Kryetari i partisë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut (PBDNJ) i ftuar sot në emisionin televiziv ‘5 pyetje nga Babaramo’ theksoi se Shqipëria është shteti që humbi me shume nga mosrealizimi i marrëveshjes detare me Greqine që u hodh poshtë një vit më parë nga Gjykata Kushtetuese. “Falja e detit është një teori konspiracioni. Me Italinë ka prej 30 vitesh një marrëveshje që ishte nënshkruar me të drejtën e atëhershme dhe është rishikuar më pas dhe është konstatuar se nuk ka asnjë shkelje. Me Turqinë, është situatë ndryshe, Turqia nuk është palë e së drejtës së konventës detare.
Gjykata këtu e hodhi poshtë marrëveshjen. Drejtësia në Shqipëri ka hyrë në një terren të rrëshqitshëm pseudonacionalist. Nga më të rrezikshmit. Në vitin 2009, shqipëria nënshkroi marrëveshjen detare dhe kjo marrëveshje u hodh poshtë. Sot është në seriozitetin e këtij vendi që për imazhin e tij para botës të japë përgjigje të qarta, por nuk e ka riparë marrëveshjen”.
Për Dulen koha sot ofron të gjitha teknologjitë që mund të vërtetojnë se marrëveshja nuk shkelte parimet kombëtare dhe nuk rrëmbente asnjë km det nga asnjë prej shteteve.
“Si mund të falen dhe të shiten det e tokë sot në kohën e teknologjisë që mund të masë me saktësi toka e ujë. Sot do ishte në favor të interesave të vendit tonë ratifikimi i asaj marrëveshjeje. Bëhet fjalë për hapësirat detare ekskluzive të shfrytëzimit ekonomik. Ishte favor për Shqipërinë. Në momentet që flasim mbahet një takim shkencor me pjesmarrjen e autoriteteve izraelite, qipriote, greke, po diskutohet një çështje energjitike. Në këtë aktivitet flasin amerikanët. Shqipëria duhet të bëhej pjesë e kësaj loje dhe jo të bëhet fobik”.