Kosova e pavarur, realitet i pakthyeshëmPresidenti Nishani filloi vizitën në Kosovë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ka thënë se pavarësia e Kosovës, pos që është një realitet i pakthyeshëm, Kosova është edhe një faktor i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Këto komente ai i bëri pas takimit që pati me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Në këtë vizitë pa mundësinë të përcjellë përparimet e mëdha të Kosovës dhe të qytetarëve të saj që kanë arritur në këto vite të pavarësisë dhe lirisë së tyre. Kosova e lirë, e pavarur, demokratike dhe sovrane, është sot jo vetëm një realitet i pakthyeshëm, por një faktor i domosdoshëm për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në gjithë rajonin e Ballkanit”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka përshëndetur punën e institucioneve të Kosovës dhe të të gjithë atyre që kanë kontribuar që Kosova të arrijë në përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, duke i hapur rrugë pavarësisë dhe sovranitetit të plotë të saj.

Kurse Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, e ka përshëndetur vizitën e homologut të saj, që njëherësh është edhe vizita e tij e parë që nga marrja e postit të Presidentit.

“E çmoj lart dëshirën e Presidentit Nishani që vizitën e parë ta bëjë pikërisht në vendin tonë, sepse kjo e ka porosinë dhe simbolikën e vet në këtë 100-vjetor të pavarësisë së Shqipërisë, për të cilën të parët tanë dhanë kontribut të jashtëzakonshëm. Patëm një bisedë të frytshme me qëllim të bashkëpunimit të mëtutjeshëm dhe të gjithanshëm në mes të dy vendeve tona me qëllim të përparimit dhe të zhvillimit të investimeve dhe të daljes së përbashkët në tregjet e drejta”, ka thënë ajo.

Duke folur për vazhdimin e dialogun të Kosovës me Serbinë, presidenti Nishani ka thënë se Shqipëria mbështet të gjitha agjendat e institucioneve të Kosovës.

Ai ka shtuar se dialogu është mënyra më efikase e trajtimit dhe zgjidhjeve të çfarëdo problemit, i cili krijon parakushte për të fituar fryma e pajtimit dhe prosperimit kah rruga e Integrimit.

You must be logged in to post a comment Login