KMSH ringjall traditën e synetimit tek shqiptarët

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë – Myftinia Tiranë, organizoi sot një ceremoni festive për fëmijët përfitues të fazës së parë të projektit të synetimit (circumcision), mundësuar nga KMSH në bashkëpunim me Spitalin Amerikan në Tiranë.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin: Myftiu i Tiranës, z. Ylli Gurra, nënkryetari i KMSH-së Gazmend Aga, kancelari Ali Zaimi,  myftinj dhe teologë, prindër dhe të afërm të fëmijëve.

Në fjalën e tij përshëndetëse, myftiu Gurra theksoi se një nismë e tillë shërben jo vetëm për të ringjallur një traditë të hershme fetare, por edhe si nxitje për familjarët për kujdesin që ata duhet të tregojnë në mbrojtje të shëndetit të fëmijëve të tyre.

“Nisur nga thënia profetike “Pastërtia është prej besimit”, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë realizoi fushatën për synetimin e fëmijëve, duke ofruar një shërbim falas dhe ringjallur një traditë të besimit Islam të trashëguar ndër shqiptarët”, theksoi z. Gurra.

Gjithashtu z. Gurra falënderoi prindërit që u bënë pjesë e kësaj fushate, duke i uruar fëmijëve “dasmën e madhe”. Një falënderim të veçantë z. Gurra bëri edhe për  stafin e Spitalit Amerikan, për interesimin, mbështetjen dhe seriozitetin e treguar në realizimin me sukses të  këtij projekti.

Myftiu Gurra shtoi se kjo fushatë do pasohet nga një fazë tjetër, duke premtuar se numri i përfituesve do të jetë më i madh dhe harta gjeografike më e gjerë.

Ndërsa mjeku i Spitalit Amerikan Dr. Urim Shehu, shpjegoi nga ana mjekësore dobitë e synetimit dhe i bëri thirrje prindërve që t’i bëjnë fëmijët e tyre (meshkuj) synet në moshë sa më të vogël.

“Synetimi nuk është thjesht një traditë fetare, por një praktikë e domosdoshme e kthyer tashmë në një rekomandim mjekësor, pasi një person që ka kryer synetimin është shumë më pak i rrezikuar nga infeksionet apo sëmundje të tjera”, nënvizoi z. Shehu.

“Me pak përkushtim ne mund të parandalojmë shumë sëmundje, të rrisim kujdesin dhe vlerësimin për shëndetin e fëmijëve tanë”, përfundoi ai.

Më pas u dha një program artistik përgatitur nga nxënëset e  Medresesë së Tiranës, të cilat me ilahitë dhe poezitë e zgjedhura, emocionuan të pranishmit dhe argëtuan fëmijët.

Aktiviteti u mbyll me një koktej ndërsa fëmijët u shpërblyen me dhurata dhe një shfaqje argëtuese nga klounët e ftuar posaçërisht me këtë rast.

Nëse deri dje synetllëku i meshkujve shihej thjesht si një traditë fetare, tashmë mjekësia e rekomandon me çdo kusht. Mjekët shpjegojnë se synetllëku ka të bëjë me një procedurë të thjeshtë me anestezi, e cila zgjat pak minuta dhe pa pasoja nëse bëhet në kushte të përshtatshme, por që bërja e tij sjell efekte pozitive për shëndetin e fëmijës.

Aktiviteti që u zhvillua në të Hotel Sheraton shërbeu edhe si apel për të gjithë familjarët shqiptarë, për bërjen synet të fëmijëve të tyre në moshë sa më të vogël.

Nga faza e parë e këtij projekti përfituan mbi 300 fëmijë nga Tirana, Durrësi, Dibra, etj

 

You must be logged in to post a comment Login