Historia nga kinema “Nacional” tek teatri “Skampa”

Kush ishte Xhavit Biçakçiu që ndërtoi Kino-teatrin e parë në Elbasan

E mbesa Ornela Deliallisi Gjylbegu: U ndërtua nga inxhinier rus, ornamentet nga Zef Kolombi

ELBASAN- Vitet ‘30-ë do të ishin të arta sa i përket emancipimit dhe zhvillimit të kulturës e veçanërisht zhanrit të teatrit në Elbasan. Pikërisht në këtë periudhë Xhavit Bej Biçakçiu vendosi që të kontribuojë në ndërtimin e kino-teatrit “Nacional”, e para në këto përmasa në qytetin e Elbasanit. Duke qenë se paratë nuk i mungonin kishte menduar që godina të ishte e madhe, mjaft e përshtatshme për shfaqje dhe me një skenë që do të ushqente me art një qytet të tërë. Sipas dëshmive të familjarëve, për këtë ka qenë një inxhinier rus që ka realizuar projektin e hartuar në Itali.

Objekti i parë i këtyre përmasave në Elbasan ka përfunduar së ndërtuari në mes të viteve ‘30-të dhe ka një kapacitet prej 292 vendesh. Duke marrë funksionet e teatrit të qytetit, kinema “Nacional” mori emrin “Skampa” menjëherë pas çlirimit të vendit, pasi i ishte shtetëzuar pronarit të saj tashmë të rrënuar ekonomikisht. Akustika e këtij teatri është vlerësuar nga më të mirat në Shqipëri. Teatri “Skampa” dikur, kinema “Nacional” përfaqëson objektin më të rëndësishëm me funksion kulturor në qytetin e Elbasanit. Xhavit Biçaku bir i një prej kryetarëve të bashkisë, patriotit Fuat Biçaku, pas çlirimit u burgos për 10 vjet dhe më pas vdiq në mjerim edhe pse nuk u përzie asnjëherë me politikën gjatë gjithë kohës. Mbesa e Xhavit Biçakut, Ornela Deliallisi Gjylbegaj nëpërmjet një interviste sjellë detaje nga ndërtimi e deri më sot për kino-teatrin “Nacional”, sot teatrin “Skampa”.

Me çfarë aktiviteti merrej Xhavit Biçaku dhe pse zgjodhi të ndërtojë një kinema?

Gjyshi im Xhavit Biçaku ishte i biri i Fuat Biçakut, njeri i shkolluar në Stamboll, ofiqar i perandorisë osmane, nënshkrues i aktit të Pavarsisë së Elbasanit më 25 nëntor 1912. Një periudhë kohe ka qenë dhe kryetar i Bashkisë së Elbasanit. Sigurisht që ishte i pasur, një nga më të pasurit e qytetit të Elbasanit.

Gjyshi, Xhaviti administronte pronat e tij, dhe duke qenë me mentalitetin e ri për kohën, filloi që të investojë në biznese moderne siç ishte Kino-Teatri dhe Hoteli në qendër të Elbasanit (ish-gjykata e vjetër), të cilin e quajti Hotel Modern. Ai zgjodhi të ndërtonte kino-teatrin, i cili përfundoi në vitin 1935 apo 1936, edhe për faktin se ishte një dashamirës i kulturës dhe artit. Mendoni, e ngriti Kinoteatrin në kohën kur Elbasani nuk kishte asnjë institucion kulture, e ngriti hotelin modern kur Elbasani kishte vetëm hane….

Kinema “Nacional” shërbeu dhe si teatër, për t’u kthyer përfundimisht në teatër. Kur ndodhi kjo?

Që në fillim objekti u emërtua kino-teatri “Nacional”, dhe që në fillim funksionoi dhe si teatër dhe si kinema, madje u inaugurua me një shfaqe teatrale, siç pasqyrohet në shtypin e kohës.

Kinoteatri i Xhavit Biçakut iu shtetëzua nga regjimi komunist. Nuk është e vërtetë ajo që shpesh dëgjoj se ai ia fali qytetit të Elbasanit. Është e vërtetë që ai ka qenë një njeri me zemër të madhe, i mirënjohur nga qyteti si njeri bujar që ka ndihmuar materialisht qindra njerëz në vështirësi. Gjë që pasqyrohet dhe në shtypin e kohës. Pikërisht për këtë arsye Xhavitin e kishin zgjedhur dhe si kryetari i parë i kryqit të kuq të Elbasanit.

Çfarë mund të na thoni ndonjë kuriozitet për kino-teatrin “Nacional”?

Në familje kam dëgjuar shumë për të. Për shpenzimet e mëdha që u bënë për ndërtimin e tij, se gjithë materialet vinin nga Italia. Edhe projekti është bërë në Itali dhe është zbatuar nga një inxhinier rus i bardhë. Ornamentet artistike brenda sallës, bazorilievet, lloxhat janë bërë nga piktori i shquar Zef Kolombi që sapo ishte kthyer nga studimet që kish kryer në Itali, në atë kohë ishte profesor në shkollën “Normale” dhe mik i familjes së Xhavit Biçakut. Sot ne ruajmë një pikturë të tij, portret i Fuat Biçakut. Mendohet se dhe një portet gruaje i piktorit i takon zonjës së shtëpisë, gruas së Xhavit Biçakut.

Çfarë shfaqesh jepeshin dhe a mendoni se emancipoi shoqërinë në atë kohë ndërtimi i kino-teatrit?

Jepeshin gjithë filmat e kohës dhe shfaqjet e trupës teatrale të qytetit të Elbasanit të përbërë nga profesorë dhe studentë të “Normales”.

Se çfarë ka dhënë teatri për Elbasanin s’ka elbasanas që se di. Të gjithë janë krenuar dhe vazhdojnë të krenohen me këtë vepër monumentale artistike që është simbol i qytetit. Të gjithë duhet të krenohen me historikun e teatrit të Elbasanit që po shkon drejt 80-vjetorit të themelimit.

Si e pritët djegien e teatrit?

Djegia e teatrit u përjetua nga ne si një fatkeqësi e madhe. Na u duk sikur na vdiq një njeri i afërt. Me të na lidhnin veç të tjerash dhe shumë kujtime të bukura dhe të hidhura. Duhet të theksoj se regjimi komunist e burgosi gjyshin, Xhavit Biçakun për 10 vjet, ashtu si dhe gjyshen time. Dhe një nga shkaqet kryesore ishte për t’i rrëmbyer pasurinë, se gjyshi asnjëherë nuk ishte marrë me politikë. Megjithëse ai ishte një nga më të pasurit e qytetit, vdiq në mjerim. Ndërsa familja ime u persekutua nga regjimi komunist.

Do ishit dakord për ndryshimin e emrin që ka teatri sot? Po lidhur me fasadën ç’mendim keni?

Nëse qeveritarët do të ishin dashamirës, teatrit duhet t’i kishin vënë emrin e gjyshit, Xhavit Biçakut, që e ndërtoi dhe pësoi persekutimin komunist. Nëse qeveritarët do të ishin korrekt, duhet t’i kthenin emrin që i vuri i zoti : Kino-teatri “Nacional”, në vitin 1935, që shqip do të thotë kinoteatri kombëtar. Në fakt ky teatër unikal, kombëtar është dhe sot, pas afro 80 vjetësh, sa i përket arkitekturës dhe akustikës. Sa për emrin “Skampa” s’ka asnjë lidhje. Mua më kujton kohën e komunizmit, megjithëse është një emër historik. Fasada është një shëmtirë e vërtetë që stonon me sallën. Ajo duhet ndërruar dhe përshtatur me kohën. Si bashkëpronarë të kino-teatrit që jemi me Bashkinë do t’ia sugjeroj kësaj të fundit ndryshimin e fasadës.

Shtypi i kohës

Jehona mbi tragjedinë “Diomedi”

të shkrimtarit Haxhiademi

Në revistën “Përpjekja Shqiptare” të muajit dhjetor 1936, numri 3, faqja 184 shkruhet:

Më 19 të muajit në Elbasan u luajt për herë të parë tragjedia “Diomedi” vepra e fundit e shkrimtarit të njohur Et’hem Haxhiademi. U shfaq bukur në sallën e re të kino-teatrit “Nacional” ku ishte grumbulluar një popullsi tepër e madhe. Dhe me të vërtet kurrë nuk mbahej mend një asistim i madh spektatorësh në faqet që janë dhanë deri më sot n’Elbasan. Shoqëritë jashtëshkollore elbasanase këtë herë patën fitim hem moral, sepse të gjithë u kënaqën nga paraqitja e mirë e lojtarëve dhe sidomos nga ajo e Faik Haxhi Ymerit që kishte rolin e Dimomenit e Mustafa Shqerrës që kishte rrolin e Daunit, hem material se mblodhi një shumë të mirë, të cilën e përdori për djemtë e varfër. Dhe zoti Xhavit Bej Biçaku, i zoti teatrit, pora mori vesh që kjo shfaqje jepej për t’u ardhur në ndihmë djemve të vobektë, pati mirësinë t’a lëshojë sallën gratis, pa marrë as edhe një qindarkë për vehte. Përgatitja e mirë e kësaj çfaqeje i detyrohet zellit të z. Abedin Çaushi”. Kinematë e tjera u ndërtuan më pas. Kështu kinema “11 Nëntori” është ndërtuar në vitin 1966, me kapacitet prej 600 vendesh. Kjo kinema ka shërbyer si e tillë gjatë gjithë kohës. Vlen të përmendet fakti që ajo është ruajtur e mirëmbajtur gjatë viteve të tranzicionit dhe sot është rehabilituar plotësisht duke qenë një nga degët e kinema “Millenium”. Ndërkohë kinema “Vullnetari”, e ndërtuar në vitin 1972, me kapacitet 450 vendesh.

Historia e shfaqjeve teatrale në Elbasan

Më 10 qershor 1918 me iniciativën e të palodhurit atdhetar Thanas Floqi, në Elbasan u formua një grup teatror i përbërë nga Thanas Floqi, Mustafa Curri, Zef Mosi, Tef Leka, Ali Cungu, Hysen Miraku, Peter Ndria, Hasan Ceka, Sif Dodbiba, Sif Popa, Hysen Miraku, Spiro Todhri, Vasil Bici dhe Kol Robja.

Pas një kohe të shkurtër përgatitjesh më 26 korrik, vunë në skenë dramën e Sami Frashërit “Besa”. Kjo shfaqje u dha tre herë për publikun elbasanas, i cili e pëlqeu shumë jo vetëm nismën e grupit që vuri në skenë dramën, po edhe për lojën e aktorëve e veçanërisht për problematikën e kohës, që trajtonte drama. Ja çfarë shkruante gazeta “Posta Shqypnisë” më 3 gusht 1918 në shkrimin me titull “Argëtim theatrar në Elbasan”: Më 26 korrik u luajt për herë të parë drama shqipe “Besa” e Sami Bej Frashërit, e cila u ka lënë përshtypje bukur fort në dëgjonjësit. E treta e fitimeve iu dha Kryqit të Kuq…

Më 4 gusht grupi themelues teatror merr emrin “Shoqënia Theatrore Elbasanit”, e cila zgjodhi një pleqësi me këtë përbërje: Thanas Floqi, Kryetar e Dirigjent, Hasan Ceka, Shkronjës, Tef Leka, Kontrollor, Zef Moso, plak (anëtar), Mustafa Curri, plak (anëtar). Pas zgjedhjes së pleqinisë u hartua dhe rregullorja e kësaj shoqnie teatrore dhe menjëherë u nis puna për kryer shfaqjen tjetër teatrore.

Falë punës intensive që u krye dhe pasionit të madh që kishin vetë aktorët, më 14 gusht u vunë në skenë dy komeditë e autorit të njohur Kristo Floqi. E para mbante titullin “Dhëndërr me përdhunë” dhe e dyta titullohej “Bija Bankierit”. Të dy shfaqjet, sipas gazetës “Posta Shqypnisë” e gushtit 1918 u mirëpritën në qytet dhe patën jehonë të gjerë. Ato u dhanë për tri ditë rrjesht për qytetarët elbasanas.

Më 20 gusht u zgjodh një pleqësi tjetër ndihmëse, e cila do të merrej me financat dhe me probleme të tjera të shoqatës. Kjo pleqësi përbëhej nga z. Ahmet Dakli, kryetar, Emin Haxhiademi, plak, Ahmet Hastopalli, plak, Shefik Daiu, plak, Thanas Floqi, plak. Me këtë rast, revista e botuar në qytetin e Elbasanit, “Kopshti Letrar” i uronte “Shoqnisë Theatrore të Elbasanit”, kësaj “Shoqnie të dobishme, një zhvillim të mbarë për me e kryemun plotësisht qëllimin e naltë, qi asht dyke ndjekun në përparim t’Atdheut…..”. “Shoqënia Theatrore e Elbasanit” dha shfaqje në disa qytete të vendit. Në shfaqjen e dhënë në Shkodër, ku gazeta e asaj kohe në Shkodër do të shkruante: “Shoqnia Theatrore e Elbasanit” çfaqi dy komedi origjinale “Dhandërr me përdhune” dhe “Bija Bankierit” e shkrueme prej Kristo Floqit. Përshtypja që lan n’popull ishte mjaft e madhe masi amatorët lujtën si me kenë aktorë komikë të vërtetë.

Një etapë tjetër e historikut të teatrit amator elbasanas fillon pas vitit 1924. Pikërisht në këtë vit arsimtarët atdhetarë të qytetit me iniciativën e Abedin Çaushit krijojnë një grup të ri teatral, i cili me veprimtarinë e tij u bë shprehës i realitetit të kohës. Brenda pak kohe nga ky grup u shquan me talentet e tyre amatorët si Faik Haxhiymeri, Mustafa Shqerra, Faik Pajuni, Bukurosh Sejdini, Skënder D. Hoxha e më vonë Mustafa Shehu, Ismail Haxhimustaj, Sejdin Vyshka etj.

Nën drejtimin e Abedin Çaushit, që ishte organizatori, regjisori dhe skenografi trupës, realizuan shfaqje dinjitoze për nga vlera e tyre ideo-artistike.

Në vitin 1930 u hap java e teatrit dhe e muzikës. Morën pjesë në këtë konkurs artistik trupat e Tiranës, Shkodrës, Kavajës, Elbasanit, etj. Grupi teatral i Elbasanit (arsimtarëve) iu përvesh punës. Po nën drejtimin e gjithanshëm të Abedin Çaushit grupi përgatiti tragjedinë “Aleksandri”. Kostumet dhe rekuizita u porositën privatisht në Vjenë. Shpenzimet u përballuan nga fitimet që ishin siguruar nga shfaqjet e dramës “Lulja e Kujtimit”.

Pasi u dha 5-6 herë në Elbasan, tragjedia “Aleksandri” u shfaq në Tiranë para jurisë filodramatik, e cila nderoi trupën e Elbasanit me Çmimin e Parë. Çmimi ishte kupë floriri me gjashtë thika e pirunj, të cilat për siguri, qenë dorëzuar në arkën e Bashkisë Elbasan.

Më 15 gusht 1935 grupi teatral i organizuar nën drejtimin e Abedin Çaushit shfaqi në Tiranë dramën “Meço bej Qafëzezi”, shoqëruar nga orkestra e shoqësisë “Bashkimi Elbasanas”.

Më 1936 vihet në skenë tragjedia “Diomedi”, ku interpretonin Faik Haxhiymeri në rolin e Diomedit, Mehmet Qorri, etj.

Më 1936-1937 rishfaqet tragjedia “Pirrua” ku interpretojnë përveç të parëve edhe Faik Pajuni e Ismail Haxhimusai. Arsimtarët kanë qenë ata që kanë krijuar, mbajtur gjallë e kanë zhvilluar lëvizjen teatrale në Elbasan. Abedin Çaushi ka dhënë ndihmesë të shquar në lëvizjen teatrale të shkollave të qytetit, si dhe shkollës “Normale”.

Pas suksesit të shfaqjeve të mësipërme kjo trupë shfaqi në skenë dramën “I mjeri djalë”, sipas novelës turke me të njëjtën titull. Më pas vuri në skenë komedinë “Mulla Tahiri” të Mustafa Currit, ndërsa mësuesi i shkollës “Normale” Abedin Çaushi përktheu dhe botoi dramën e njohur “Firuzzi”

Në vitet ’30 nisur nga zhvillimi i madh që kishte marrë teatri vjen në Elbasan një regjisor italian për të vënë në skenë tragjedinë “Aleksandri”, të shkruar nga dramaturgu i shquar elbasanas Et’hem Haxhidemi.

Pas shfaqjes me sukses të tragjedisë trupa e teatrit vuri në skenë “Cubat” e Shilerit të përkthyer nga Hile Mosi, mësues në shkollën “Normale” (qendra më e madhe mësimore, teatrale e artistike në vend) dhe më vonë ministër i Arsimit. Nga këto shfaqje teatrore, të vëna nga teatri amator i Elbasanit, është për t’u përmendur edhe një kuriozitet, për periudhën kur luheshin këto pjesë. Në atë kohë vajzat nuk dilnin nga shtëpia. Kjo ishte një dukuri që mbizotëronte në të gjithë vendin. Edhe në Elbasan, pasi vajza mbushte moshën 12 vjeç “mbyllej në shtëpi” dhe nuk e kalonte “pragun e derës” gjersa martohej. Në këto kushte aktorët e teatrit, kur në pjesën teatrale kishte femra, rolet e tyre, pra rolet e femrave i luanin meshkujt. Kështu në dramën “Besa” kanë luajtur rolin e femrave përkatësisht Sif Dodbiba dhe Hasan Ceka dhe më vonë role të femrave kanë luajtur edhe aktorët Llambi Ndrija, Faik Pajuni e ndonjë tjetër. Kështu, teatri amator i Elbasanit u ngjit në skenë ndër vite, duke u bërë zhanri më i dashur e më popullor, aq sa edhe lagjet e qytetit kishin grupet teatrore dhe jepnin shfaqje të bukura për banorët.

You must be logged in to post a comment Login