Shpërthimet si “tërmet” në Zharrëz, protestës i bashkohet AK

Banorët e fshatit Zharrëz dhe fshatrave përreth të komunës Zharrëz në qytetin e Fierit kanë vijuar protestën e tyre kundër shpërthimeve nëntokësore të puseve të naftës të ndërmarra nga kompania kanadeze në këtë zonë, që kanë shkaktuar lëkundje të tilla, si tërmeti, duke dëmtuar banesat, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Protestuesve u është bashkuar të martën edhe Aleanca Kuq e Zi, përfaqësuesit e të cilës thanë se lëkundjet e shkaktuara ishin të ngjashme me ato të tërmetit.

Një komision i përbashkët me specialistë të fushës së hidrokarbureve, të Gjeologjisë dhe kompanisë së huaj është ngritur për të studiuar shtresat dhe problemet në zonën naftëmbajtëse të Marinzës, si dhe për të përcaktuar sipas ligjit shkaqet dhe fenomenet e lëkundjeve të tokës.

Një ditë më parë Besjan Pesha, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore u takua me një përfaqësi banorësh të fshatit Zharrëz si dhe me përfaqësues të firmës kanadeze.

Ai u kërkoi banorëve që të presin rezultatet e këtij komisioni, ndërsa premtoi zgjidhje të këtij problemi.

Kompania mohon të ketë kryer shpërthime, por banorët kanë vazhduar më tej me protestën duke sulmuar depozitat e naftës pronë të kompanisë.

Komisioni i ngritur do të verifikojë dhe shqyrtojë rastet kur banorët pretendojnë se ka pasur shpërthime nëntokësore duke u bazuar në prova dhe fakte shkencore të mirëfillta.

Në përbërje të këtij komisioni janë nëntë anëtarë, mes të cilëve specialistë dhe përfaqësues të banorëve të zonës.

Ndërkohë të hënën, janë arrestuar dy persona dhe 12 të tjerë do të procedohen penalisht në gjendje të lirë nga policia, pas protestës në fshatin Zharrëz.

Policia arrestoi shtetasit, Kastriot Beluli, 45 vjeç dhe Gentjan Asllani, 38 vjeç, të dy banues në Zharrëz të Fierit.

Ata janë nën akuzë për veprat penale të “Shkatërrimit të pronës me mjete të tjera” dhe “Organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime të paligjshme”.

You must be logged in to post a comment Login