studimi ynë për sociologjinë e Faik Konicës nuk mëton të jetë aspak gjithëpërfshirës a shterues. Ne thjesht po përpiqemi këtu të përcaktojmë disa elementë

themelorë të sociologjisë koniciane që përbëjnë njëfarësoj boshtin fillestar të vetë sociologjisë shqiptare në disa fusha apo rrafshe të caktuara horizontale, të cilat gradualisht – falë artikujve, epistolarit dhe veprave të tij madhore, si Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit apo Katër përralla nga Zululandi, etj. vijnë e mbishtresëzohen për të shfaqur në këtë mënyrë edhe përmasën vertikale të kësaj sociologjie.

Është e njohur pena e mprehtë koniciane për të goditur ashpër, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, por edhe me ironinë dhe sarkazmën e tij të rrallë, tërë dukuritë shoqërore regresive të Shqipërisë në kapërcyell të shekujve XIX-XX, botëkuptimin e prapambetur anadollak që kishte përgjumur shqiptarët për pesëqind vjet, kritikë kjo sociologjike e llojit volterian, me forcë e fuqi tronditëse, troshitëse, shkundëse. Në këtë kuptim, kjo lloj kritike koniciane me ashpërsi mbresalënëse ka karakter të theksuar konstruktiv, tek sendërton hap pas hapi vetëdijen kombëtare, çel sytë e mendjes, e vesh atë me forcë vepruese shoqërore, e orienton dhe e ngacmon drejt një qëllimi fisnik me synime të qarta në kuadër të një perspektive të afërt a të largët.

Që në numrin 1 të Albanias, në kryeartikullin “Armiqtë e Shqipërisë”, Konica mbërthehet fort pas realitetit të zymtë të kohës kur shqiptarit i mungon “buka e barkut”, “buka e mendjes” dhe është i rrethuar nga armiq të jashtëm. Me dy paragrafë të shkurtër, ai shpreh dhimbjen e tij për këtë realitet të hidhur dhe veç kur shpërthen e revoltohet në paragrafin e tretë me ashpërsinë e një heroi homerian duke shpallur, deri dhe me qitje të largët, gjithë rezonancë aktuale: “Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, Shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur argjend [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshërim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin Shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj”*.

Tek flet kaq hapur, pa dorashka, nën një qiell të zymtë shqiptar ku përzien e përplasen shtëllunga resh shekullore në hone të vetëdijes e pavetëdijes kombëtare, ai e kërkon fjalën të çiltër, të qëruar, të revoltuar e revoltuese njëkohësisht, që të shpërthejë me gjëmim rrufeje zeusiane. Topitja ka shkuar nën cakun e flijimit dhe vetëflijimit, të durimit dhe vetëdurimit, dhe lypset tanimë ndërgjegjësim e vetëdije, me shpërthim vullkanik shoqëror.

Në numrin 2 të Albanias, kur Konicës i bëhet presion nga një kategori bashkatdhetarësh për të kufizuar në shkrimet e revistës lirinë e pikëpamjeve të veta politike, shoqërore e fetare, pionieri erudit i Rilindjes tregohet i papërmbajtshëm, si një përrua që derdhet nga lartësitë qiellore me shkrimin Ç’është liria?: “Dua të marr shpatën, revoltohet ai, e t’u çajë kokën gomarëve, edhe në vend të trurit të kllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë m… njeriu, se të shkrojë për Shqiptarët… ç’është liria: Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruaj ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por Shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja: unë i botojë letrat e tyre kur thonë që kanë fe, por nuk duan që unë të shajë fetë e tyre… “s’të lëshojmë lirinë që të shaç fetë…””. Dhe Konica tek përfundon: “Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit. Duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes (la vie intellectuelle). Jeta e mendjes është të hapim tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës së tjetrit, të kuvendojmë si njerëz të qytetëruar, që mblidhen e luftojnë me fjalë [shoqërisht] për idetë e tyre… kështu do njihemi më mirë, s’do kemi mendime të fshehura, dhe do të Kuptojmë** që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së Vërtetës dhe dëshirimi i Shqipërisë”.

Komentet këtu i shohim të tepërta, sepse citimet falsin vetë në përmbajtjen e tyre sa sociale aq edhe sociologjike. Por Konica nuk mund të rrijë pa theksuar se vetëm dashuria dhe vëllezëria mes shqiptarëve, bashkimi i tyre është çelësi i artë i shpëtimit të atdheut dhe çlirimi i shpirtit shqiptar, se ndarja, armiqësia, padija dhe errësira e mendjes duhen “të lipsen” siç thotë ai, në duam “të njohim të mirën tonë… të hyjmë në rrethin e kombeve të ndritura. E ç’punë ka myslimanëria apo krishterëria me shqiptarërinë? Myslimani të jetë mysliman, i krishteri i krishterë, po Shqipëria të jetë e të gjithëve ne, dhe e të gjithëve është detyra të mendohemi e të bëjmë si është më e mira për të”. (artikulli Të vimë nër ment, Albania 2).

Shkrimet sociologjike të Albanias përqendrohen kryesisht në problemet madhore të kombit, dhe zgjimi i ndërgjegjes kombëtare për çlirim e pavarësi, si boshti themelor, nuk mund të kuptohet pa rrokje tematikash po aq madhore, si harmonia fetare në Shqipëri, (jo thjesht toleranca fetare!), ndarja e fesë nga kombi, tradita e lashtë dhe trashëgimia kulturore, folklori e etnografia, Kanuni i Malcis, Shpirti shqiptar në shekuj apo karakteri i tij historik, emancipimi shoqëror si dhe vetë emancipimi i gruas shqiptare, që përbëjnë, këto e të tjera, elementët identifikues të fuqishëm kombëtarë të prirë drejt veprimit të gjallë shoqëror në rrjedhë të historisë. Mjaft shkrime që rrahin tema të tilla, Konica i jep edhe drejtpërdrejt në frëngjisht, duke ia drejtuar kështu publikut të huaj europian për një sensibilizim më të madh të tij me çështjen shqiptare drejt mëvetësisë, për përkrahje dhe frymëmarrje të gjerë shoqërore e politike.

Nga ana tjetër, me shkrimet e tij të karakterit sociologjik, Konica, duke u shfaqur i drejtpërdrejtë, i ka hesapet të qëruara me kundërshtarët e tij të mentaliteteve të zymta. Ai nuk bën pazare, është konkret, duke i rënë kokës gjithkujt e gjithçkaje, siç del edhe në shkrimin “Ëndrra dhe e vërteta” te Albania 6. E kërkon këtu gjallërinë kombëtare për të marrë shembull nga Kuba që po lëviz për pavarësi kundër spanjollëve, sepse boll “jemi të ngopur nga ëndrrat…, prandaj t’i lëshojmë ëndrrat mënjanë, të kërkojmë punëra që janë për të bërë, të përpiqemi të zëmë udhën e mirë”.

Shumë shpejt, e shohim Konicën te Albania të mbërthehet pas një çështjeje konkrete për të rrezatuar me lente sociologjike në çështje të tjera dhe konkretisht te shkrimi tepër konciz (30 rreshta gazete) “Qyshet e Tregerisë” [Tregtisë] (Albania e 30 dhjetorit 1897). Çuditet Konica për begatinë e dheut të Shqipërisë, për larminë e prodhimeve bujqësore e blegtorale, që prishen e kalben, në kontrast të dukshëm me varfërinë e tejskajshme të shoqërisë shqiptare, vetëm e vetëm sepse tregtia e brendshme nuk funksionon dhe nuk ka për rrjedhojë qarkullim monetar. E në s’ka tregti të brendshme (pale të jashtme!), e në s’ka qarkullim monetar, domosdo ngaqë s’ka rrugë komunikacioni, hekurudha, etj. Dhe menjëherë, Konica djaloshar del në konkluzionin e rëndësishëm të karakterit sociologjik se zhvillimi i tregtisë dhe i komunikacioneve sjell sigurinë dhe përparimin shoqëror, mënjanimin e rrezikut të kusarisë e të grabitjeve, dukuri këto sociale që ishin shndërruar në plagë të shoqërisë shqiptare të kohës.

Dy muaj më pas, Konica e rimerr këtë temë te Albania (shkurt 1898), me shkrimin “Dy fjalë për bujqësinë dhe tregerinë”. Tek e konsideron si një çështje të rëndësishme sepse i përket gjithë shtresave të shoqërisë, të pasura a të vobekta, ai trajton më vete çdo hallkë të çështjes, duke e shfaqur këtë në formë zinxhiri, nga bujku që prodhon drithë, te tregtia dhe te gjallëria sociale, apo përparimi shoqëror. Kështu, te hallka “bujqësi”, ai ngulmon për një bujqësi moderne, që të braktiset prodhimi me parmendë të drunjtë dhe të përdoren makineritë, si dhe të ngrihen shkolla bujqësore, sepse “rritet prodhimi katërfish”. E jo vetëm kaq, por ai ngulmon në përvojën e përparuar europiane në këtë fushë të prodhimit shoqëror, kërkon të përfitohet prej saj, ashtu sikurse kanë përfituar popujt fqinjë të Shqipërisë, boshnjakët, malazezët, sllovenët. Pra, një tematikë e ngushtë vjen e zgjerohet në mendimin shoqëror konician për të rrezatuar në një diapazon më të gjerë. Dhe jo vetëm kaq, por ai shigjeton me këtë rast “qeverinë” (gubernën, siç shprehet ai) që nuk merr masa në këtë fushë, duke nxitur kështu masën e prodhuesve për të ushtruar presionin e tyre shoqëror.

Në numrin vijues të Albanias, (31 mars 1898), në shkrimin “Ca fjalë mbi bagëtinë”, ai trajton tanimë çështje të blegtorisë, sepse për Konicën, sikurse për gjithë rilindësit, bujqësia dhe blegtoria janë sektorët tradicionalë shqiptarë më prodhimtarë. Vëren se kafshët shtëpiake janë shëndetliga dhe me prodhim të dobët qumështi (më e mira lopë te fshatari ynë sjell 10 okë qumësht në ditë, kur një lopë holandeze jep 50 okë!) Që këtej lind nevoja “të mirësohet”, siç thotë ai, apo të mbarështrohet bagëtia si dhe të bëhet kryqëzimi i racave sipas përvojës boshnjke, kur qeveria solli në vend 700 lopë race të Moelthalit, si dhe lopë hungareze. Po ashtu, i duhen dhënë kredi blegtorit dhe bujkut shqiptar që të mund të përmirësojë prodhimin. Me këtë rast, Konica kërkon edhe krijimin e sektorit të pularisë dhe zgjerimin e oborrit për shpendët shtëpiake.

Pra Konica (që çel në Albania edhe rubrikën Kohëtore e bujqësisë, tek flet për shembull gjerë e gjatë për pataten dhe vlerat e saj – Albania, prill 1899), çështjen e prodhimit bujqësor e blegtoral e sheh të lidhur ngushtë me tregtinë dhe sektorë të tjerë të zhvillimit shoqëror, duke theksuar se “Tregtia, bujqësia, bagëtia janë gjaku, jeta, lulëzimi i një vendi dhe të rinjtë mëmëdhetarë duhet të përkujdesen për çështjet aq të dobishme e të rëndësishme, dhe të kuptojnë nevojat e mëmëdheut… Vërtet, është më lehtë të përpiqet njeriu për politikë, por përparimi, lulëzimi, qytetërimi janë më shumë të lidhura me punërat e Ekonomisë se me fjalët e Politikës”. Konica e ka kështu më se të qartë rolin parësor e themelor që luan baza ekonomike në shoqëri, krahas rolit drejtues të superstrukturës nëpërmjet një politike atdhetare.

Dukuri e mprehtë shoqërore që shigjetohet ashpër nën penën e Konicës është shitblerja e vajzave shqiptare për martesë, të cilën ai e quan “barbari”. Në shkrimin “Martesa në Shqipëri” (28 shkurt 1989), Konica ngulmon në të drejtat e kësaj kategorie shoqërore, jep përvojën e përparuar europiane, dhe mbi të gjitha kërkon të respektohet ndjenja e dashurisë tek vasha shqiptare, liria e saj e mendimit dhe veprimit. Kaq tragjike e përshkruan ai pozitën shoqërore të vashës shqiptare sa sikur ndonjë syresh të guxojë t’i thotë t’et që “burrin që më jepni nuk e dua”, i ati nuk ngurron t’i presë së bijës kokën, duke e bërë therore, apo ta zhdëpë në hu, e më në fund ta martojë me pahir. Këtë Konica e quan “robëri të poshtër” duke shprehur ashpër revoltën e tij, tek sheh në sytë e vashës së skllavëruar vetëm lot tërë jetën për burrin që ajo nuk e do dhe që do ta trajtojë atë si shtazë, “për t’u mplakur shpejt mes trishtimit”. “Të gjorat shqiptarkëza, bijat tona, qofshin motra a të afërma, presin gjashtëmbëdhjetë vjet ndërmjet katër mureve sa të jepen te një njeri për të cilin ndofta s’do të kenë tjetër vetëndjesë përveç largim zemre; sa të vijë ajo orë e zezë, s’i lëshojnë as të venë të dëfrejnë, as të venë te shoqet e tyre lirisht, të mbledhin lule nëpër fushëra, as të mësojnë violi për të shkuar ëmbël kohën në një vend si Shqipëria…” Dhe Konica vijon më tej me ngulm duke kërkuar lirinë dhe të drejtat e vajzës shqiptare, sepse “çupa e sotme është mëma e së nesërmes, andej do dalin gjithë Shqiptarët e kohës për të ardhur”. Po të jenë ato të lira, do jenë edhe Shqiptarët të lirë, përfundon Konica me fjalë të arta profetike: Me qumështin e nënës merret edhe liria.

Tema e gruas dhe e vashës shqiptare është nga më të parapëlqyerat e Konicës, duke e trajtuar këtë jo thjesht në aspektin shoqëror, por edhe historik, tek flet për shembull për tragjedinë e Vojsavës dhe Mamicës pas pushtimit osman të vendit, për figurën legjendare të Mrikës që shpëtoi Skënderbeun në shesh të betejës, për figurën e nuses së re që qan te kroi duke larë fustanellën e të shoqit, etj. etj. apo edhe për figurën e gruas së thjeshtë e të zgjuar nga radhët e popullit Gjylnari e Muhedin agës, Arifja e Zylyftarit e me radhë. E për më tepër, Konica nuk mungon të vërë në dukje rolin dhe të drejtat e grave në rrafsh europian e paneuropian me shkrimin e mrekullueshëm “Të drejtat e grave dhe mendimtari Shopenhauer” (Albania, prill 1899), ku i nxjerr ato të barabarta me burrat dhe të afta për të drejtuar politikën e shtetin. Këtë shkallë të lartë emancipimi të gruas, Konica e kërkon edhe për gratë dhe vashat shqiptare, duke e hedhur kësisoj vështrimin drejt së ardhmes së afërt e të largët, tek çel horizonte të reja për zhvillime shoqërore.

Dukuri tjetër shoqërore tragjike, trajtuar në faqet e Albanias (1 korrik 1898), është gjakmarrja ndër shqiptarët, që dikur, shekuj më parë, ka qenë karakteristike edhe për kombet e tjerë, por që ato e kanë flakur tej me neveri në rrjedhë të historisë, kurse në vendin tonë, (“vetëm ne kemi mbetë më të mbrapmit në Europë” – theksohet në shkrimin Gjakësi e Shqiptarëve ) ajo po bën kërdinë “me kanun të gjakut”. Marrja e gjakut është kaq e pështirë dhe tragjike si dukuri shoqërore, sa nuk mungohet të goditet ashpër dhe drejtpërdrejt, pa dorashka, duke vënë në dukje në artikull se ajo është mbisunduese vetëm në Afrikën e egër e të pazhvilluar. Madje edhe në Shqipëri, vëren artikullshkruesi, duhet bërë dallimi, sepse nëse në Toskëri, ai që fyen nder dorën e vëllazërisë duke kërkuar falje dhe falet, në Gegëri kërkohet vënia e nderit në vend me anë të gjakut në emër të “kanun t’ Turkiës, dhe vetun malcinat e Lekëve të Dukagjinëve shkojn mas kanunit të tyne që nuk asht i shkruem, por mbajtun goj n’ goj, brez mas brezit”. Dallimet në zbatimin e kanunit janë të mëdha në këtë pikë në zonën veriore të Shqipërisë, nga Mbishkodra në Mirditë, etj. Madje autori geg (Ka. Ma.), bashkëpunëtor i Albanias, vëren se edhe vetë kanuni i Lekë Dukagjinit ka pësuar evolucion në kohë, ka ardhur duke u zbutur. Por zgjidhja e vetme është zhdukja krejtësisht e dukurisë së gjakmarrjes, sepse atë nuk e do as Zoti, as njerëzia, as vetë malësorët. Dhe në mënyrë tragjike, autori vë në dukje zhdukjen brenda 50 vjetëve të 387 shtëpive vetëm në Nikaj e Mërtur, në Dushman të 145 shtëpive brenda 17 vjetëve (sipas studiuesit francez Hecquard) apo zhdukjen e 25 për qind të burrave në këto zona brenda 3-4 dhjetëvjeçarësh sipas studiuesit gjerman Dr. Hassert.

Emancipimi shoqëror, vetë qytetërimi i kombit shqiptar shihet në faqet e Albanias para së gjithash nëpërmjet luftës kundër padijes dhe çeljes së shkollave shqipe, sidomos për brezin e ri, përballë presionit gjithnjë e në rritje të shovinizmit sllavo-grek që çel shkollat greke e serbe në trevat veriore e jugore të Shqipërisë etnike. Konica i rikthehet kësaj çështjeje në mënyrë të rregullt, dhe jo thjesht problemit të çeljes së shkollave shqipe, por edhe pajisjes së tyre me libra shqipe, me mësues të përgatitur, e sidomos nëpërmjet luftës së tij të pandalshme për përcaktimin e alfabetit shqip dhe lëvrimin e gjuhës letrare shqipe, të cilën e shihte si element bashkimi të fuqishëm të krejt shqiptarëve.

Emancipimin shoqëror si një çështje madhore, Konica e trajton me penë të fuqishme në shkrimin “Rritja mendore e popullit shqiptar” (Albania, prill 1906). Thjesht çështjen e arsimimit shqip dhe të luftës kundër padijes, ai nuk e kufizon aspak te brezi i ri, domethënë të pritet një herë sa të shkollohet brezi i ri që të mund të arsimohet krejt shoqëria. Jo, ai kërkon drejtpërdrejt arsimimin shqip të krejt brezave, dhe krahas shkollave të ditës për të miturit e të rinjtë, ai kërkon shkollat e natës për burrat e gratë në Shqipëri, sipas vetë përvojës amerikane, kur në Boston shqiptarët frekuentojnë tashmë shkollat e natës për formimin dhe ngritjen e tyre arsimore e edukative. Në këtë drejtim, ai nuk mungon të përgëzojë Shkollën e Franciskanëve në Shkodër që për dy vjet, me ndjenjë të lartë atdhetarie, ndërmori nismën që “të jepeshin një herë në javë mësime të përbotshme për burrat”. Konica nuk e njeh ecurinë e mëtejshme të kësaj nisme, por fuqimisht ngre lart këtë dukuri të re, të kohëve të reja, ku sheh fillesën e emancipimit shoqëror, të “qytetarisë shqiptare”, siç e quan ai.

Nga ana tjetër, përveç mësimit të shkrimit dhe leximit të gjuhës shqipe te brezi i vjetër, krahas atij të ri, Konica kërkon “zgjerimin e kufirit të mendjes së tyre”, duke kaluar kështu nga një fazë e parë e domosdoshme, njohja e shkrimit – Arti i shkrimit, citon Konica filozofin anglez Carlyle, i vërteti mbretërim i mrekullive që nisën për njerëzinë – në një fazë të dytë që ai e quan“lërimin e mendjes”, domethënë kulturimin dhe qytetërimin shoqëror, një tjetërsim pra të njeriut shqiptar të kohës, i prapambetur në mendime apo me botëkuptim të ngushtë. Dhe populli, këmbëngul Konica, e ka dashurinë për “lërim të mendjes”, sepse kërkon të ecë përpara, të mësojë. Por i mungojnë librat, “këtu fle lepuri”, aty është çështja.

Gjendjen e librave (metodave) shqipe dhe të abeceve Konica e sheh të mjerueshme (janë për mëshirë!) e as që mund të bëhet fjalë për aritmetikë, gjeografi, trigonometri etj. Këtu Konica bën dallimin e madh në libra për fëmijë dhe libra për të rritur (për burra me mustaqe!) dhe një abetare e thjeshtë kurrsesi nuk mund t’u adresohet këtyre. Shqiptari për Konicën duhet të hapë sytë e mendjes, të shohë rrotull tij se çfarë bëjnë kombet e qytetëruar që edhe kombi shqiptar të përparojë e të ecë krahas tyre. Pra, përqasja e gjendjes shoqërore të mjerueshme në Shqipëri me gjendjen e përparuar shoqërore, sidomos në vendet e zhvilluara perëndimore, është një pikë referimi konstante në botëkuptimin konician për ndërgjegjësim e veprim shoqëror. Kjo përqasje e karakterit sociologjik, si dje, si sot, i shpërthen kufijtë e izolimit e të padijes që ka njohur Shqipëria jo vetëm në periudhën e otomanizmit pesë shekullor, por edhe në periudhën e komunizmit pesëdhjetëvjeçar, gjë që ka çuar detyrimisht në pasojën historike dhe tragjike të një prapambetjeje të theksuar sociale, në shkëputje nga kombet e përparuara. Nëse gjetkë, zhvillimi botëkuptimor e shoqëror ka ecur përherë me hapa të shpejta, tek ne, për njëmijë arsye të jashtme e të brendshme, ky zhvillim nuk ka ndjekur ritmet e duhura bashkëkohore, dhe Konica s’përton në këtë mes të fshikullojë ashpër një dukuri të tillë të përgjumjes shoqërore në Shqipërinë e Turqisë europiane…

Duke respektuar kuadrin e ngushtë të këtij shkrimi të parë për sociologjinë koniciane, nuk po ndalemi në dukuri shoqërore të veçanta e të shumta trajtuar nga Konica; le të përmendim shkarazi dukuri të tilla si: sjellja e shqiptarëve ndaj të huajve; karakteri shqiptar dhe shoqëritë e fshehta të cubizmit, banditizmit, kusarisë; thashethemet, apo fjalë kazanash; roli i traditës dhe zejeve shqiptare në botëkuptimin dhe shpirtin artistik popullor; këshilla shqiptarëve për të gjetur punë në Europë; raporti i çështjes së kombësisë dhe çështjes së fesë, si dhe roli i bektashinjve në Shqipëri; krimi dhe stërvitja morale e sociale e popullit; evolucion demografik dhe statistika; etj. etj.

Le të shohim tani përmbledhtas karakteristikat thelbësore që na shfaq eseja e Faik Konicës “Mbi Edukimin” shkruar në frëngjisht dhe botuar në Bruksel më 1898 me pseudonimin Trhank Spirobeg.

Shfaqet në pamje të parë si një metodikë apo si një libërth praktik mbi edukimin e fëmijës dhe të brezit të ri, duke plotësuar kështu, me sa duket, njëfarë boshllëku propagandistik në fushën e edukimit të brezit të ri me frymë bashkëkohore, dhe kjo, jo thjesht brendapërbrenda kuadrit kombëtar belgjian, por më tej, duke u veshur vepra me një përmasë europiane e paneuropiane. Guxojmë ta themi këtë pasi edhe Eseja e dytë e Faik Konicës që do pasojë, botuar frëngjisht po në Belgjikë, “Mbi gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale”, ishte një risi e padiskutueshme për kohën, pikërisht për një çështje që qëndronte në themel të debatit shoqëror europian mbi gjuhët artificiale.

Para së gjithash e mbi të gjitha, Konica 22-23 vjeçar, me tipare të hershme gjeniu, e quan edukimin “shkencë, shkencë e së ardhmes, madje edhe vetë motorin e tërë shkencave”, duke e argumentuar këtë përkufizim të saktë e të goditur jo thjesht nëpërmjet përmasës së gjerë të vetë kësaj fushe, që përmban brenda saj edukimin fizik, intelektual (botëkuptimor), moral e higjienik të fëmijës, por edhe nëpërmjet vetë përvojës së tij personale familjare. Ashtu sikurse ka bërë të ditur për herë të parë që më 1997 studiuesi Isak Sheme, dhe në bazë të dokumenteve arkivore që disponojmë ne vetë, Faik Konica, kishte në atë kohë lidhje dashurie me bukuroshen franceze 16 vjeçare Sophie Annette Hugon, me të cilën pati një djalë, Henrik Lohengrin beg Konitza Schischgo, lindur në 24 qershor 1897, tre muaj pas daljes së numrit të parë të Albanias. Konica i vuri djalit edhe një emër të dytë Lohengrin për nder të operës “Lohengrin” të kompozitorit të famshëm gjerman Vagner, të cilin, siç dihet, ai e adhuroi në kulm tërë jetën e tij. Konica pohon kështu publikisht, në esenë e tij “Mbi Edukimin”, për herë të parë e të fundit praninë e djalit të tij, si dhe një tipar të vetin e të mikeshës së tij që ndikon për keq në edukimin e fëmijës, kur shkruan: “Duke qenë unë vetë me një nervozizëm të skajshëm, që më bën të tronditem dhe të vuaj mjaft për shkakun më të vogël, përderisa e kam një djalë – dhe që është me nënë po ashtu nervoze, – bota e jashtme nuk do të jetë për këtë fëmijë veçse një subjekt trishtimi, zemërimi dhe dhimbjeje” (nënvizimi ynë).

U ndalëm pak këtu, në jetën personale të Konicës së asaj kohe, thjesht për të treguar se pikërisht, prania e djalit të tij foshnje duhet të jetë bërë shkas, ndër të tjera, që Konica të shkruaj esenë e tij, mbi bazën e vëzhgimeve të drejtpërdrejta tek fëmija që kishte para syve dhe që i jepte mundësinë të merrte shënime për çdo sjellje dhe reagim të tij.

Konica ndjek hap pas hapi dhe etapë pas etape zhvillimin e fëmijës që në periudhën e shtatzënësisë së nënës, që në lindjen e tij dhe gjer te mosha e mëkëmbjes dhe e zhvillimit të vetëdijes. Nuk po ndalemi në to, kur më bukur se gjithkush flet Konica vetë, por duam të theksojmë se shumë elementë të këtyre vëzhgimeve të para mbi fëmijën, do t’i vëmë re më vonë nën penën e Konicës të zhvillohen e shtjellohen edhe në mënyrë letrare, si tek vepra e tij Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit, konkretisht figura e Ali Bibiut, etj.

Eseja e Konicës, që shfaqet në formë studimi klasik, paragrafë pas paragrafësh, është disi skematike, të themi, megjithëse e karakterit shkencor, duke kaluar nga vëzhgimi i drejtpërdrejtë në reflektim dhe më tej në konkluzion. Sigurisht një skemë e tillë ka kufizimet e veta, por libri merr një karakter të dobishëm praktik, ku përvoja e jetës vetjake plekset me përvojën shoqërore, pa u kufizuar thjesht në një përvojë empirike. Shumë vite më vonë, në mesin e shekullit XX, psikologu, sociologu dhe filozofi i shquar francez Jean Piaget (1896-1980), falë eksperimenteve të tij shkencore do të hartonte traktatin e famshëm mbi edukimin e fëmijës në katër vëllime*; veçse parimet bazë të zhvillimit dhe edukimit të fëmijës, të trajtuara që në fundin e shek. XIX nga Konica, do t’i hasim tashmë edhe në veprën e Piaget, ku logjika e fëmijës ndërtohet hap pas hapi sipas vetë ligjeve të saj dhe njeh evolucion përgjatë gjithë jetës nëpërmjet etapash karakteristike. Këtë zhvillim të fëmijës, etapë pas etape, Konica e ka në qendër të esesë së tij, përbën pikërisht boshtin e saj qendror.

Një tjetër karakteristikë themelore e esesë “Mbi edukimin” është origjinaliteti i Faik Konicës, origjinalitet që merr një përmasë europiane, tek kritikon programet shkollore të vendeve perëndimore, teprimet e tyre, si dhe vetë rolin e trashëgimisë edukative me të meta të theksuara, që cenon drejtpërdrejt zhvillimin e intelektit tek fëmija dhe fuqinë vepruese të tij për të ardhmen. Gjithçka, në fakt, është ngulitur thellë, që herët, në mendjen e adoleshentit Konica, tek ka vëzhguar gjer edhe dhëmbët e prishura të shokëve të tij nëpër konvikte, për t’u shfaqur tërë kujtesa e tij me forcën e një përvoje vetjake të kristalizuar.

Por nga ana tjetër, shfaqet disi paradoksal ndonjë konkluzion a “këshillë” e Konicës për një zhvillim e edukim të pasforcuar të fëmijës, konkretisht se në ç’moshë ai duhet të fillojë të merret me shkrim, këndim apo me shkencat ekzakte. Në fakt, nuk ka rëndësi nëse për këtë apo atë moshë të fëmijës Konica “gabon”; i rëndësishëm këtu është parimi i tij i mossforcimit të fëmijës për edukim dhe vet-edukim, pra, parimi lulëzimit të fëmijës në mjedisin e vet shoqëror. Kjo na kujton Shkollën e Summerhill-it të viteve 20, që vazhdon edhe sot e kësaj dite, kur një fëmijë më i madh bëhet mësues i fëmijës më të vogël, apo kur vëllai a motra më e madhe bëhet mësuese e më të voglit. Ky parim duket si i përligjur kur është fjala për vetë mjedisin shoqëror të fëmijës në prani të fëmijëve të tjerë. Mirëpo, në mjedisin familjar – siç vë në dukje me të drejtë një kritik belg i kohës së Konicës, që bën pikërisht analizë të veprës së tij -, kush do ta mësojë vallë vëllain apo motrën më të madhe që këta të bëhen “mësues” të më të vegjëlve?

Pa u ndalur gjatë këtu, vërejmë se në fakt, Shkolla alternative e Summerhill-it në Gjermani, Angli e kudo gjetkë, si pjesë përbërëse e rrymës pedagogjike “Edukimi i ri” bazohet, do thoshim, pikërisht në parimin e edukimit të lirë e të lirshëm, një parim ky themeltar te eseja “Mbi Edukimin” e Konicës. Fëmija, në bazë të këtij parimi, mëson kur do vetë dhe çka i intereson, tek ka në dispozicion biblioteka e mjedise të nevojshme, dhe sidomos fëmijë të të gjitha moshave (shkolla e moshave të përziera, pa klasa, me kujdestarë në rol dytësor). Nga kjo pikëpamje, një pedagogji e tillë e veçantë, mbështetur në teori libertare dhe zbatuar gjatë shek. XX, i jep të drejtë Konicës për një zhvillim origjinal, normal e pa sforcim të fëmijës, pa “diktat pedagogjik e shoqëror” të të rriturve. Në këtë mënyrë, Konica na shfaqet, me metodikën e vet “Mbi Edukimin”, edhe si një pararendës i pedagogjisë së lirë të shekullit XX, që nuk lë pas dore “torturën e fëmijës” për të shkuar në shkollë që në moshën 6-7 vjeç, i detyruar nga të mëdhenjtë, kur vetë fëmija qan, vuan dhe nuk e ka me dëshirë këtë lloj shkolle tradicionale shtrënguese. Konica predikon kësisoj lirinë e plotë të individit që fëmijë, qoftë edhe në arsimim, një e drejtë kjo shoqërore e pamohueshme që në Lashtësinë greke.

Si në çdo shkrim të tij, edhe te “Edukimi”, me penë të rreptë, Konica nuk e kursen kritikën ndaj shoqërisë perëndimore të zhvilluar lidhur me pozitën dhe rolin e arsimtarëve, të cilët e ushtrojnë “zanatin” e tyre në mënyrë të pavullnetshme, thjesht për të fituar bukën e gojës, në një kohë kur edukimi i fëmijës ka në thelb dashurinë njerëzore. Për Konicën, kjo lloj pedagogjie detyruese “klasike” nuk bën gjë tjetër veçse përgatit “mercenarë të paditur” të së nesërmes. Dhe tek kritikon konceptin e ngushtë të arsimtarit si “një zanat e aq”, ai ngre lart rolin e edukatorit të brezit të ri, që duhet të respektojë intelektin e fëmijës dhe të zbatojë një edukim të diferencuar.

Po ashtu, Konica predikon edukimin laik të fëmijës, pa pasione fetare e sektare, duke shkëputur kështu fenë nga edukimi pedagogjik dhe duke respektuar ateizmin si formë edukimi asnjëanësie, për t’i lënë vend lirisë së mendimit dhe vetë parimeve bazë fillestare drejt filozofisë. Vepra “Mbi Edukimin” shfaqet në këtë drejtim jo vetëm tepër origjinale, por tingëllon edhe tepër aktuale, kur feja, në të gjitha format e saj, kërkon sot si e si të pushtojë e sundojë mendimin e lirë të fëmijës, pa i lënë vend përzgjedhjes që ai mund dhe duhet të bëjë në moshë madhore.

Më në fund, duke predikuar te fëmija parimin e metodës analitike, për të shkuar nga e panjohura drejt së njohurës falë vëzhgimit dhe kërkimit shkakësor (shkak-pasojë), Konica nuk bën gjë tjetër veçse i jep veprës së tij një karakter të dukshëm shkencor, rreptësisht racional, në kontrast të hapur me metodën psikologjike, e cila shfaqet për të si e shkuar në kohë, tek mbetet brendapërbrenda kuadrit të ngushtë të reflektimit, në një kohë kur vetë motori i lëvizjes së mendimit njerëzor e shoqëror është kërkesa e pandalshme nga shkaku, te shkaku i shkakut, siç shprehet Konica. Pra, Konica me këtë vepër thyen ndër të tjera, kornizat e edukimit “klasik” perëndimor, të shkuar në kohë, dhe shfaqet si promotor i edukimit të ri të brezit të ri.

Në konceptin konician, edukimi mbetet kështu shkenca e parimeve më të përgjithshme për zhvillimin e plotë të mendimit, e në radhë të parë të mendimit të fëmijës, për ta mësuar si të veprojë në jetë vetëm pasi të mendojë, të mendojë vetëm pasi të arsyetojë dhe të arsyetojë vetëm në bazë të metodave të përparuara shkencore, përpunuar nga pikëpamja filozofike, pedagogjike e sociologjike.

Arkitekt i mendimit modern shqiptar, Faik Konica mbetet dhe qëndron lart edhe si artizani i parë i sociologjisë shqiptare.

* I kërkojmë ndjesë lexuesit që tërë paragrafët e cituar nga revista Albania i kemi dhënë me alfabetin dhe fonetikën e sotme shqipe, për ta lehtësuar sa më shumë përmbajtjen e tyre (F.A.).

** Me germë të madhe nga vetë Konica.

* Langage et pensée chez l’enfant (Gjuha dhe mendimi tek fëmija).

You must be logged in to post a comment Login