Familja Memishi, jeta në një dhomë…

Kjo është dhoma në të cilën banon përkohësisht Nerxhivane Memishi bashkë me dy fëmijët e saj, Alejna 4 vjeçare dhe Kadriu 2 vjeç. Në momentin që vizituam këtë familje, Kadriu i vogël ishte në gjumë dhe ndoshta ëndërronte për një shtëpi të bukur, të kishte edhe dhomën e tij plot me lodra.Jeta për Nerxhivanen është shumë e rëndë. Ajo thotë se nuk mund të mbijetojë me një ndihmë sociale, jo më t’u plotësojë nevojat fëmijëve. Shpeshherë fëmijët kërkojnë ushqime ashtu siç shohin bashkëmoshatarët e tyre, por nëna nuk mund t’jua sigurojë.
“Ka nis ai tash me dit më shumë, me lyp? Lyp, lyp, oj nani mama, ky nuk po i di kushtet se si janë, a vajzës kur i them, Alejna nuk kam edhe e merë vesh, ama ky po do, me hangër, me pi, lang po lyp, ama çka me bo. Lypin kushtet e veta, shohin në sokak, shohin të mira. Bile çika Alejna po thotë, oj mami pse krejt shoqet po kanë shpija të mira e ne s’kemi. I them hajt oj mami se edhe ne kemi me ndërtua”, u shpreh Nerxhivane Memishi, kryefamiljare.
Nerxhivanja për momentin jeton në një dhomë në shtëpinë e babait të saj, por vetëm përkohësisht derisa të gjej një zgjidhje. Duke na rrëfyer për ditët e vështira ajo bën apel për ndihmë tek të gjithë njerëzit humanë.
“Mu më mungon diçka më tepër, me dal prej këtu, se për tesha e për diçka tjetër i bëhet qarja, fundi i fundit veç kokën ta kisha vendos diku tjetër, jo te baba, diku ma veçantë…Një shporet një frigorifer këtu çka mi kanë pru, jo çika tezës jo prej jashtë, më kanë ndihmua dikush dikush. Baba është me një pension, ku ta çoje përpara, a për fëmijët e vet a për mu me ngajt”, tha  Nerxhivane Memishi.
Për të zbutur dhimbjen e nënës saj, Alejna 4 vjeçare u afrua pranë nesh dhe kërkoi që më shumë dëshirë të recitojë një vjershë të shkurtër.
“Nani, nani, a mi jep do pare, të shkoj ta blej një abetare, abetaren ta lexojë, mamin tim ta gëzojë”, tha Alejna
U larguam nga kjo shtëpi duke e lënë akoma në gjumë Kadriun 2 vjeçar, por me shpresë se ëndrra e tij dhe motrës Alejna për një shtëpi të bukur të bëhet realitet. Jemi në muajin e Ramazanit, muaj i sakrificës dhe humanitetit. Të dëshmojmë se jemi humanë, ti mundësojmë Alejnës dhe Kadriut ëndrrën e tyre ta shndërrojnë në realitet… /Melihate Rustemi  / alsat-m/
072 555-254

You must be logged in to post a comment Login