Si Mehmet pashë Dërralla hodhi themelet e para të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare

foto-nr.-7-Mehmet-Dëralla-190x300U lind më 1843, në Gradec të Tetovës, në familjen e dëgjuar të Hasan Pashë Dërrallës, ku patriotizmi ishte i gatuar që në rrënjë. Mehmeti kreu arsimin fillor në Tetovë (vendlindje), kurse shkollën e mesme e kreu në Shkup. Pas shkollimit në vendlindje, ndoqi studimet e larta në Akademinë Ushtarake të Stambollit, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera, çfarë ndikoi që për disa vite të shërbente në Anadoll, i emëruar në një regjiment këmbësorie. Këtu u vlerësua “i zellshëm, me perspektivë”. Më pas iu dha e drejta për të ndjekur shkollën e lartë, Akademinë e Shtatmadhorisë në Stamboll , që ishte niveli më i lartë i arsimimit ushtarak në Turqi. Përfundimi i akademisë së Shtatmadhorisë i hapi dyert për karrierë të mëtejshme dhe fitimin gradualisht edhe të gradave madhore. Fillimisht do të niste nga detyrat madhore duke iu besuar detyra e komandantit të xhandarmërisë në Bagdad, Irak, dhe më vonë në Halep, Siri. Pas përmbushjes me sukses të këtyre detyrave të larta, ushtaraku i përkushtuar do të transferohet në Selanik, i cili në atë periudhë përfaqësonte një nga portet më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane në Ballkan. Si më herët, edhe këtu, ai u shqua në kryerjen e detyrave me përgjegjësi të lartë e u vlerësua nga perandoria osmane “ushtarak karriere i suksesshëm”.
Zhvillimet në Ballkan dhe gjendja e brendshme jo e mirë e guvernës turke, të sulltan Abdyl Hamidit II, ndikoi në caktimin e tij në vilajetin e Kosovës, me synimin që në atë situatë të zbuteshin kërkesat e shqiptarëve, duke vënë në drejtim shqiptarë, çfarë po kërkohej në atë kohë nga të gjitha vendet ballkanike nën pushtimin turk. Fillimisht shërbeu në Shkup për të vijuar më pas në funksionin e komandantit të qarkut të Prizrenit, ku bënin pjesë edhe Tetova, Gjakova e Luma. Suksesi në karrierë falë aftësive dhe shkallës së lartë të përkushtimit në të gjitha detyrat e ngarkuara, do ta bënin Mehmetin që në moshën 35vjeçare të përligjte kualitetet e titullit të “Pashait”.
Dëralla është regjistruar në memorien historike, si një ndër protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, ku e mbylli karrierën si oficer i ushtrisë osmane dhe iu përkushtua çështjes kombëtare. Pashai 35 vjeçar, tetovari Mehmet Dëralla ka qenë delegat i Tetovës, së bashku me Esad pashë Tetovën (Dëralla), Sheh Mustafa Tetova, Rexhep pashë Dëralla, Hasan Musharanuredin, Haxhi Sadiku, Mehmet Efendiu, Abdyl Rrufi, Riza Fuati.
Mehmet pashë Dëralla ishte atdhetar i flaktë, i zgjuar, nuk duronte dot intrigat e huaja. Nga ky shkak nuk u pajtua me qeverinë e Stambollit. Më tej ai do të lidhet me patriotët Haxhi Zeka, Bajram Curri, Ramadan Zaskoci, Idriz Seferi, duke u përfshirë gjerësisht në problemet kombëtare shqiptare. Mehmet Dëralla, në kulmin e karrierës së gjeneralit të ushtrisë turke çmoi më të rëndësishme atdhetarinë e fatin e Shqipërisë se sa zbukurimin e supeve me spaleta e grada dhe kraharorin me medalje heroizmi osmanlinjsh.
Ai mori përgjegjësi e luajti rol të rëndësishëm, krahas burrave të shquar të Lidhjes së Prizrenit, për organizimin e veprimeve luftarake të saj. Pashai tetovar u vu në dispozicion të Ushtrisë Vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, madje, si ushtarak akademik ai u caktua këshilltar ushtarak i Sulejman Vokshit, i cili bënte detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Lidhjes së Prizrenit. Burime të tjera evidentojnë se ai u caktua komandant i Forcave Ushtarake të Lidhjes së Prizrenit për viset e Maqedonisë, vlerësuar edhe kjo si një zonë me rëndësi strategjike. Mehmet Dëralla, së bashku me të atin, Hasanin , janë nënshkrues të akteve të Lidhjes, si Statuti (Kararname” dhe urdhëresave (Talimat), ndërmjet 54 përfaqësuesve të tjerë.
Mehmet Dëralla, në veprimtarinë e tij atdhetare në kuvende, në besëlidhje, në pajtime gjaqesh apo regjistrimin e vullnetarëve, kurdoherë, thoshte: “Jena shqiptarë, s’e duam të huajin në vatrat tona, vetëm lufta me mendë e me pushkë ka me na qitë në dritë”.
Pas dështimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 1881, Mehmet Pasha, kthehet në vendlindje, Tetovë, duke qenë i kontrolluar pa ndërprerje nga agjentët e perandorisë osmane. Nga viti 1881 e në vijim kontribuoi për mbarëvajtjen e disa grumbullimeve të vogla në krahinë. Njëra prej tyre, ajo e vitit 1898, ku tetovarët, duke marrë shembull nga lëvizjet e më hershme në vendet e tjera ballkanike protestuan për të mos i paguar tatime sulltanit, nga që nuk ndjeheshin të sigurt. Në këtë rast, konsulli serb, në Shkup, njoftoi qeverinë serbe, më 11 qershor: “Mehmet pasha i Tetovës (Dëralla) ka dalë para popullit dhe ka deklaruar se edhe në kohë më parë ne jemi ankuar, por nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje pozitive që do të thotë: kurrë nuk kemi qenë të mbrojtur, prandaj duhet marrë të gjitha punët në duart tona. Kemi pushkë dhe burra për to, por duhet të lidhim besë që bashkërisht të mbrohemi”.
Më 1899, Dëralla do të kontribuonte në Lidhjen e Pejës, ku u mblodhën 450 delegatë, duke dëshmuar edhe një herë tjetër përpjekjet e personaliteteve shqiptare, të organizuar nën drejtimin e Haxhi Zekës, për të realizuar atë që nuk mundi ta bënte Lidhja e Prizrenit. Mehmet Dëralla mbështeti këtu Haxhi Zekën, u bë njëri nga prijësit popullor, ndihmoi në hartimin e programit të kuvendit prej 11 pikave dhe “aktit të besës” me 12 nene si dhe apelit “Rruga e shpëtimit është në besa-besën”. Në zbatim të detyrave të kuvendit ai punoi për organizimin e tubimeve në Prizren, Ohër, Gostivar, Kërçovë.
Perandoria turke, e mbërthyer nga lëvizjet antiturke në të gjithë zotërimet perandorake, zbatoi taktikën e shtypjes që në embrion të lëvizjeve, duke e ndërprerë veprimtarinë e saj pa mundur t’i përmbushë qëllimet e objektivat që mori përsipër. Kjo ndërhyrje shkatërrimtare e fuqive ushtarake dhe e administratës turke kundër veprimeve të atdhetarëve shqiptarë ndikoi në organizimin e veprimeve prej tyre me grupe më të vogla. Kryerja e këtyre akteve solli, më 1900, kapjen e Mehmet Pashë Dërallës, së bashku me 30 aktivistët më të shquar të këtyre lëvizjeve, nga forcat turke, dhe shoqërimin e tyre fillimisht në Selanik. Pas Selanikut Mehmet Dëralla me shokët e tij u syrgjynosen fillimisht në Halep të Sirisë dhe më pas u internuan në shkretëtirat e Irakut, prej nga i shkroi të birit, Halimit, më 1907: “Edhe pse me zemër të plagueme ndër vise të Bagdatit, zemra më rreh e fluturon ndër ato bjeshkë e kepa për me puthun ato sokola që duan me çlirua vendin prej osmanllisë”.
Me ardhjen në fuqi të xhonturqve, ai u kthye në vendlindje më 1908, falë një amnistie të përgjithshme të urdhëruar prej tyre, ku pashai i syrgjynosur ishte në krye të listës, madje me këtë rast i ofruan edhe ftesën për rikthim, si “i mirëpritur të rivishte uniformën e gjeneralit të ushtrisë turke”. Sipas burimeve vjeneze, Mehmet Dëralla, pasi u këshillua me udhëheqësit kryesorë e bashkëluftëtarët e tij, u përgjigj: “U jam mirënjohës për bamirësinë, por tashti i takoj tjetërkujt”.
Më 5 korrik 1908 rezulton të ketë qenë pjesëmarrës në kuvendin e Ferizajt dhe nënshkrues i telegramit që iu dërgua sulltanit, ku kërkohej rivendosja e kushtetutës së vitit 1876. Më pas, ka qenë në Stamboll në cilësinë e anëtarit të komisionit shqiptar për rregullimin e marrëdhënieve shqiptare nga senatorët dhe deputetët shqiptarë, ku ishin edhe Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Mufid Gjirokastra (Libohova-H.L.), etj. Duket se ka qenë ndikimi i këtij komisioni, që më 20 korrik 1908, u arrit një marrëveshje në të cilën përcaktohej se shqiptarët të përkrahin luftën e turqve të rinj kundër absolutizmit hamidian, por me kusht që t’u plotësohen kërkesat për vetëqeverisje si dhe të vendosej kthimi i kushtetues së viti 1876. Mehmet Dëralla në këtë komision, çuditërisht, ka qenë në përkrahje të padishahut dhe jo në mbështetje të revolucionit xhonturk, kundër grupit të Isa Boletinit e Bajram Currit, që mbështetnin programin e komitetit “Bashkim e Përparim”. Zekeria Cana këtë të dhënë e ka shprehur pak më ndryshe: “Midis përfaqësuesve të shtresës feudale dhe prijësve të turmave fshatare dolën shpejt mospajtime lidhur me marrjen e qëndrimit ndaj padishahut dhe revolucionit xhonturk…Kur në Ferizaj arritën edhe përfaqësuesit e Prishtinës dhe të Shkupit, rryma e dytë i forcoi pozitat e veta, kështu që Galip beu ia doli t’i bindte pjesëmarrësit e Kuvendit (Ferizaj-H.L) që ta pranonin programin xhonturk, duke u dhënë sigurime se, me vendosjen e rendit kushtetues, do të eliminohej dominimi ekonomik dhe politik i shteteve të mëdha, arbitrarizmi i aparatit administrativ, pastaj se nuk do të kishte më burgje, tagra dhe tatime, se do vihej gisht në zbatimin e reformave të planifikuara, ndërsa oficerët e huaj do të largoheshin përgjithmonë” .
Trysnia e madhe që ushtroi popullsia e vilajetit të Kosovës detyroi Sulltanin, më 23 korrik 1908, të kthente kushtetutën e viti 1876 dhe të urdhëronte zgjedhjet në vend. Duke qenë se kjo kërkesë kënaqte pjesën më të madhe të parisë e të popullsisë, u mirëprit në të gjitha trevat shqiptare, madje edhe në Tetovë, Pollog, ku u kthye edhe Halim bej Tetova, i biri i Mehmet Dërallës,i shoqëruar me rreth 100-150 shqiptarë.
Për hir të së vërtetës duhet theksuar se ndryshe nga paria tjetër e vilajetit të Kosovës, vetëm Mehmet pashë Dëralla pati fatin të përkrahej nga qeveria turke, në vitet në vijim, në emër të plotësimit të kërkesave të shqiptarëve. Sipas Tajar Zavalanit, “qeveria e Stambollit dha prova se e kishte me gjithë mend, duke emëruar Mehmet pashë Dërallën si prefekt në Prizren dhe Hasan Tahsin pashën si guvernator (vali) në Janinë”.
Mehmet pashë Dëralla evidentohet me aktivitet në Stamboll edhe në vitin 1909, i lidhur me klubin “Bashkimi” të Stambollit. Me nismën e Dr. Ibrahim Temos e të Mehmet pashë Dërallës dhe doktor Zenel Abedinit u formua “Komiteti Nismëtar Kombëtar” në Aksaraj të Stambollit, i cili organizoi një mbledhje me deputetët shqiptarë, me intelektualë të shquar dhe veprimtarë të tjerë që jetonin e vepronin në kryeqytet, për të ndërmarrë hapa konkretë kundër veprimeve barbare të Xhavit Pashës në Lumë. Mbledhja u mbajt më 27 tetor 1909, në shtëpinë e Aqif Pashës, në të cilën morën pjesë 80 deputetë, intelektualë e veprimtarë të dalluar. Kjo mbledhje miratoi formimin e “Komitetit Kombëtar”, duke synuar të shmangeshin mosmarrëveshjet midis qarqeve drejtuese shqiptare dhe të krijoheshin kushte për një bashkëveprim e qetësim të gjendjes në vend. Në zbatim të vendimeve të kësaj mbledhjeje u zhvillua mbledhja tjetër më 5-6 nëntor 1909, ku u analizua gjendja e rëndë në Shqipërinë Verilindore, duke kërkuar njëkohësisht të ngrihej një komision për të hetuar shkaktarët e gjakderdhjes dhe dënuar fajtorët. Edhe në mbledhjen e dytë rolin kryesor e morën Mehmet pashë Dëralla (gjeneral), Sulejman pasha (senator), Aziz pasha (deputet i Beratit), Hasan Prishtina (deputet i Prishtinës) dhe Rexhep efendi Tetova-Voka (myfti i Manastirit).
Roli i Mehmet Pashë Dërallës në çështjen kombëtare u rrit më tej në organizimin dhe drejtimin e kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912, ku ishte përkrah burrave të kombit, që kishin në ballë Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Isa Boletinin, Riza bej Gjakovën, Idriz Seferin, Islam Spahiun, Qerim beg Begollin. Ishin këto beteja që kulmuan me atë të verës së vitit 1912, e cila shënoi marrjen e Shkupit, ish-qendrës së vilajetit të Kosovës.
Gjeneral Mehmet Dëralla ishte një nga protagonistët kryesorë të qëndresës burrërore të shqiptarëve përballë sulmeve serbo-malazeze, të cilat synonin pushtimin e Shqipërisë Veriore. Nën komandën e tij, luftëtarët shqiptarë i gozhduan forcat serbe në hapësirën ndërmjet Drinit të Bardhë e Drinit të Zi. Në fillim të vitit 1912, në “Arabati Baba Teqe” të Tetovës, u mbajt takimi konsultativ për përgatitjen e përgjithshme, kryesuar nga Mehmet pashë Dëralla, e cila përkoi me shpalljen e zgjedhjeve parlamentare nga xhonturqit, më 15 janar 1912. Në këto zgjedhje Mehmet pashë Dëralla u caktua kandidat për deputet në parlamentin xhonturk. Ndërkohë, i biri i Mehmet pashës, Mynipi, i bëri atentat komandantit të garnizonit të Tetovës, çfarë tensionoi më shumë situatën në Tetovë.
Në 23 korrik 1912, Mehmet Dëralla shkoi në Gjilan, ku u takuan 70 prijës luftëtarësh shqiptarë të Kosovës, dhe ku u hodh ideja e autonomisë dhe e marrjes së Shkupit. Në vijim të këtyre takimeve, Dëralla, me një delegacion prej 12 vetësh (8 tetovarë dhe 4 gostivaras) ka shkuar në mbledhjen e Prishtinës, ku u diskutua mbledhja e ndihmave popullore për kryengritjen e përgjithshme.
Në tetor 1912 i ka propozuar Zeqi pashës, komandantit turk në Tetovë, për organizmin e mbrojtjes me forca të përbashkëta të qytetit nga sulmet e ushtrisë serbe, por kjo nuk u pranua nga Zeqi pashai. Gjithsesi, deri më 27 tetor mbrojtja u organizua e përbashkët, por këtë ditë, forcat turke të korpusit të VII lëshuan Tetovën e Gostivarin, duke lëvizur drejt Kërçovës. Edhe Mehmet Dëralla, duke vlerësuar rrezikun serb, u tërhoq nga Tetova dhe me gjithë familjen mori rrugën për Dibër të Madhe, ku ndodheshin Isa Boletini, Elez Isufi, Ajdin Draga, e shumë luftëtarë shqiptarë.
Sipas komunikimeve telegrafike me Elbasanin, më 20 nëntor janë njoftuar Irfan Ohri e Mit’hat Frashëri se: “Ndodhen këtu Mehmet pashë Tetova (Dëralla), Riza bej Gjakova, Ajdin Draga nga Mitrovica, Isa bej Buletini, Qazim beu, nipi i Halil pashës nga Peja, Hamet Agai, biri i Naxhi Tahir Agait nga Jeni Pazari” . Pak kohë më pas, me telegram nr. 3477, u njoftua përsëri Mit’hat Frashëri me Sali Gjukën se: “Mehmet pasha, Isa Buletini, bashkë me delegatin e Dibrës, Vehbi Agollin, u nisën për atje (Vlorë). Më 21 nëntor, Mehmet Pashë Dëralla, nga Dibra vazhdoi rrugën për në Vlorë e jo për në Durrës, siç ishin njoftuar më parë. Grupi delegatëve rrugëtoi nga Dibra në Borovë, në Rupnik, në Librazhd, në Elbasan, vijoi në Belsh (nëpër Dumre), në Lushnjë, në Imeshtë, në Mbrostar, në Fier dhe në Vlorë.
Sipas telegramit të Hasan bej Biçakçiut, dërguar Dervish beut (Biçakçiut-H.L.) më 11/24 nëntor 1328/1912, ora 06.30 e darkës njoftohet: “Sonte erdhën miq ke ne: Mehmet Pashë Kallkandeleni, Ajdin bej Draga e Isa Boletini. Nesër në mëngjes vjen Riza beu (Gjakova-Kryeziu-H.L.)…” . Në Elbasan janë pritur nga Aqif pashë Biçaku dhe Shefqet Vërlaci. Në Fier, janë pritur nga vrionasit dhe në pamundësi për të arritur në ditën e shpalljes së mëvetësisë, njëzëri si grup delegatësh të Kosovë-Dibër , autorizuan Ismail Qemalin “me ngrit flamurin e me deklarue indipendencen e Shqipnis, nesër më 28 nëntor 1912”.
Grupi i Mehmet Dërallës mbërriti në Vlorë pasi ishte shpallur mëvetësia dhe morën pjesë si delegatë në mbledhjen e dytë të Kuvendit Kombëtar, më 17/30 vjeshtë e tretë (nëntor) 1912. Në protokollin e kësaj mbledhje është shënuar: “Si delegatë të rinj erdhën z. Mehmet Pashë Dëralla, Isa bej Boletini, Ajdin Draga, Dervish bej Ipeku (Peja) nga Kosova, etj…”.
Gjenerali Mehmet Dëralla ka qenë i planifikuar nga kryetari i qeverisë, Ismail Qemali, për t’u caktuar ministër i Luftës pa u votuar, por delegatët kërkuan që procedura të kryhet me votim të fshehtë. Në votimin e kuvendit për ministrat, 69 vjeçari Mehmet Dëralla, fitoi që në raundin e parë 42 vota nga 58 votues, dhe u rendit i treti, pas Luigj Gurakuqit dhe Mufid Libohovës.
Mehmet Dëralla, në postin e ministrit të Luftës, pati një nga detyrat më të vështira ndër gjithë ministrat. Zhvillimet politiko-ushtarake në ditët e shpalljes së pavarësisë janë pasqyruar më gjerësisht në jetëshkrimin e Ismail Qemalit, por vlen të evidentohet se pashai tetovar, me grupin e kosovarëve mori mbi vete barrën e rëndë të mbrojtjes së qeverisë së parë të shtetit të ri shqiptar, duke mos pasur asnjë strukturë të mirëfilltë, përveç vullnetarëve dhe mbështetësve të tyre. Trimat e Labërisë, luftëtarët e Kosovës martire, mbështetësit e Ismail Qemali u bënë ushtarët e parë të fuqisë së luftës, ndërkohë që Janina e Shkodra mbroheshin në rrethim. Situata kërkonte masa urgjente për të ndaluar serbët që marshonin në brendësi të Shqipërisë së Mesme, ndalimin e shovinistëve grekë që po sulmonin Himarën dhe synonin të merrnin Vlorën. Urgjente shtrohej detyra të vihej në funksionim Shtabi i Përgjithshëm, i drejtuar prej Ali Shefqet Shkupit, të organizoheshin e mobilizoheshin repartet, të hartoheshin aktet ligjore, të rekrutoheshin oficerët e aftë me ndjenja atdhetarie që kishin shërbyer në ushtrinë perandorake, të mos lejohej dezertimi i rezervistëve dhe të mos rrëmbeheshin armët prej tyre.
Masat e shpejta që u morën për organizimin e ushtrisë, policisë, xhandarmërisë e në veçanti të milicisë më 3 qershor 1912, padyshim që mbajnë mbi vete mendjen dhe kontributin e shquar të gjeneralit Mehmet Pashë Dëralla. Plaku i urtë por me zemër luftarake afroi rreth vetes rreth 70 oficerë dhe 150 nënoficerë që kishin shërbyer në ushtrinë turke dhe ishin të shkolluar, duke krijuar bërthamën rreth së cilës do të mblidheshin shqiptarë të ndershëm për të plotësuar radhët e Forcave të Armatosura dhe krijimin e ushtrisë së rregullt shqiptare. Të parët që erdhën nën komandën e tij kanë qenë ushtarakët Ismail Haki Tatzati, Rexhep Shala, Mustafa Maksuti, Mustafa Aranitasi, Ali Fehmi Kosturi, Hysen Prishtina, etj.
Është meritë e Mehmet Dërallës që mundi të organizojë Komandën e Përgjithshme dhe Shtabin Madhor me strukturat përkatëse dhe në varësi të tyre strukturat në prefektura e nënprefektura, komuna e fshatra, duke u përcaktuar edhe përgjegjësitë lëndore e territoriale. Ai, ndonëse ishte kreu i ministrisë së Luftës, nuk nguroi të kontribuojë në hartimin e “Rregullore për organizimin e përkohshëm të Ministrisë së Luftës”, më 13 prill 1913 dhe “Rregullore e Qeverisë së përkohshme mbi formimin e Milicisë Shqiptare”, më 3 qershor 1913. Duket se nga Qeveria Provizore e Shqipërisë, e veçanërisht nga gjenerali i Luftës, Mehmet Dëralla, në atë kohë ishte vlerësuar parësore organizimi i strukturës së Milicisë shqiptare, të cilës iu dhanë kompetenca edhe për ruajtjen e rendit e të qetësisë publike. Rregullorja “Milicia Shqiptare”, i përcaktonte asaj misionin “për mbrojtjen e vendit deri sa të formohet ushtria e rregullt”. Ajo (Milicija) do të jetë në varësi të ministrit të Luftës, si strukturë ushtarake. Sipas kësaj rregulloreje “çdo prefekturë do të konsiderohet si brigadë, ndërsa çdo nënprefekturë një batalion, kurse komunat sa një kompani. Qytetet janë konsideruar kompani të veçanta, kurse fshatrat toga milicie. Kryetarët e tyre do të gradohen. Rekrutohen moshat 20-40 vjeç. Në secilën komandë të tyre do jetë edhe një regjistër për ngjarjet si dhe një regjistër për statistikën vjetore mbi ngjarjet e ndryshme, të cilat do t’i raportohen Ministrisë së Luftës”. E rëndësishme është përcaktimi në rregullore për “Detashmentet shëtitës të Milicisë”, ku theksohej se: “Art. 25, Deri sa t’arrijë në shkallën e mjaftueshme organizimi i ushtrisë së rregullt, i Policisë dhe i Xhandarmërisë, për të zënë vendin provizorisht të fuqisë s’armatosur brenda në kufi të sotshëm dhe në vende ku do të shihet nevoja, do të formohen detashmente shëtitës të Milicisë Ushtarake. Këto detashmente veç se do të jenë nën urdhrin e komandantit të batalionit të atyre zonave (kupto këtu nënprefektin-H.L.) ku ato janë shënuar të shërbejnë, ato do të jenë kurdoherë përkrahësit e Policisë dhe të Xhandarmërisë për të siguruar qetësinë”. Kjo rregullore detyron punonjësit e Policisë të ndihmojnë në rast nevoje oficerët e Milicisë. Rregullorja përcaktonte detyrime për Policinë, teksa thekson se ajo angazhohet me detyra “për të mbledhur milicët për qëllime stërvitje ose lufte, apo shoqërimin e tyre në gjendje arresti, kur thirrja ishte për nevoja lufte”. Sipas këtij detyrimi ligjor kuptohet se qeveria, Policinë, ashtu sikurse edhe Xhandarmërinë e konsideronte në këtë kohë strukturë të besueshme e të sigurt për zbatimin e detyrave të qetësisë e rregullit dhe për më tepër për forcimin e zbatimin me imponim të akteve administrative të saj, çka do të ndikonte dukshëm në publik. Krahas kësaj, ministri i Luftës, si personi kryesor përgjegjës për mbrojtjen e vendit, mundi të përgatisë aktin ligjor për “Formimin e një Gjindarmërie Shqiptare në krahinat e Jugut”, me mision marrjen në zotërim të territoreve në juridiksionin e saj dhe mbajtjen e rendit e të qetësisë në ato krahina” . Sipas dekretit, lejohej që xhandarët që nuk do të kenë uniformë të mbajnë si shenjë “një mëngë të kuqe me një vijë të zezë”. Shtypi i asaj kohe shkroi se Ministri i Luftës, Mehmet pashë Dëralla, i ndihmuar nga oficerët holandezë, koloneli De Veer, formoi një xhandarmëri me afërsisht pesë mijë vetë, veshur me uniformë të përafërt me atë italiane. Në vijim, në dokumentin normativ, përcaktohej: detyrimi për bindje ndaj eprorëve, pranimi do të jetë me kontratë 5-mujore, për vlerësim në vijim të shërbimit, duke u dhënë kompetencë eprorëve për të larguar para kohe ata që nuk plotësojnë kontratën. Dekreti përcaktonte se “edhe oficerët do të jenë me kontratë 6-mujore”. Dekreti përmbante edhe rregulla për disiplinën, ndëshkimet, organizimit të këshillit disiplinor dhe këshillit të luftës. Akti u miratua më 3 dhjetor 1913, nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës, por në këtë kohë ministri Dëralla pati dhënë dorëheqjen nga kabineti qeveritar. Të saktësojmë faktin se në atë periudhë pati një “ftohje” në marrëdhëniet Mehmet pashë Dëralla-Ismail bej Qemal Vlora, aq sa që në dhjetor Pashai tetovar u largua nga Qeveria e Vlorës dhe ashtu sikur miku i tij, prishtinasi Hasan bej Vushtrria (Prishtina), u bashkua me Esad Toptanin, fakt që u shpall në gazetën “Përlindj’ e Shqipniës” e cila njoftoi se: “Ministri i Luftës hoqi dorë. Zoti Mehmet pashë Dërralla, i cili që ditën kur u çpall liria gjendet si ministër i Luftës, e gjet me nevojë të apë lënien nga nëpunësia që kish”. Gazeta jep si shkak, të paraqitur prej ministrit, se: “Qeveria e Përtashme ka zanë një rrugë dhespotike, krejt kundër ndjenjave liberale”. Drejtori i gazetës “Shqypnia e re”, i përndrituri Hilë Mosi, njoftoi në gazetën e tij, në fillim janarin 1914 se “Ministri i Luftës, z. Mehmet pashë Dëralla ep lanjen”, akt që e njoftoi edhe gazeta “Liri e Shqipërisë”. Për hir të së vërtetës këtu duhet pohuar se shumë studiues, dashamirë të Mehmet Pashë Dërallës, tërheqjen e tij e kanë shëmtuar, duke e spostuar si akt kur kishte dhënë dorëheqjen Ismail Qemali.
Anglezi Aubrey Herbert, në ditarin e tij, më datë 9 shtator 1913, ditë e Martë, duke qenë në Vlorë ka shënuar të dhëna për masakrat çnjerëzore të serbëve e grekëve kundër shqiptarëve. Ndër të tjera, ai, përmend edhe ministrin e Luftës, Mehmet Pashën (Dërallën-H.L.), duke shënuar: “Ai tha se kishte humbur njëqind e pesëdhjetë mijë paund në Kallkandelene (Tetovë); që serbët e kishin ftuar atë të shkonte përsëri qeveritar në Gjakovë e Prizren, por ai kishte refuzuar. Ata pastaj e kërcënuan me humbjen e tij. Ai tha se disa kohë më parë, një djalë nga Kalkandelene zbrazi pa dashur një armë, por më pas u shoqërua nga serbët. Një përfaqësi prej 42 vetash shkoi të kërkonin falje për atë. Ata të gjithë u vranë pas dy muajsh.
Mehmet pashë Dëralla qëndroi në Durrës, pranë Esad Toptanit, nuk u largua nga Shqipëria, por priti princ Wied-in, të cilin e ka shoqëruar në takimin që ai organizoi “me ushtrinë kosovare në kazermat e Durrësit, në qershor 1914.
Fillimisht, në kohën e Wied-it, pashai tetovar u caktua prefekt i Elbasanit, në vendin që lëshoi patrioti Aqif Pashë Biçaku. Disa kundërshtarë të tij nuk e mirëpriten këtë emërim dhe shkruan në shtypin e atyre ditëve se: “Prefekti i Elbasanit, Mehmet pashë Dëralla, s’di shkrim shqip”.
Më 23 maj 1914, kur u plagos Meleq Frashëri dhe u vranë 13 vullnetarë, midis tyre edhe Ceno Sharra e Haki Glina e shumë të tjerë mbeten rob, Wiedi dërgoi Mehmet pashë Dërallën, me flamur të bardhë në dorë, për armëpushimin. Lufta vetiu kishte pushuar, por kryengritësit nuk ditën të përfitonin nga fitorja e tyre e pa pritur. Rrethanat nuk lejuan Wied-in të punonte i qetë, madje në një rast ai u detyrua të shkonte në anije, për t’u larguar dhe shpëtuar rrezikut nga kryengritësit. Kur kryengritësit morën vesh për këtë fakt i çuan fjalë Wied-it se nuk do t’i bënin gjë nëse ai do t’u kthente në pallatin e tij dhe të bisedonte me ata si burrë. Duke marrë këto garanci, Wiedi u kthye në pallat. Shqiptarët që tashmë kishin peng të tyre gjeneralin holandez Saar dhe princ Sturdzen (atasheun rumun në Shqipëri) dhe mbanin të rrethuar Durrësin, i liruan këta të fundit dhe i çuan te Wiedi që t’i çonin atij fjalë që të shpallte amnisti të përgjithshme dhe që Komisioni Internacional që po ia shiste Shqipërinë grekut, të shkonte dhe t’u takonte me ata për të biseduar fatet e Shqipërisë. Pasi Wiedi ra dakord me kërkesat e shqiptarëve, iu çoi atyre nën flamurin italian Mehmet Pashë Dërallën si përfaqësues të Komisionit Ndërkombëtar, që të hynte në bisedime në Shijak. Pas takimit të parë me Dërallën, Komisioni Ndërkombëtar i vizitoi kryengritësit shqiptarë sërish më 28 maj 1914 në Shijak. Në këtë takim patriotët shqiptarë iu kërkuan ndërkombëtareve që të investonin në Shqipëri, të ndërtonin rrugë, shkolla, rregull dhe që Shqipërinë ta linin nën mbrojtjen e Turqisë apo të një princi mysliman. Disa ditë më vonë ky komitet vizitoi edhe Kavajën, ku u prit mirë si në Shijak.
Për marrëdhëniet e Dërallës me kryengritësit e Shqipërisë së Mesme, burime të ndryshme japin të dhëna që nuk përputhen me njëra-tjetrën. Kur kryengritja e Shqipërisë së Mesme po rrezikonte qeverinë e Wied-it, sipas një lajmi të botuar në gazetën “Dielli”, Ismail bej Qemali propozoi të bëhej marrëveshje me rebelët, Aziz pashë Vrioni u shpreh “po të dojë N.T. mbreti është mirë të vinjë ushtëri në ndihmë”, ndërsa Mehmet Tetova foli: “lipset të vdesim”. Sipas disa të tjerëve: “Rebelët kërkojnë të bisedojnë me krerët e Kosovës”. Saktësojmë një të vërtetë: Mehmet Pashë Dëralla ishte në shërbim të princit Wied dhe të qeverisë së Turhan Pashajt, për të mirën e çështjes kombëtare, kurse komentet majtas e djathtas, apo hamendësimet, janë më shumë inate e interesa palësh.
Ka studiues që kanë shkruar se më 5 dhe 11 gusht 1914, Mehmet Dëralla, së bashku me Dervish Himën, duke pasur edhe përkrahjen e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Isa Boletinit kanë bërë përpjekje për të hyrë në lidhje me kryengritësit fshatarë të Shqipërisë së Mesme për t’i hedhur ata kundër pushtuesve serbë. Realisht nuk ka pasur asnjë marrëveshje të tillë, ndonëse përpjekjet mund të jenë bërë, por duhet sqaruar e saktësuar se Dervish Hima dhe një pjesë e personave të sipërcituar fillimisht kanë qenë lidhje e Esad Toptanit, kundërshtarë të qeverisë së Vlorës.
Largimi i Wied-it nga Durrësi dhe Shqipëria, më 3 shtator 1914, solli krijimin e një situatë të vështirë për qëndrimin e patriotëve të çështjes kombëtare në Durrës, ndaj gradualisht të gjithë morën rrugën për Shkodër. Pushtimi i saj, në qershor 1915 solli arrestimin e pjesës më të madhe të këtij rrugëtimi, ku u përfshi edhe Mehmet Dëralla, i cili prej kohësh gjurmohej nga “Dora e Zezë”. Ka hamendësime se ai u arrestua në Kosovë, por gjasat janë që të jetë arrestuar në Shkodër dhe prej andej u dërgua në Podgoricë (Titogradi i sotëm-H.L.), së bashku me Aqif pashë Elbasanin, Luigj Gurakuqin, etj., prej nga u liruan me ardhjen e austro-hungarezëve në Shqipëri. Pas lirimit nga burgu shkoi në Pejë, në fisin Begolli, ku kishte familjen e mbesës së tij, Esma Begolli.
Në masakrat që u bënë më 5 nëntor 1915, fisi Dërallaj u bënë objekt sulmesh të egra e barbare të pushtuesve serbë, duke rënë mbi bijtë e këtij fisi një goditje e bishave të tërbuara që kërkonin nënshtrimin e Dërallajve e të gjithë Gradecit e të bijve të tij që i mbështesnin fuqimisht.
Flitet se në vijim Mehmet Dëralla u vu në lidhje me Komitetin Kombëtar të Mbrojtjes së Kosovës, por në dokumentet e atij komiteti emri i tij nuk evidentohet i regjistruar. Kur e ndjeu çastin e fundit të jetës t’i afrohet, Mehmet Pashë Dëralla, kthehet përsëri në Tetovën e vendlindjes, për t’u prehur aty ku u lind dhe kaloi fëmijërinë. Mbylli sytë në vitin 1918, por i pavdekshëm ngeli në gjirin e popullit të vet.
Mehmet Pashë Dërralla është njohur edhe me katër mbiemra të tjerë: Tetova, Kallkandeleni, Ruzhdija e Kosova.
Për Mehmet pashë Dërallën vlerësimet janë nga më të ndryshmet. Ka prej tyre që e shpallin hero, e shenjtërojnë, por ka edhe të tjerë që e akuzojnë si proserb, proturk, renegat osman, serb e malazias. Ata që duan ta njollosin synojnë që nëpërmjet kësaj të errësojnë lëvizjet atdhetare të shqiptarëve në ato vite. Labëria i këndoi: O, Mehmet pashë Dëralla, / Rritur me përshesh baruti, / Të kishte shku fjala dhe palla, / Lisi i tyre je te supi.
Kur ishte i internuar në Bagdat, diplomati i shquar austro-hungarez, konti Bercthold pati shkruar: “…I internuari politik Mehmet Pashë Dëralla, është një burrë me tipare të theksuara shqiptare, i pajisur me kulturë të gjerë dhe ndjenja të pastra kombëtare…”.
Kur do të zgjidhej qeveria, dhe Ismail Qemali ishte shprehur se ministria e Luftës i takon Kosovës, trimi me zemër baruti, Isa Boletini, u shpreh me sinqeritet e gjithë fisnikëri: “Në qeveri duhet të ketë njerëz me shkollë. Posti i ministrit të luftës i takon Mehmet Dërallës” .
Doc.dr. Zeqirja Idrizi, një nga studiuesit e veprimtarisë atdhetare të Mehmet Dërallës e ka vlerësuar se ai: “shkëlqeu në gjerdanin e personaliteteve ushtarake të kohës së tij,…ishte nga më të shndritshmit, sepse vendosi themelet e para të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare…një model për brezat e gjeneralëve dhe oficerëve shqiptarë të çdo niveli për të gjitha kohërat, si një gjeneral me karrierë, i mendimit ushtarak dhe politik, i organizimit në paqe dhe i drejtimit në fushën e luftës, me dimensione të mëdha historike të veçanta. Mbi të gjitha shëmbëlltyrë e njeriut, që mbi gjithçka e në çdo situatë, e njihte popullin dhe vendin e tij. Korrekt me vartësit, komunikues e që ngjallte besim te të tjerët dhe armik i brutalitetit, i arrogancës dhe i ashpërsisë. Ai mbetet një shembull i përmasave jo të zakonshme për të gjithë ushtarakët dhe gjeneralitetin shqiptar të gjitha brezave .
Në vendlindje, në Gradec, më 28 nëntor 2011, u vendos busti në sheshin që mban emrin e tij, në qendër të qytetit. Po aty është edhe një shkollë me emrin SH.F.Q “Mehmet Dëralla”.
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, në vizitën homazh para lapidarit të tij në Tetovë, në prill 2012, e quajti Mehmet Pashë Dërallën: “Një nga figurat më të ndritura të historisë së kombit shqiptar, të shtetit të ri shqiptar…një nga patriotët më të mëdhenj të kombit tonë…ndër të parët që u vu në krah të Ismail Qemalit për të krijuar pavarësinë e shtetit shqiptar…një nga figurat më eminente dhe heroike kombëtare në përpjekjet për krijimin e shtetit shqiptar, sot e 100 vite më parë”
Prof. Dr. Sejfedin Haruni: është shprehur se: “Mehmet Pashë Dëralla është ndër të rrallët e asaj plejade, tej mase i denjë e t’i themi: Pasha ju faleminderit përjetësisht që hapët udhën e madhe aq mrekullisht, udhëtimin drejt lirisë sonë!”.
Mehmet Hasan Dëralla, pas vdekjes, u dekorua nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, në nëntorin e vitit 1992, me “Urdhrin për veprimtari patriotike të klasit I”, me motivacionin “Si komandant i njohur i forcave kryengritëse të viteve 1910-1912 dhe si ministër i Luftës në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës, ka dhënë një kontribut të shquar në krijimin dhe organizimin e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare”.
Shumë kanë shkruar për Mehmet pashë Dërallën, (Zeqirja Idrizi, Kastriot Dervishi, Gjergj Titani, Vangjel Kasapi, gazetarë të ndryshëm, etj). Disa prej tyre, nga atdhedashuria dhe ndjenja për ta portretuar sa më bindshëm si patriot dhe figurë e madhe në fatet e kombit i kanë vënë epitete që ia kanë ulur emrin e madh dhe funksionet që ka mbajtur, duke e etiketuar si “ministri i ushtrisë kombëtare”, kur ai ka qenë gjeneral e pasha dhe i emëruar “ministri Luftës”, kur duhej krijuar e organizuar ushtria, milicia, xhandarmëria e policia, kur duhej ngritur shtabi madhor për të drejtuar ushtrinë si forcë të armatosur, kur duheshin gjetur pajisje, armatime e municione, kur duheshin bërë plane e duhej luajtur politika kombëtare për sigurinë, gjë të cilën Mehmet Ruzhdiu (kështu i ka firmosur në më të shumtën e herës aktet e qeverisë Mehmet pasha) e bëri më së miri sa kohë qëndroi në detyrë.

You must be logged in to post a comment Login