Maqedoni-Serbi, së shpejti edhe një kalim kufitar

Deputetët ratifikuan sot Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë dhe të Serbisë për rregullimin e regjimit për komunikacionin kufitar lokal. Me këtë parashihet hapja e kalimit kufitar lokal Llojan –Miratoc.

Deputeti i BDI-së Rexhail Ismaili vlerëson se me këtë janë thyer barrierat për hapjen e vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc. “Ne në premtimet tona para elektorale kemi thënë se çështja e parë që do ta bëjmë për banorët e kësaj zone do të jetë pikërisht hapja e këtij kalimi kufitar. Sot me ligj atë e dëshmuam, është një prej hapave të parë që kemi bërë dhe do të bëjmë për banorët e atij regjioni. Ne presim së shpejti që ky kalim kufitar të bëhet realitet. Kjo është kërkesa jonë e parë që do ta bëjmë që të përshpejtohen punët rreth fillimit të asfaltimit të rrugës Kumanovë-Llojan e pastaj prej fshatit Llojan deri në kufi, që është një gjatësi 1 kilometër”, deklaroi Rexhail Ismaili, deputet i BDI-së.

Sipas kryetarit të Komisionit për hapjen e kalimeve kufitare Abdylkadër Memedi, tani pritet që dy shtetet të këmbejnë protokollin për hapjen dhe funksionimin e kalimit kufitar Llojan-Miratoc. Pas saj bëhet aplikimi i përbashkët në BE për të siguruar fonde. Me këtë marrëveshje definohet brezi për qarkullim të lirë kufitar prej 30 deri 35 kilometra, nga të dyja anët. Kufiri kalohet me leje për qarkullim kufitar dhe jo me pasaportë. Për këtë leje për qarkullim kufitar nevojitet që personi të ketë leje qarkullimi, të cilën mund ta sigurojnë tek organet përkatëse. Kalimi kufitar Llojan-Miratoc rreth 15 vjet është mbyllur, ndërsa banorët e dy fshatrave që janë në lidhje të ngushtë familjare në vend që të bëjnë vetëm dy kilometra rrugë për të arritur tek të afërmit tyre, ata për ta bërë këtë duhet të udhëtojnë rreth 70 kilometra, ndërsa probleme kanë edhe në kryerjen e punëve bujqësore përgjatë brezit kufitar./alsat-m/

You must be logged in to post a comment Login